Ministria e Financave ka detajuar me kërkesë të Fondit Monetar Ndërkombëtare nismat e fundit të politikave fiskale të ndërmarrë nga qeveria deri tani, si lehtësimi i barrës së taksave për njerëzit me të ardhura të ulëta, përjashtimet fiskale, përfshirë dhe kostot fiskale të lidhura me to. Në total, efekti negativ në buxhet i këtyre nismave vlerësohet të arrijë rreth 11 miliardë lekë.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”
Është propozuar që të ardhurat nga paga dhe bonuset nga 0-30,000 lekë të mos jenë të taksueshme dhe pagat mbi këtë nivel taksohen 10% të pagës bruto. Ligji ka hyrë në fuqi më 1 maj 2013 dhe ndikimi negativ tek të ardhurat, për periudhën qershor-dhjetor 2013 vlerësohet 1.5 miliardë lekë.
Fermerët përjashtohen nga pagesa e taksës prej 10% në transaksionet e shitjes së tokës. Arsyeja e këtij përjashtimi ishte që të nxiteshin transaksionet e tokës midis fermerëve.
Ligji ka hyrë në fuqi në prill 2013. Një parashikim i saktë i të ardhurave është i vështirë të bëhet, teksa mbledhja e kësaj takse varet nga transaksionet e tokës. Sipas të dhënave të të ardhurave për vitin 2012, për të ardhurat nga taksat për transaksionet e tokës, kjo shumë ka qenë 300 milionë lekë. Për këtë arsye, vlerësohet se ndikimi negativ tek të ardhurat i kësaj takse është 300 milionë lekë për 2013-n.
Ligji “Për TVSH”
Parashikojnë përjashtimin e pagesës së TVSH-së për importet e makinerive dhe pajisjeve që përdoren për investime të mëdha (për investime që fillojnë nga 50 milionë lekë e më lart); përjashtim nga TVSH për makineritë dhe pajisjet e importuara në industrinë përpunuese, agrobiznes dhe bizneset që janë subjekt i taksës së biznesit të vogël, gjithashtu dhe përjashtimet për pagesën për TVSH-në e hekurit dhe çimentos së importit ose vendas që përdoret si lëndë e parë në ndërtimin e hidrocentraleve.
Arsyeja e këtyre përjashtimeve synon që të ulë koston e investimit me 20% po ashtu dhe TVSH-në e kreditueshme nga autoritetet e taksave. Përmes përjashtimit të TVSH-së së importuar për makineritë dhe pajisjet për investimet e mëdha (deri në 50 milionë lekë), për fasonin, agrobiznesin dhe biznesin e vogël, një shumë e konsiderueshme nuk është më TVSH e kreditueshme ndaj administratës së taksave. Ndikimi i vlerësuar ka qenë 4 miliardë lekë.
Ligji ka hyrë në fuqi në janar 2013 dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për zbatimin e tij në mars 2013. Në udhëzimet e ligjit parashikohet se efekti negativ vjetor i këtyre përjashtimeve është 4 miliardë lekë. Kur vendimi i Këshillit të Ministrave u hartua, jo të gjitha makineritë e pajisjet ishin subjekt i përjashtimit të TVSH-së, por vetëm një listë makinerish e pajisjesh, bashkangjitur vendimit, ishin subjekt i përjashtimit të taksave dhe sipas doganave, efekti negativ i vlerësuar ishte 850 milionë lekë për 2013-n.
Ligji “Për taksat kombëtare”
Ndryshimet e fundit, të bëra në ligjin e taksave kombëtare lidhen me përgjysmimin e taksës vjetore për makinat e përdorura. Qëllimi i këtij vendimi ishte që të reduktonte barrën e taksave për qytetarët. Ligji ka hyrë në fuqi në maj 2013. Efekti negativ i vlerësuar është 2.7 miliardë lekë për periudhën e mbetur të 2013-s nga 6 miliardë lekë që është parashikuar për gjithë 2013.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.