Nafta është një nga tregjet më të mëdha në vend, që qarkullon mbi 100 miliardë lekë në vit (llogaritur në bazë të xhiros së kompanive kryesore), apo gati 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dukuria tipike e dy viteve të fundit (2011-2012) ka qenë konsolidimi i disa sipërmarrjeve, konkretisht të atyre që investuan me depozita në Porto Romano (“Kastrati” + “Kaspetrol”, “Taçi Oil”, “Europetrol Durrës Albania” dhe së fundmi “Bolv Oil”), dhe rënia e kompanive të tjera të vogla. Në një kohë që tregu i naftës në total nuk është rritur, me importet e këtij produkti që kanë rënë 5.5% me bazë vjetore në 2012-n, torta ekzistuese është rindarë mes kompanive.
Në 2012-n bie në sy dyfishimi i aktivitetit të “Kastratit”, që u rendit si kompania e dytë më e madhe në vend, pas “Bankers”, me një xhiro prej 47.4 miliardë lekësh, 132% më të lartë se një vit më parë. Ndonëse kompania tjetër e grupit, “Kaspetrol”, ka shënuar një rënie të të ardhurave me 70% në 4.7 miliardë lekë, përsëri si grup, “Kastrati” dhe “Kaspetrol” është sipërmarrja më e madhe e naftës në vend. Si grup, të dy kompanitë kanë xhiruar rreth 52 miliardë lekë në 2012-n, me zgjerim prej 26% me bazë vjetore, duke ndarë rreth 40% të tortës së naftës. Fitimi i tenderit për furnizimin e kompanive shtetërore me naftë në 2012-n; furnizimi me hollues i “Bankers Petroleum” dhe fuqizimi në tregun e shumicës janë disa nga arsyet që kanë ndikuar në rritjen e grupit që zotëron depozita me kapacitet rreth 60 mijë metra kub në Porto Romano. Luigj Aliaj, bashkëpronar i grupit “Kastrati” pohon për “Monitor” se arsye të tjera që kanë ndikuar në zgjerimin e kompanisë janë shtimi i pikave të pakicës, diversifikimi i shërbimeve dhe marketingu agresiv. Ai pohon se çdo vit, kompania pret minimumi një rritje prej 5-10%.
Rritje të ndjeshme ka shënuar dhe “Taçi Oil International”, që e ka përqendruar aktivitetin në këtë kompani në 2012-n, ndryshe nga një vit më parë, kur sipërmarrja tjetër e grupit, rafineria ARMO, mbajti pjesën kryesore të grupit. Xhiro e “Taçi Oil International” arriti në 32.8 miliardë lekë në 2012-n, duke u shtatëfishuar në raport me një vit më parë. ARMO, nga ana tjetër, ka rezultuar me një tkurrje të xhiros prej 20% në 18 miliardë lekë.
Grupi “Taçi Oil” ka ngritur rrjetin më të madh të pikave të pakicës në vend, me rreth 300 pika shitje (pjesa më e madhe e të cilave me qira), nga rreth 1200 që janë në total në vend, teksa lideri i saj Rezart Taçi deklaroi publikisht në tetor të vitit të kaluar, – kur si aksioner i “Vetro Energy” ofroi 850 milionë euro për blerjen e kompanisë nxjerrëse të naftës “Albpetrol” – se “synonte të mbyllte ciklin në vend, që nga nxjerrja e naftës nga ‘Albpetrol’, përpunimi nga ARMO dhe shpërndarja në tregun e pakicës përmes rrjetit të tij”. Sot, ky synim duket i largët, me procesin e privatizimit të “Albpetrol” që zyrtarisht është i dështuar dhe, ARMO-n, që ka punuar vetëm për disa muaj gjatë 2011-s dhe 2012-s.
Operatori tjetër kryesor në treg, “Europetrol Durrës Albania” (që tregton markën “Elda”) ka shënuar rënie të aktivitetit, pas rritjes së ndjeshme, prej 50% në 2011-n. Xhiro e deklaruar e tij për vitin 2012 ishte 22.35 miliardë lekë, me një rënie prej 27% me bazë vjetore. Kompania duket se e ka zhvendosur vëmendjen në Kosovë, ku po ndërton një rrjet të pakicës në shtetin fqinjë. Edhe “Skënderi G”, tregtuesi me pakicë i “Europetrol Durrës Albania”, ka shënuar ecuri negative, me një rënie prej rreth 5% në 6.7 miliardë lekë. Aksioneri kryesor i kompanisë, Frident Kuqi, pohon për “Monitor” se një efekt negativ në aktivitet ka dhënë dhe shitja dumping (nën kosto) e naftës nga konkurrentët.
Sipërmarrje të tjera të mëdha të naftës janë “Genklaudis”, që gjithsesi nuk ka arritur ta rrisë aktivitetin në 2012-n, por ka rënë me 6% në rreth 12 miliardë lekë.
Me ecuri pozitive rezulton dhe “Bolv Oil”, që në fund të vitit 2011 bleu depozitat e kompanisë së falimentuar “Rira” prej 14 mijë m³, në Porto Romano. Kompania ka deklaruar një xhiro prej 5.6 miliardë eurosh në 2012-n.
Sipërmarrjet e tjera të tregtimit të naftës kanë rezultuar me një aktivitet minimal, teksa i gjithë tregu po përqendrohet në duart e kompanive të sipërpërmendura. E dukshme është rënia e “Vil Oil” (që tregton markën “Alpet”), që në 2009-n ishte e treta më e madhe e naftës, pas “Kastratit” dhe “Taçi Oil”, me një xhiro në atë kohë prej 10.4 miliardë lekësh. Në 2012-n, kompania raportoi një xhiro minimale prej vetëm 188 mijë lekësh.
Ulje të mëtejshme kanë shënuar dhe “Global Petroleum Albania” dhe “Euro Standard Oil”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.