Me 88 vota pro, në seancën e fundit të sesionit të dytë, të legjislaturës së 7-të, Kuvendi miratoi projektligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Gjatë fjalës së deputetes së LSI-së Monika Kryemadhi tha se ndryshimet e paraqitura janë parë dhe analizuar me shumë kujdes, duke u konsultuar me ekspertë të fushës dhe grupe interesi, për të pasur një tablo më të qartë se çfarë përfitojnë skemat e sigurimeve shoqërore dhe se çfarë përfitojnë pjesëmarrësit aktualë dhe pjesëmarrësit e ardhshëm, nga këto ndryshime. Sipas saj, e reja e këtyre ndryshimeve është edhe përfshirja e kategorive të cilat edhe pse nuk kanë llogari të kontributeve, për efekte pensioni do të jenë subjekte të këtij ligji. “Kjo kategorie, nuk do të prekë fare fondin e kontributeve. Ky lloj pensioni do të financohet tërësisht nga Buxheti i Shtetit”, tha Kryemadhi.
Në relacionin që ka shoqëruar projektligjin thuhet se ndryshimet ligjore që kaluan për miratim reflektojnë aspekte të rëndësishme të parametrave aktualë të sistemit të sigurimeve, të cilat diktohen nga një varg rrethanash e problematikash.
Ja cilat janë ndryshimet kryesore që u miratuan në seancën e djeshme kuvendore :
1. Legjislacioni i sigurimeve shoqërore, i miratuar në vitin 1993, së bashku me
përvojën njëzetvjeçare të përftuar nga zbatimi i tij dhe reformat e rregullimet e
bëra në harkun kohor 1994-2009, shtrojnë si domosdoshmëri ndërmarrjen e
reformave në parametrat e këtij sistemi. Kjo nevojë për reformë bazohet mbi
analizën e plotë të ecurisë së deritanishme të ketij sistemi, në detyrimet që ka
përmbushur, në problematikat që evidentohen si edhe në prognozën afatgjatë të
treguesve të tij.
2. Përkeqësimi dramatik i raportit kontribues-përfitues, i njohur gjërësisht si
raporti mbështetës apo i varësisë. Ky raport, nga 4 kontribues për 1 përfitues, që
ishte para vitit 1990, zbriti në kufirin kritik 0,8 kontribues për 1 përfitues në,
vitin 1997 dhe, aktualisht, është rreth 1.1 kontribues për 1 përfitues. Në këto
kushte, sistemi aktual i pensioneve ka krijuar një deficit mjaft të lartë, që ka
arritur në rreth 1.7% të PBB-së dhe karakterizohet nga prirje të qarta
përkeqësimi. Vëllimi i të ardhurave për sistemin e sigurimeve shoqërore ka
arritur në rreth 3,8% të PBB-së dhe vlerësohet si një tregues i ulet krahasuar me
normën e kontributeve, ndërkohë që shpenzimet për degën e pensioneve kanë
arritur në rreth 5,5% të PBB-së.
3. Elementët që dekurajojnë pjesëmarrjen në skemën e sigurimeve shoqërore
dhe, ç’është më e rëndësishmja, pjesëmarrja ende e ulët në skemë e të
punësuarve, të vetëpunësuarve në sektorin privat dhe sidomos e të
vetëpunësuarve në bujqësi.
4. Situata demografike, nën ndikimin edhe të emigracionit të moshave të reja,
vërteton edhe në Shqipëri tendencat e plakjes së popullsisë. Në vitin 2014 pjesa
e popullsisë së moshës së tretë përbën rreth 15.9% të popullsisë rezidente nga
19,4% që ishte 15 vite më parë. Ndërkaq, krahasuar me vendet e tjera, në
Shqipëri mosha e pensionit për gratë është relativisht e ulët.
5. Vendosja e kufijve minimalë dhe maksimalë për madhësinë e pensionit dhe
ndryshimet e tyre kohë pas kohe, së bashku me indeksimin e pabazuar që është
vërtetuar gjatë rritjes së pensioneve apo vendosjes së skemave të
kompensimeve, si elementë rregulluese të tranzicionit, kanë ndikuar në
dobësimin e theksuar të lidhjes ndërmjet masës së kontributeve të derdhura dhe
masës së përfitimeve që sigurohen përmes pensioneve. Kjo ka çuar në
minimizimin e diferencave mes pensioneve mesatare dhe pensioneve minimale,
si edhe ka ndikuar negativisht në caktimin e masës së pensionit për individët që
kanë kontribuar në mënyrë të ndryshme në skemën e sigurimeve.
6. Pavarësisht përpjekjeve që janë bërë, sidomos në vitin 2000 e në vazhdim,
për rritjen e pensioneve si dhe për ngushtimin e diferencave të tyre, lidhur me
legjislacionin para dhe pas vitit 1993, shkalla e zëvendësimit të pensionit, ose
raporti i pensionit ndaj pagës, mbetet ende e ulët, 33.4%, dhe me prirje të qarta
drejt përkeqësimit.
7. Sistemi i përgjithshëm i sigurimeve shoqerore, për shkak të zbatimit të
skemave të kompensimeve dhe të disa skemave suplementare, të financuara në
masën 80%, ose krejtësisht nga buxheti i shtetit, ka rritur ndjeshëm kërkesën për
financime buxhetore, të cilat arrijnë në 46.2% të shpenzimeve të sistemit, ose
rreth 3.2% të PBB-së, dhe me prirje të qarta drejt shtimit të tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.