Ish-kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, ka fituar me një shumicë votash zgjedhjet për president, duke e forcuar në këtë mënyrë sundimin e tij në rajonin e Ballkanit, shkruan “The Guardian”.
Pas numërimit të 91% të votave, komisioni zgjedhor shtetëror deklaroi se Vuçiç fitoi 55% të votave, i ndjekur me 16% nga kandidati liberal, Sasha Jankoviç dhe me 9% nga komediani dhe politikani aktivist, Luka Maksimović.
Triumfi në votimin e fundit është një nxitje shumë e madhe për Vuçiç, i cili pritet që të forcojë më tej kontrollin në qeverinë serbe.
Partia Progresive Serbe e Vuçiçit dominon edhe mazhorancën e vendeve në Parlament.
Një ish-nacionalist ekstremist, i cili tani e konsideron veten si një reformues pro-BE-së, shprehet se Vuçiç dëshiron ta çojë vendin drejt BE-së, ndërkohë që po përpiqet të krijojë edhe lidhje të qëndrueshme me Rusinë.
Sipas një zyrtari të lartë të BE-së që do të mbikëqyrë zgjerimin e bllokut, Vuçiç ka për detyrë që ta përdorë pushtetin me shumë zgjuarsi.
Komisioneri i zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn, tha se Vuçiç ka një “përgjegjësi të caktuar” sidomos pas fitores së zgjedhjeve dhe se ai duhet ta përdorë këtë mbështetje të fuqishme nga qytetarët, në mënyrë të kujdesshme.
Z. Hahn u tha më tej gazetarëve se ai besonte në premtimin që kishte marrë nga z. Vuçiç, ku sipas këtij të fundit, ai zotohej se do të respektonte plotësisht kornizën kushtetuese.
Kandidatura e Vuçiç u përkrah edhe nga Vladimir Putin. Një ditë pas zgjedhjeve, z. Putin e uroi Vuçiç mbi “zgjedhjen bindëse” duke përfshirë në urimin e tij edhe mbështetjen që do t’i japë z. Vuçiç në ndërmarrjen e reformave politike kuptimplota dhe të balancuara në marrëdhëniet e jashtme.
Kandidatët e opozitës e kanë akuzuar Vuçiçin për kontrollin dhe presionin e ushtruar mbi mediat, shpifjet e thëna gjatë fushatës dhe mbi të gjitha, frikën që shkaktoi në mesin e votuesve. Ka edhe nga ata kritikë që mendojnë se ai do të bëhet shumë i fuqishëm, në një moment kur të marrë në dorë institucionet më të rëndësishme të shtetit, duke e çuar demokracinë dhe liritë themelore të njeriut në nivelin e tyre më të ulët.
Ata gjithashtu vënë në dukje edhe rolin e tij si ministër i Komunikacionit nën urdhrat e Sllobodan Millosheviçit, presidentit më të fuqishëm serb, i cili vdiq ndërsa priste gjykimin në Hagë për krimet e luftës.
Vuçiç e ka ndërtuar reputacionin e tij në fushën politike si një anëtar i partisë së qendrës së djathtë radikale, që gjithmonë ka lobuar për një Serbi më të madhe dhe që ka qenë gjithmonë në mbështetje të luftërave të përgjakshme në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, të cilat morën rreth 100,000 jetë njerëzish dhe që akuzuan edhe disa politikanë serbë për lehtësim të spastrimit etnik.
Ai u largua në vitin 2008 për t’u bashkuar me partinë SNS, të themeluar nga Tomislav Nikolić, dhe ka qenë në postin e Kryeministrit që nga viti 2014.
Në një intervistë të dhënë javën e kaluar për “The Guardian”, Vuçiç iu drejtua akuzave ndaj tij me sloganin: “Kjo është rruga ime drejt demokracisë, sepse vetëm në këtë mënyrë, ata mund të shprehin bindjet e tyre, mund të thonë që unë jam një autoritar, autokratik apo çfarëdo që të duan.
Por unë po shkoj në Parlament më shpesh se çdo kryeministër tjetër për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre dhe për të diskutuar me ta. Shoqëria në të cilën jetojmë është shumë e hapur dhe nuk kam asnjë problem që të dëgjoj komentet e tyre, vazhdoi ai.
Ai këmbënguli mbi faktin se ishte një njeri pro ndryshimeve dhe vazhdoi më tej duke thënë se, sipas një shprehje të urtë serbe, “Vetëm gomarët nuk mund të ndryshojnë”. Është më se normale të ndryshosh pikëpamjet. Është më se normale të ndryshosh edhe vetë si njeri, në mënyrë të tillë që të bëhesh më i përgjegjshëm dhe të marrësh vendime më të matura.
Vuçiç pritet që të emërojë një kryeministër kukull, në mënyrë të tillë që të ketë liri për ta fuqizuar edhe më shumë postin e presidentit. Prioriteti i tij kryesor do të jetë tërheqja e investitorëve dhe krijimi i një ekonomie serbe sa më të qëndrueshme, në një shtet me 7.2 milionë banorë dhe që karakterizohet nga një nivel i lartë papunësie dhe nga një standard jetese shumë i ulët.