Një studim i fundit i publikuar te The Journal of Psychosocial Research on Cyberspace gjeti se “cyberloafing” – ose përdorimi i internetit për qëllime që nuk lidhen me punën – ka “ndikim të konsiderueshëm” tek produktiviteti. Leximi i lajmeve apo të bërit shopping online gjatë orarit të punës janë dy ndër shkaktarët më të mëdhenj dixhitalë të shpërqendrimit.
Dhe çka është më e keqja, punonjësit që humbnin shumë kohë online karakterizoheshin nga nivele më të larta narcizmi, manipulimi dhe interesa personale.
Por, sa i përhapur është ky problem? Sipas studimit të Universitetit të Teksasit në San Antonio, rreth 14 për qind e kohës së punonjësve shpenzohet në cyberloafing ose ndryshe 67 minuta – më shumë se një orë. Dhe çdo herë që një punonjës lexon një email personal apo lundron në rrjetet sociale – duhen edhe 23 minuta për t’iu rikthyer punës.
Kjo është një kohë e madhe e humbur kot që mund të përdoret për të arritur suksesin. “Shpërdorimi i kohës mund t’ju kushtojë ngritjen në detyrë, përveçse reduktimin e cilësisë së punës suaj, veçanërisht nëse po e përdorni si një instrument për zvarritjen e punës” – tha për Moneyish, eksperti i karrierës së Monster.com, Vicki Salemi. “Ju nuk do të jeni tërësisht të përqendruar në punën tuaj. Puna mund t’ju ikë nga duart ndërkohë që ju jepni ‘like’ në foto të ndryshme në Instagram. Ju duhet të jeni përqendruar në punë”.
Ndër të tjera, në një hapësirë të hapur, është e thjeshtë të shikosh se kush po punon dhe kush është duke lundruar në Facebook. “Dhe mos u habisni kur kolegu pranë jush është ngritur në detyrë, ndërkohë që ju ishit duke lundruar në internet”, shtoi ajo.
Kjo është e dëmshme edhe për kompaninë, pasi përdorimi i pajustifikuar i web-it ngadalëson rrjetin dhe i vë kompanitë përballë rreziqeve të viruseve në kompjuter.
Problemi është që vija ndarëse mes punës dhe shtëpisë vijon të jetë e paqartë. Shumë punonjës janë online 24 orë në 24 dhe e marrin punën e tyre edhe në shtëpi, gjë që do të thotë se ata kanë nevojë të kujdesen edhe për disa çështje personale në punë.
“Çdokush e bën këtë gjë ndonjëherë. Është në natyrën njerëzore”, – thotë psikologu dr. Neil Bernstein për Moneyish. “Por ju mund të vendosni disa rregulla dhe të gjeni një rrugë është e përshtatshme për ju”.
Dr. Bernstein dhe Dr. Pamela Rutledge, drejtuese e Media Psychology Research Center, ndanë disa këshilla se si të menaxhoni kohën tuaj në këtë pikë….
1.“Pyesni veten se deri në çfarë mase interneti ndërhyn në punën tuaj”, – tha dr. Bernstein. A e kapni veten herë pas here duke lundruar për gjatë në internet apo se keni mbetur pas me punën tuaj dhe respektimin e afateve pasi ju nuk mund të kontrolloni kohën gjatë së cilës qëndroni në Facebook
2.Shkruani në një letër aplikacionet dhe faqet që vizitoni më shpesh, për sa kohë i përdorni ato, cili ishte qëllimi i përdorimit të tyre dhe si u ndiet. “Ky lloj monitorimi është mjaft i vlefshëm, pasi ju jep një ide më të qartë se si ju e harxhoni kohën tuaj”, – tha Dr. Rutledge.
“Njerëzit nuk janë të saktë kur bëhet fjalë në gjykimin e sjelljes së tyre, veçanërisht kur rrethohen nga diçka të cilën duan ta ndryshojnë, si për shembull ushtrimi fizik, dieta, shopping (veçanërisht ai me një klik) apo përdorimi i aplikacioneve të rrjeteve sociale”.
3.Dr. Rutledge këshillon që ju të identifikoni se cilat janë objektivat tuaja – dëshironi që t’i përgjigjeni çdo email-i që vjen në adresën e punës apo të qëndroni në vazhdimësi të informuar rreth lajmeve. “Jo të gjitha sjellje tuaja online janë negative. Ato mund të jenë mjaft pozitive nëse ju i përdorni këto aplikacione në mënyrë të ekuilibruar”.
4.Bëni pushime të shkurtra. Vendosni alarmin në telefonin tuaj për shembull 10 minuta sa herë ju lundroni në internet, për t’u siguruar se nuk do të shpërdorni kohën tuaj për gjatë.
5.Regjistrohuni në aplikacione që shërbejnë kundër shpërqendrimit si Anti-Social, Freedom, StayFocused and SelfControl, të cilat mund t’i personalizoni për të bllokuar faqet që ju marrin pjesën më të madhe të kohës.
Të gjithë pjesëmarrësit e studimit të Universitetit të Teksasit në Sant Antonio, të cilët pranuan të reduktonin kohën e përdorimit të internetit gjatë orëve të punës – shënuan rritje të produktivitetit me 38 për qind.
Burimi: moneyish