Ja pse shefi juaj mund të jetë i keq për shëndetin tuaj

09/08/2017 12:11 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

“Shefi i keq” është bërë pjesë komike e kulturës së punës, në filma dhe televizion, por kur ju aktualisht punoni për një drejtues i keq, nuk ka asgjë për të qeshur në këtë gjë.

Studiues të Harvard Business School dhe Stanford University analizuan rezultatet e më shumë se 200 studimeve, për të kuptuar më mirë efektet e stresit në vendin e punës. Ata gjetën se shqetësimi për humbjen e vendit të punës rrit me 50 për qind mundësinë për të pasur një shëndet jo të mirë, kurse të pasurit e një pune shumë të kërkuar rrit me 35 për qind mundësinë për diagnostikimin e ndonjë sëmundjeje nga mjeku.

Pasiguria në punë dhe kërkesat e vazhdueshme që karakterizojnë në mënyrë perfekte ambientin e krijuar nga drejtuesit e këqij dhe efektet negative në shëndet të matura nga studiuesit e Harvardit dhe Stanfordit janë po aq të dëmshme me ato që shihen tek njerëzit që janë të ekspozuar ndaj sasisë së tymit të cigares (jo duhanpirësit)

Drejtuesit e këqij janë më të zakonshëm nga sa mund të mendoni. Kërkime të fundit nga American Psychological Association raportuan se 75 për qind e amerikanëve e identifikuan shefin e tyre si pjesa më e keqe dhe më shumë stresuese e punës së tyre.

Është e qartë që drejtuesit e këqij kanë ndikim katastrofik tek shëndeti dhe produktiviteti i punonjësve të tyre. Por çfarë bëjnë punonjësit kur u bie për pjesë një drejtues i keq? Jo shumë!

Ndërkohë që 27 për qind e punonjësve, të cilët punojnë për një drejtues të keq, japin dorëheqjen sapo gjejnë një punë të re dhe 11 për qind japin dorëheqjen edhe pse s’kanë gjetur një punë tjetër, një shifër e pabesueshme prej 59 për qind qëndrojnë. Ky është një numër alarmant njerëzish të cilët jetojnë me stresin dhe përjetojnë efektet negative që drejtuesi i keq shkakton në shëndetin e tyre mendor dhe shëndetin në tërësi.

Ka kaq shumë teori se pse njerëzit vijojnë të punojnë për drejtuesit e këqij, duke nisur nga Sindroma e Stokholmit tek besnikëria e kompanisë. Ndonjëherë është një sindromë “e rehatshme”, ku përpjekja për të gjetur një punë të re duket dërrmuese.

Problemi është që sa më gjatë që ju të qëndroni me një drejtues abuziv, më e vështirë bëhet për të bindur veten që të largoheni dhe aq më të mëdha bëhen pasojat në mendjen, trupin dhe familjen tuaj. Është shumë e rëndësishme që ju të kuptoni sa më parë shenjat e një drejtuesi të keq, para se të ngecni aty dhe të bëhet i vështirë largimi.
Ja disa pika kritike që ju duhet të shihni.

Përçmimi – Ndonjëherë është e rëndësishme për drejtuesit të japin një vlerësim për performancën tuaj, gjë që s’është e lehtë ta dëgjosh. Por disa prej tyre ju japin përshtypjen e fortë se ata marrin kënaqësi prej kësaj. Ata, jo vetëm ju japin një vlerësim të rëndësishëm por shijojnë veprimin e vënies së vetes në vendin tuaj (edhe më shumë nëse e bëjnë këtë në sy të të tjerëve). Ndërkohë që ju jo domosdoshmërisht doni një drejtues që nuk mund të japë vlerësime të ashpra, ju sigurisht që nuk doni të punoni me dikë që merr kënaqësi duke kritikuar dhe duke ju vënë në faj. Nëse ju ka rënë për pjesë një drejtues i tillë, për hir të shëndetit tuaj, jepni sa më shpejt dorëheqjen!

Shfryrja e nervave – Si të gjithë njerëzit, edhe drejtuesit kanë ditët e tyre të këqija. Presioni mund të bëjë që drejtuesi të humbasë durimin e tij, por kjo nuk duhet të ndodhë shpesh. Nëse shefi juaj ju shfryn nervat sa herë që diçka nuk shkon ashtu siç dëshiron ai, ka ardhur koha të shihni për një punë tjetër. Drejtuesit e këqij i bëjnë njerëzit më të ndrojtur dhe të kujdesshëm. Njerëzit ndalin së foluri dhe të shfaqin idetë e tyre kreative pasi kanë frikë se “do të marrin ndonjë shuplakë’. Nëse dëgjon shefin tuaj të ulërasë në korridor në vend që të mendoni se “çfarë po ndodh në botë?” – ju po mendoni: “Ja, filloi prapë…”, është momenti që të shikoni përpara.

Pritshmëri të paarsyeshme – Disa drejtues i shohin punonjësit e tyre në të njëjtën mënyrë që mësuesit i shohin fëmijët e vegjël – sikur të mos kenë identitet jashtë punës së tyre. Ata nuk mund të mendojnë rreth rëndësisë së detyrimeve familjare, hobive apo çdo gjë tjetër jashtë zyrës së tyre që nuk u shërben atyre. Këta janë drejtuesit që presin nga ju të punoni në orë të paarsyeshme që t’u shërbejë sado pak qëllimit të tyre. Nëse ju ndieni se po zhgënjeni drejtuesin tuaj sa herë që largoheni nga puna – duhet të kuptoni se jeni duke punuar në një ambient të pashëndetshëm.

Dështimi i dhënies së shembullit – Bëj siç them unë, mos bëj si bëj unë – kjo është një nga gjërat që tërbon punonjësit. Është e vështirë të ndiheni i frymëzuar dhe ta merrni seriozisht punën tuaj kur personi që vendos standardet tuaja nuk i përmbush vetë ato pritshmëri. Nëse drejtuesi juaj është hipokrit, ka ardhur koha të largoheni.

… si përfundim

Të kesh një shef të keq është më shumë se irrituese – kjo mund të shkaktojë probleme të mëdha në shëndetin mendor dhe fizik. Nëse ju ka rënë për pjesë një drejtues i keq mos i thoni vetes që të qëndroni e të bëni sikur gjithçka është në rregull. Ka ardhur momenti që ju të largoheni!

 

*Dr Travis Bradberry, bashkautor i EMOTIONAL INTELLIGENCE 2.0 dhe President i TalentSmart.
Burimi: World Economic Forum

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz