Propozimi i marrëveshjes së tregtisë së Britanisë nuk është miratuar në Bruksel, duke qenë se është konsideruar si e tepërt
Nëse Theresa May kishte shpresuar se BE-ja do t’i përgjigjej pozitivisht tonit pajtues që ajo kishte gjatë fjalimit të saj të fundit, ku përshkruante marrëdhënien e ardhshme të tregtisë së dëshiruar nga britanikët, do të duhej që të kalonin vetëm pak ditë dhe ajo të merrte zhgënjimin e radhës.
Dhe pikërisht, pesë ditë pas deklaratës së znj. May, Donald Tusk, Presidenti i Këshillit Europian, nxori një projektligj për negociatat e ardhshme tregtare që kundërshtonin me vendosmëri propozimin e saj kryesor, shkruan The Economist.
Znj. May kishte parashtruar idenë e “divergjencës së menaxhuar” nga rregullat e BE-së, në këmbim të aksesit sektor më sektor në tregun e saj të vetëm dhe agjencive rregullatore të BE-së, si ato për ilaçe, kimikate dhe linjat ajrore. Projektligjet e hedhin poshtë një zgjedhje të tillë, sepse do të rrezikonte shumë tregun e vetëm. Z. Tusk tha më tej se, duke qenë se znj. May po e gjen veten në një situatë të vështirë, si pasojë e largimit nga tregu i vetëm dhe bashkimi doganor, e vetmja mënyrë për të ndalur lëvizjen e lirë të njerëzve dhe për të shpëtuar nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, ishte arritja e një marrëveshjeje të lirë tregtare, e ngjashme me atë të Kanadasë.
Ai sugjeroi se ajo duhet të jetë ambicioze dhe të përfshijë të gjitha mallrat, por të jetë më e kufizuar për sa u përket shërbimeve (duke nënkuptuar se nuk do të përfshijë ato financiare). Nuk do të ishte e mundur, argumentoi ai, që Britania të kombinonte përfitimet që gëzon Norvegjia, e cila është jashtë BE-së, por në tregun e saj të vetëm, me detyrimet e kufizuara të Kanadasë. Kjo përgjigje e ashpër ishte në kontrast me lavdërimin për fjalimin e znj. May.
Iain Duncan Smith, një mbështetës i Brexit të ashpër, pati një mbështetje të madhe në momentin kur deklaroi se “torta ishte për të ngrënë dhe qershitë mbi të për t’u marrë”.
Anna Soubry, edhe pse një pro-europiane, deklaroi me bindje të plotë besimin në vendosmërinë e Kryeministres britanike për të marrë më të mirën për vendin e saj. Megjithatë, problemi më i madh për znj. May është se ajo nuk mund të bashkojë kabinetin e saj dhe deputetët, ndërkohë që duhet të merret edhe me plotësimin e kërkesave të partnerëve të BE-së.
Por pse europianët po ndërmarrin një vijë kaq të ashpër për sa i përket tregtisë? Një nga arsyet është se, pavarësisht premtimeve të znj. May për të respektuar rregullat e BE-së mbi ndihmën shtetërore dhe konkurrencën, si dhe për të zbatuar edhe shumë rregulla të tjera të saj, liderët europianë frikësohen se një Britani pas-Brexit mund të jetë më konkurruese se vendet e BE-së, duke ulur në këtë mënyrë standardet e kësaj të fundit.
Arsyeja e dytë është doktrinore. BE-ja mendon se dhënia e aksesit të Britanisë në disa sektorë të veçantë të tregut të vetëm, e mbështetur edhe nga një njohje e ndërsjellë e standardeve, do të dëmtonte të gjithë ekosistemin e tregut, i cili duhet të merret si një i vetëm. Mujtaba Rahman nga Eurasia Group, një firmë konsulence, thotë se shqetësimi i BE-së në rast se Britania arrin të nënshkruajë një marrëveshje për disa sektorë të veçantë, është se edhe shtetet e tjera (ndoshta duke përfshirë edhe disa nga anëtarët aktualë të BE-së) mund të kërkojnë të njëjtën gjë.
Një arsye tjetër është problemi i pazgjidhur i kufirit midis Irlandës së Veriut dhe Republikës
Irlandeze. Gjatë fjalimit të saj, znj. May propozoi edhe një mënyrë për të shmangur vendosjen e një kufiri të ashpër. Por BE-ja mendon se fjalimi i saj i paqartë, për një marrëveshje doganore dhe për zgjidhje teknologjike, nuk do ta arrinte një gjë të tillë, prandaj ajo ka propozuar mbajtjen e Irlandës së Veriut në një bashkim rregullator dhe doganor.
Sugjerimi i Kryeministres për t’u marrë si model kufiri midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara nuk u prit mirë, pasi kjo do të nënkuptonte pikërisht infrastrukturën fizike dhe kontrollet që të gjitha palët premtojnë t’i shmangin.
Zyrtarët britanikë mendojnë se, duke ngulur këmbë pak më shumë për realizimin e një marrëveshje sipas modelit kanadez, BE-ja do të tregohej edhe më e ashpër.
Por mbi të gjitha, tregu i vetëm është një strukturë ligjore dhe nuk është aspak për t’u habitur fakti se projektligjet e z. Tusk do të jenë armiqësore ndaj koncepteve të divergjencave rregullatore dhe njohjes reciproke me vendet që nuk janë anëtare të BE-së.
Disa prej avokatëve europianë theksojnë se anëtarësimi i plotë ose edhe i asociuar i shumicës së agjencive rregullatore të tregut të vetëm është i pamundur për vendet që nuk janë as në BE dhe as në Shoqatën Europiane të Tregtisë së Lirë.
Megjithatë, argumenti britanik për t’u trajtuar si një rast i veçantë duhet marrë disi në konsideratë. Znj. May vuri në dukje se të gjitha marrëveshjet e tregtisë së lirë janë specifike dhe të gjitha kanë veçoritë e tyre.
Ajo që BE-ja është duke i ofruar Britanisë mund të jetë një kombinim ndërmjet përfitimeve tregtare të Kanadasë me shumë nga detyrimet e Norvegjisë, siç janë kufizimet për ndihmën shtetërore dhe rregullat e konkurrencës.
Dhe, referuar fjalimit të kancelarit Philip Hammond, menjëherë pasi z. Tusk publikoi projektligjet e tij, të dyja palët do të përfitonin nga tregtia reciproke në shërbimet financiare. Ai madje la të kuptohej se Britania do të refuzonte çdo marrëveshje tregtare që nuk do t’i përfshinte ato.
Shpresa më e madhe për Theresa May është që 27 anëtarët e tjerë të BE-së të mos qëndrojnë të bashkuar.
Janë të shumta shtetet që shqetësohen në lidhje me humbjen e aksesit në tregun e madh britanik. David Davis, sekretari i Brexit, ka vizituar disa kryeqytete kombëtare për të shfrytëzuar sa më shumë këtë frikë të tyren në dobi të Britanisë.
Megjithatë, ashtu siç tha edhe javën e kaluar Stefaan de Rynck, një negociator i BE-së, uniteti ka qenë çuditërisht i fortë.
Z. de Rynck tha më tej se, edhe vendet që eksportojnë shumë në Britani, besojnë se ruajtja e tregut të përbashkët është më e rëndësishme. Projektligjet e z. Tusk pritet të miratohen në një samit të BE-së më 22-23 mars, ndërkohë që kanë mbetur vetëm gjashtë muaj nga nënshkrimi i një marrëveshjeje tregtare.
Edhe nëse znj. May vendos të rishikojë kërkesat e saj, gjë e cila sipas BE-së do të japë si rezultat një marrëveshje më bujare, ajo gjithsesi nuk ka gjasa të jetë më e mirë se ajo e Kanadasë. Dhe në rast se ajo vendos vërtet t’i hartojë ato sërish, kjo gjë mund të krijonte pakënaqësi dhe të shkatërronte konsensusin e brishtë brenda partisë së saj. Nuk është çudi që ajo nuk arriti t’i japë përgjigje pyetjes së një gazetari gjerman, në lidhje me faktin nëse znj. May mendonte se Brexit ishte ende i vlefshëm.