Aarhus është një qendër e rëndësishme në Danimarkë, porti i parë i vendit dhe qyteti i dytë më i populluar.
Kryeqyteti Europian i Kulturës në vitin 2017 së bashku me qytetin grek Pafo është sot destinacioni kryesor i verës në Danimarkë. Arsyeja? Një pishinë e mrekullueshme.
E projektuar nga studio BIG e cila drejtohet nga Bjarke Ingels, Havnebadet është një platformë e mrekullueshme në Portin e Aarhus, një projekt për komunitetin, me kapacitet deri në 650 persona. Kjo është edhe struktura marine më e madhe në llojin e saj, edhe më e madhe krahasuar me “motrën” e saj në Kopenhagën, e ndërtuar në vitin 2009 – edhe kjo e projektuar nga e njëjta studio.
Havnebadet është një kompleks gjigant, me një pishinë për fëmijë, një për zhytje dhe një pishinë për zhvillimin e Olimpiadave 50 metra dhe dy sauna. Ajo rrethohet nga një strukturë prej druri. Dhe nëse e shihni nga lart, ai trekëndësh që zgjatet në det, pamja është e spektakolare.
Havnebadet është pjesë e një projekti arkitekturor, i destinuar për të revolucionarizuar qytetin danez. Pranë saj dhe prej pak kohësh është përuruar biblioteka publike Dokkl dhe së shpejti do të hapen një teatër, hotel, restorante, plazhe dhe fusha për të luajtur volejboll. Ndër të tjera, Aarhus është qyteti me moshë më të re në Danimarkë, me 18% studentë dhe sipas një studimi – edhe qyteti më i lumtur në vend.
Që prej ndërtimit të pishinës, Aarhus ishte një ndër qytetet më të preferuara të vendit për një fundjavë. Sot është mbi të gjitha për muzetë dhe për nismat kulturore. Në Aarhus ndodhet muzeu i artit bashkëkohor ARos, në të cilin janë të ekspozuar veprat e artistëve më avangardë të botës, i cili dominohet nga Your Rainbow Panorama, instalim i Olafur Eliasson.
Më pas është Moesgård Museum, muzeu etnografik me objekte të kohës së Vikingëve dhe mumia e njeriut nga Grauballe (aktualisht mumia më mirë e ruajtur në botë).
Por ajo çka e tregon më mirë shpirtin e qytetit është Dokk1, biblioteka në shërbim të qytetarëve. Për ndërtimin e saj janë përdorur materiale të ricikluara dhe produkte natyrore dhe realizimi i saj përmbush standardet Class 2015 të ndërtesave me ndikim të vogël në mjedis.
Panelet diellore në çati dhe sistemi i ripërdorimit të ujit të detit shoqërohen me strukturën e veçantë të ndërtesës. Kjo është një ndërtesë e jashtëzakonshme, që shënon një fitore tjetër në aftësinë e danezëve për të mbrojtur mjedisin.