Flet Ermal Telha, sekretar i çështjeve Ekonomike në Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU)
Cili është modeli i taksimit që mbështet PDIU?
PDIU është pozicionuar qartësisht në mbështetje të iniciativave private dhe kundër sjelljes etatiste kundrejt biznesit. Biznesi është furnitori kryesor i buxhetit të shtetit dhe duhet trajtuar gjithnjë si partner.Duke qenë në kushtet që taksat e biznesit dhe të qytetarëve nuk janë adresuar në përfitime më të mëdha për ta në formën e shërbimeve publike, gjykoj që më shumë kapital i mbetur në duart e tyre për shkak të lehtësimit të barrës së taksave, do të prodhojë më shumë zhvillim për ta. Biznesi ka dëshmuar që është menaxhues më i mirë i kapitaleve sesa shteti dhe k element duhet të shërbejë si mësim i mirë për qasjen e qeverisë ndaj sipërmarrjes.
Cilët janë sektorët që ju konsideroni prioritarë?
Pa diskutim bujqësia dhe turizmi, si dhe tregu i përbashkët mbarëshqiptar. Organizimi i bujqësisë në formën e unioneve të sipërmarrësve do të krijojë mundësi për projekte afatgjata pasi bashkimi i fuqive sjell potencë më të madhe ekonomike dhe profesionale. Ndërtimi i një strategjie kombëtare të mirë studiuar në fushën e bujqësisë do na vendosë në pozita të favorshme pasi ne kemi toka shumë pjellore, të vendosura në zona piktoreske që mund të shfrytëzohen për ngritjen e agro-turizmit, por edhe për zhvillimin e industrisë së konservimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore, në mënyrë që frytet e punës të ndihen gjatë gjithë vitit dhe humbjet të minimizohen.
Ndërtimi i aksit rrugor Velipojë – Sarandë do të sjellë pa diskutim shtim të kërkesave turistike, por jo vetëm kaq, infrastruktura e mirë rrugore, detare dhe hekurudhore do na kthejë në lider ballkanik të industrisë së tranzitit dhe urën lidhëse kryesore mes Europës dhe Ballkanit.
Bujqësia dhe turizmi për ne duhet të jenë fokusi kryesor i ekonomisë në legjislaturën e ardhshme por edhe me gjatë, pasi burimet janë ende të pashfrytëzuara sa duhet dhe si duhet. Kjo qasje proshqiptare do të sjellë jo më pak se 100,000 vende të reja pune në 4 vitet që vijnë.
Si parashikoni që të zgjidhet handikapi i peshës së lartë të të vetëpunësuarve në ekonominë vendase?
Biznesi i vogël është punëdhënës shumë i konsiderueshëm për familjet shqiptare dhe si i tillë duhet të shihet me syrin dashamirës nga autoritetet qeverisëse. Nxitja e artizanatit nëpërmjet financimit të ideve të biznesit familjar është një mundësi e mirë për zonat ma karakter turistik kulturor si Kruja, Korça, Gjirokastra apo zonat e tjera të Shqipërisë që janë të njohura për veçantitë historike. Shërbimet turistike në formën e bujtinave familjare gjithashtu shtojnë vlerën identitare të zonave të caktuara turistike që për fatin tonë të mirë, i kemi jo të pakta.
Për sa i përket aktiviteteve madhore si qendra tregtare apo supermarkete të mëdha, numri në rritje i të punësuarve në këto njësi, do të amortizojë rënien e numrit të të vetëpunësuarve në njësitë e vogla tregtare dhe do të sjellë një riorganizim të sektorëve. Ajo që duhet bërë, është garantimi i kushteve gjithnjë e më të mira të punës dhe pagave për qytetarët në mënyrë që hendeku financiar të zvogëlohet.
Si mund të zgjidhet problemi i pronave?
Këtu duhet të ndalem pak pasi çështja e pronave është shumë e ndjeshme dhe e rëndësishme për ne. Ne jemi i vetmi subjekt politik që sugjerojmë një zgjidhje konkrete për këtë situatë që i ka torturuar shqiptarët 27 vite. Ne propozojmë që të grupohen në një autoritet të vetëm të gjitha institucionet që merren me trajtimin e pronës. Konkretisht, ndërtimi i Autoritetit Kombëtar të Pronave do të njehsojë ALUIZNIN, Hipotekën, Komisionin e kthimit dhe kompesimit të pronave etj., duke shmangur përfundimisht kalvarin e gjatë dhe jo të këndshëm që qytetarët janë detyruar të heqin në kurriz. Këtu do të hapet edhe rruga për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe pa barriera të tepërta të territorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.