Jack Ma, si Steve Jobs: kur vizionari i lë vendin menaxherit

11/09/2018 6:24 PM 0 komente

I pari është 54 vjeç, është kinez dhe ka revolucionarizuar mënyrën e të blerit në vendin e tij.

Ai ka vendosur të bëjë një ndryshim në jetën e tij dhe të lërë kompaninë Alibaba – një kolos në ecommerce që, sipas Bloomberg Billionaires Index, vlen 400 miliardë dollarë – për t’iu përkushtuar filantropisë.

I dyti ishte 56 vjeç, amerikan, i cili ende sot konsiderohet vizionar në botën e teknologjisë. Jobs bëri revolucion në shumë sektorë: për të përmendur disa, e bëri kompjuterin një pajisje që mund të përdoret në shtëpi, nga të gjithë, dhe solli muzikën në xhepat tanë, me iPod.

Ai e ndryshoi jetën e të gjithëve ne duke përuruar epokën e smartphone me iPhone. Edhe ai e la kompaninë e tij, Apple, në kulmin e suksesit në 2011. Jo me vullnetin e tij po për shkak të sëmundjes që i mori jetën pak javë më vonë. Jack Ma dhe Steve Jobs kanë shumë gjëra të përbashkëta.

Njerëz karizmatikë, gjithë ide, dinamikë, që jo vetëm krijojnë një kompani, e aftë të parashikojë drejtimin e rivalëve, por bëhen fytyra e tyre, janë mishërimi i markës së tyre. Të dy, pas dorëheqjes, njëri me vullnetin të tij, tjetri për shkak të nevojës, ua kanë lënë vendin njerëzve shumë të ndryshëm nga ata. Më pak të mësuar për të qenë në qendër të vëmendjes, por sigurisht më praktik. Menaxher me profesion, të cilët do të drejtojnë perandorinë e krijuar prej tyre.

Pas vizionarit, vjen menaxheri

Ishte 24 gushti i vitit 2011, pak më shumë se një muaj nga vdekja e tij, kur Steve Jobs dha dorëheqjen si CEO i Apple dhe i lë vendin Tim Cook, që e kishte zëvendësuar për disa muaj gjatë periudhës së sëmundjes. Zgjodhi drejtuesin që kishte implementuar, përsosur dhe ripërtërirë zinxhirin e prodhimit të pajisjeve. Cook fitoi besimin e themeluesit gjatë shumë vitesh angazhimi – i matur dhe i qetë, por me shpirtin impulsiv dhe të paparashikueshëm.

Të njëjtin arsyetim duhet të ketë bërë edhe Jack Ma kur tregoi si pasardhësin e tij Daniel Zhang, më pak karizmatik, por i besueshëm në menaxhimin e përditshëm të një gjiganti teknologjik si Alibaba. Për momentin Zhang – i cili përshkruhet si “një mendje analitike që ka për zemër misionin tonë dhe përqafon përgjegjësitë me pasion”, tashmë është CEO i kompanisë, të cilin Jack Ma ia besoi në vitin 2013. Brenda një viti ai do të bëhet edhe president i Alibaba, ndërsa themeluesi do të qëndrojë në bordin drejtues deri në vitin 2020. Ndërkohë që përgatit kompaninë drejt tranzicionit, nis një kapitull i ri në jetën e tij. Për të cilin është frymëzuar nga guruja i madh i teknologjisë, Bill Gates.

Jeta e re e Jack Ma

Përveçse deklaroi dorëheqjen e tij, ai tha edhe se çfarë dëshiron të bëjë në javët e ardhshme. Megjithatë, Ma tha se ai do ta monitorojë gjithnjë krijesën e tij: “Alibaba nuk i ka përkitur kurrë Jack Ma – por Jack Ma do t’i përkasë gjithnjë Alibaba”.

Dëshira e tij tashmë është që të merret me filantropi, ashtu siç ka bërë Bill Gates, i cili e ka mbajtur pozicionin si president i Microsoft, por po i investon energjitë e tij në rritjen e Gates Foundation. Ende nuk dihet se si Ma do të veprojë në këtë fushë. Ndoshta do të jetë në fushën e arsimit, të cilin e njeh mirë, duke qenë se para se të krijonte Alibaba ka qenë një mësues i anglishtes. “Kam ende shumë ëndrra për të realizuar. Ata që më njohin e dinë se nuk më pëlqen të qëndroj ulur dhe të mos bëj asgjë”.

Krijimi i një perandorie

Alibaba lindi në apartamentin e Jack Ma, në zonën lindore të qytetit kinez Hangzhou (selia është ende këtu), në vitin 1999. Dorëheqja e themeluesit të tij vjen pak para se kompania të fikë 20 qirinj, një kompani që sot përfaqëson një kolos të rilindjes së ekonomisë kineze. Brandi i saj është e lidhur ngushtë me fytyrën e Jack Ma, i cili vitet e fundit është angazhuar që të luajë rolin e ambasadorit botëror. E nisur si një platformë ecommerce, Alibaba është shndërruar në një markë e cila ka prekur (revolucionarizuar) sektorë të ndryshëm.

Burimi: Corriere della Sera

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz