JAGUAR E-PACE

16/04/2018 12:13 PM 0 komente

I rehatshëm, i thjeshtë, i këndshëm në drejtim, i pasur në personalitet: Suv-i i ri britanik, padyshim nuk kalon pa u vënë re

 

Në vitet e fundit është folur shumë se si duhet apo nuk duhet të jetë një Jaguar, ndoshta duke anashkaluar faktin se ky debat përfundimisht ka pak kuptim. Nuk është edhe aq forma që bën dallimin, por cilësitë e brendshme që një Jaguar duhet t’i ketë patjetër, të cilat janë ato të njëjtat: eleganca, hijeshia, përsosmëria teknike. E-Pace nuk bën përjashtim. Kontakti i parë viziv është i rëndësishëm: Suv-i i vogël britanik është i ulur mirë në rrotat 20 inç, të sistemuara më së miri në katër anët e makinës.

Hapi relativisht i gjatë dhe daljet më të shkurtra, i japin më shumë dinamizëm. Një gjë e tillë theksohet edhe nga dy parafangot e mëdha të pasme, të cilat duket se me zor mbulojnë gomat. Me pak fjalë, një linjë më shumë si coupé se sa si Suv. Fakti se tek Ian Callum, drejtori i dizajnit Jaguar, ka ndikuar sportivja F-Type më shumë se ajo F-Pace, kuptohet menjëherë kur hap derën dhe ulesh në timon. Në vend të rrotës së marshit, të pranishme tek motra e madhe, këtu kemi një levë të vogël si tek coupé dhe panel qendror të lartë me dorezë të madhe, që ndan qartë vendet (dhe rolet) e atyre që janë ulur përpara. I dukshëm mjaft mirë pas timonit të vogël dhe pothuajse vertikal, është një ekran 12,3 inç (i konfigurueshëm plotësisht), i cili informon drejtuesin për gjithçka që nevojitet.

Zakonisht, luan rolin e takimetrit dhe xhiromatësit, të cilët kur zgjidhet modaliteti Dynamic, ngjyrosen me të kuqe (me treguesin e marshit në qendër), por mund të tregojë në ekran të plotë, edhe hartën e navigatorit, e në këtë rast, informacionet lidhur me funksionimin e makinës, shfaqen në fundin e instrumenteve. Në qendër të kroskotit, ndodhet një ekran i dytë, me prekje, 10 inç, i cili lejon menaxhimin e sistemit multimedial dhe funksionet kryesore në kabinë. Tek paneli qendror, në anë të levës së marsheve, është përzgjedhësi që lejon zgjidhjen e konfigurimit të makinës: Ice/Snow/Rain, Eco, Comfort dhe Dynamic, ky i fundit i personalizueshëm sipas nevojave. Sistemi ndërhyn tek motori, tek kambio, tek shpërndarja e momentit përdredhës midis akseve dhe, në fund, edhe tek ndjeshmëria e sistemit drejtues.

Gjatë drejtimit, këmbët mbahen gjysmë të shtrira, ndërkohë që sedilja ka mbështetje të mirë dhe të mbështjell trupin. Pak kilometra dhe ndihesh menjëherë rehat. Trupi, shumë i ngurtë, dhuron ndjesinë e bukur të kompaktësisë, stili i përsosur Jaguar, i cili menjëherë jep një ide të saktë të vlerave të tij. Bota jashtë duket larg dhe peizazhi rrëshqet shpejt pas dritareve. Komforti ndihet i plotë. Suspensionet, sado të mbështetura, thithin parregullsitë e rrugës dhe e izolojnë kabinën me efikasitet. Në fakt, ndihet shumë pak zhurmë; në shumicën e rasteve çfarë shqetëson është zhurma e motorit turbo diesel, i cili në minimum dhe në shpejtësi të ulët, ndihet pak më tepër nga sa duhet. Motori me katër cilindra është i aftë të përballojë të gjitha situatat, edhe pse çmohet më shumë momenti përdredhës 430 Nm, që shpërndahet bujarisht në një gamë të gjerë regjimesh, sesa vetë fuqia.

Sidoqoftë, progresioni, edhe në sajë të kambios automatike me nëntë marshe, që lejon shfrytëzimin më së miri të të gjithë fuqisë në dispozicion, nuk është aspak keq. Drejtimi është i këndshëm, nganjëherë edhe zbavitës, sistemi i drejtimit dhe ai i frenimit, e bëjnë punën e tyre në mënyrë të shkëlqyer dhe ke gjithmonë ndjesinë e të pasurit gjithçka nën kontroll. Modeli E-Pace tregoi se di të ecë mirë edhe jashtë asfaltit, dhe kjo, ndoshta, nuk ishte edhe aq e pritshme.

Ka një pajisje të veçantë launch control, e cila ndihmon, duke filluar nga sipërfaqet më të rrëshqitshme dhe Aspc (All surface progress control), që në thelb është një lloj kontrolli automatik i shpejtësisë, i projektuar për makinat off-road. Me rregullimin e shpejtësisë në të cilën do të ecet (sistemi funksionon në mes 3.6 dhe 30 km/h), makina lëviz praktikisht vetë, e drejtuar nga elektronika që, përveç rregullimit të të gjitha sistemeve në kabinë, në mënyrë që të shfrytëzojë në maksimum fërkimin në dispozicion (traksion integral, traction control, Esp, etj.), gjithashtu rregullon përshpejtuesin dhe frenat. Në këtë mënyrë, drejtuesit nuk i ngel gjë tjetër, veçse të përqendrohet në rrugë.

 

D180 AWD

FIRST EDITION

Të dhëna

Motori
•L4 turbodiesel
•Cilindrata 1.999 cm3
•Fuqia maksimale 132 kW (180 kf) në 4.000 xhiro/min
•Momenti përdredhës maksimal 430 Nm në 1.750 xhiro/min

Transmisioni
•Traksion integral, torque vectoring prapa
•Kambio automatike me 9 marshe

Performanca
•0-100 km/h 9,3 s
•Konsumi mesatar 15,4 km/l

Përmasat dhe pesha
•Hapi 268 cm
•Gjatësia 440 cm
•Gjerësia 198 cm
•Lartësia 165 cm
•Pesha 1.843 kg

Çmimi
•65.250 €

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of