“Zoti është nga Brazili”, është një shprehje shumë e njohur në këtë vend, e cila u bë edhe titull i një filmi të suksesshëm, shkruan The Economist. Bukuria e Brazilit, pasuria e tij natyrore dhe muzika e bëjnë këtë vend të duket i bekuar nga Zoti.
Por këto ditë, të shumtë kanë qenë brazilianët që njësoj si aktorët në filmin e njohur, kanë pyetur nëse Zoti e ka harruar Brazilin dhe ka shkuar me pushime. Ekonomia është në gjendjen e saj më të keqe dhe politika është krejtësisht e kalbur. Krimi në rrugë po rritet gjithashtu.
Nga 20 qytetet më të dhunshme në botë, 7 janë braziliane. Edhe pse emri i dytë i Jair Bolsonaro është Messiah, pra Jair Messiah Bolsonaro, që do të thotë shpëtim, është në fakt një kërcënim që i kanoset jo vetëm Brazilit, por të gjithë Amerikës Latine. Z. Bolsonaro është i fundit në një paradë të populistëve, nga Donald Trump në Amerikë, deri te Rodrigo Duterte në Filipine dhe një koalicion i të majtëve me të djathtët i Matteo Salvinit në Itali. Në Amerikën Latine, Andrés Manuel López Obrador, që i përket krahut të majtë, do të marrë detyrën në Meksikë në muajin dhjetor. Nëse do të zgjidhjet, z. Bolsonaro do të jetë një prej zgjedhjeve më të këqija, sepse fitorja e tij nënkupton vënien në rrezik të mbijetesës së demokracisë në vendin më të madh të Amerikës Latine.
Hidhërim Brazilian
Edhe populistët kanë ankesa të ngjashme. Ekonomia e dështuar është një ndër më kryesoret. Dhe, në Brazil, dështimi ka qenë katastrofik. Në recesionin më të keq në historinë e tij, PBB-ja për frymë u tkurr në 10% në 2014-‘16 dhe nuk ka asnjë shenjë rimëkëmbjeje. Shkalla e papunësisë është 12%. Elita e korruptuar e vendit është një tjetër fatkeqësi e vendit. Hetimet në lidhje me Lava Jato-n (Operacioni Lavatriçja) kanë diskredituar të gjithë klasën politike. Një numër i madh politikanësh janë ende nën hetim.
Michel Temer, i cili u bë Presidenti i Brazilit në vitin 2016, pasi paraardhësi i tij, Dilma Rousseff, u pezullua për shkak të akuzave të shumta, iu shmang gjyqit nga Gjykata Supreme vetëm për shkak se Kongresi votoi për ta shpëtuar atë. Luiz Inácio Lula da Silva, një tjetër ish-president, u burgos për korrupsion dhe u skualifikua nga kandidimi në zgjedhje. Për një pjesë të madhe të brazilianëve, fjalët që e përshkruajnë më mirë vendin janë: “korrupsioni”, “turpi” dhe “zhgënjimi”. Kandidatura e z. Bolsonaro nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka rritur zemërimin e tyre. Deri në momentin e shpërthimit të skandalit Lava Jato (Operacioni Lavatriçja) ai ka qenë një kongresmen i thjeshtë, me një mandat shtatëvjeçar në Rio de Janeiro. Por historia e tij në politikë nuk është për t’u marrë shembull, përkundrazi, ajo ka qenë një prej më fyeseve.
Deklaratat e tij kanë qenë të paimagjinueshme për shumë, duke thënë se do të parapëlqente që më mirë të kishte një djalë të vdekur sesa një djalë me prirje homoseksuale dhe se të gjithë njerëzit që jetonin në vendbanime të themeluara nga skllevërit janë dembelë dhe të trashë. Te brazilianët e dëshpëruar për t’u çliruar nga politikanët e korruptuar dhe shpërndarësit vrasës të drogës, z. Bolsonaro e paraqet veten si një i krishterë ungjillor, që ndërthur konservatorizmin social me liberalizmin ekonomik. Këshilltari i tij kryesor ekonomik është Paulo Guedes, i cili ishte arsimuar në Universitetin e Çikagos, një bastion i ideve të tregut të lirë. Ai favorizon privatizimin e të gjitha kompanive shtetërore të Brazilit dhe thjeshtimin e taksave “të larta”.
Z. Bolsonaro ka propozuar se do të zvogëlojë numrin e Ministrive nga 29 në 15 dhe se do të vendosë gjeneralë në drejtimin e disa prej tyre. Formula që ai po përdor është duke fituar mbështetje në popull dhe sipas disa sondazheve paraprake, ai ka dalë fitues me 28% të votave. Këtë muaj, gjatë zhvillimit të një tubimi, ai u plagos me thikë në stomak, dhe u detyrua të shkojë menjëherë në spital. Por incidenti e bëri atë edhe më të famshëm, duke i dhënë një avantazh dhe duke e mbrojtur nga përballja si me mediat ashtu edhe me kundërshtarët.
Nëse ai do të përballet me Fernando Haddad, kandidatin e krahut të majtë të Partisë së Punës të Lulas (PT) në raundin e dytë në fund të këtij muaji, shumë prej votuese të klasës së mesme dhe të lartë që fajësojnë Lulën dhe partinë e tij për problemet e Brazilit, do të kalojnë padyshim në anën e z. Bolsonaro.
Tundimi Pinoçet
Por votuesit nuk duhet kurrsesi të mashtrohen. Përveç pikëpamjeve të tij sociale joliberale, z. Bolsonaro e admiron në mënyrë shqetësuese diktaturën. Në momentin që ish-presidentja Rousseff u akuzua, z. Bolsonaro ishte dakord që ajo t’i dorëzohej një njësie përgjegjëse për 500 raste torture dhe 40 vrasjesh nën regjimin ushtarak, që ka drejtuar Brazilin nga viti 1964 deri në vitin 1985. Një ndër format që z. Bolsonaro do të përdorë për të luftuar krimin është të vrasë sa më shumë kriminelë, edhe pse kjo taktikë është ndjekur edhe në vitin 2016 kur policia vrau mbi 4,000 vetë.
Amerika Latine e ka eksperimentuar edhe më parë ndërthurjen e politikës autoritare dhe ekonomisë liberale. Augusto Pinochet, një prej sunduesve më të ashpër të Kilit midis viteve 1973 dhe 1990, u këshillua nga tregtarët e lirë të “Chicago boys”. Ishin pikërisht ata që ndihmuan në vendosjen e themeleve për prosperitetin relativ të sotëm të Kilit, por kundrejt një kostoje të tmerrshme njerëzore dhe sociale.
Brazilianët kanë një koncept fatalist rreth korrupsionit, të përmbledhur në shprehjen “rouba, mas faz” (vidh, por ama mos rri pa vepruar). Prandaj votuesit brazilianë duhet të tregohen të kujdesshëm në votimin e zgjedhjeve muajin e ardhshëm, sepse teoria fataliste e z. Bolsonaro mund të jetë “edhe pse ata përdorën tortura të ndryshme, ata vepruan”.
Amerika Latine i ka njohur të gjitha llojet e “të fortëve”, shumica e të cilëve kanë qenë të tmerrshëm dhe këtu mund të përmendim shembullin e Venezuelës dhe Nikaraguas. Z. Bolsonaro mund të mos jetë në gjendje të konvertojë populizmin e tij në diktaturën e stilit Pinoçet, edhe nëse ai do ta dëshironte këtë gjë. Por fatkeqësisht demokracia e Brazilit është ende shumë e re. Edhe ndërthurja me autoritarizmin është shqetësuese. Të gjithë kandidatëve për president, do t’u duhet një koalicion në Kongres për të miratuar legjislacionin.
Z. Bolsonaro ka avantazh edhe në këtë drejtim, sepse ka disa miq politikanë. Në vend që të bien pre e premtimeve të kota të një politikani të rrezikshëm, me shpresën se ai do të mund të zgjidhë të gjitha problemet e tyre, brazilianët duhet të kuptojnë se “shërimi i demokracisë së tyre dhe reformimi i ekonomisë” nuk do të jetë një proces as i shpejtë dhe as i lehtë. Edhe pse ka pasur disa përparime, si ndalimi i donacioneve të korporatave për partitë dhe ngrirja e shpenzimeve federale, nevojiten reforma të tjera. Z. Bolsonaro nuk është njeriu që mund t’i sigurojë ato.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.