Ligji i ri “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë’ nuk takson biznesin, por u ofron sipërmarrjeve shërbime, të cilat e ndihmojnë atë të orientohet në treg dhe të bëhet i konkurrueshëm. Kështu deklaroi në një konferencë për shtyp kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka.
Sipas tij, ky ligj nuk e cenon aspak lirinë e biznesit, por përmes anëtarësimit të detyrueshëm do të mundësohet ofrimi i një sërë shërbimeve. Sipërmarrjet, që ligji ua njeh si detyrim, nuk do të kenë penalitete nëse nuk do të paguajnë kuotën ose nëse nuk do të anëtarësohen, por ato s’do të mund të përfitojnë shërbimet që ofron Qendra Kombëtare e Biznesit. Me ligjin e ri të dhomave, shërbimet e QKB-së do të mund të ofrohen edhe brenda këtij organizmi falas, pa detyrime shtesë.
Heqja e anëtarësimit të detyrueshëm, sipas Jakës, erdhi si një kërkesë e qeverisë së atëhershme për të përmirësuar treguesit e të bërit biznes në Raportin e Bankës Botërore, me qëllim që të ulen kostot.
Por, sot, tha Jaka, ku Dhoma e Tregtisë e Industrisë e Tiranës ka fituar të drejtën për të qenë anëtare me të drejta të plota në Eurochamber, ky detyrim pranohet si i tillë për t’i shërbyer më mirë biznesit.
Në lidhje me tarifat, z. Jaka tha se ato janë simbolike dhe se do të kthehen në formën e shërbimeve.
Si një risi, ai përmendi krijimin e sportelit të eksportit, i cili do të orientojë qartë biznesin duke u bazuar edhe te statistikat dhe analizat e tregut që do të gjenerohen.
Në anën tjetër do të krijohet qendra për ndërmjetësim dhe arbitrazh që do të asistojë dhe informojë bizneset për rastet me të cilat mund të përballen.
Edhe gratë sipërmarrëse do të mund të kenë një fond të dedikuar, i cili do të shërbejë për t’i ndihmuar ato për të qenë më konkurruese.
Sa i përket axhendës së integrimit, Dhoma, sipas Jakës do të kontribuojë duke ofruar asistencë gjatë procesit të diskutimit të kapitujve të negociatave që do të kenë të bëjnë me hapjen e tregut, për të parandaluar problemet qe u vunë re kur vendi u bë pjesë e CEFTA-s dhe e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë.
Jaka iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve në lidhje me letrën që 18 shoqata biznesi i kanë dërguar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për të mos e drekretuar atë duke qenë se shkelet hapur, sipas tyre liria e zgjedhjes, duke u shprehur se është vënë në dijeni në lidhje me akuzat, por duhet kuptuar në thelb se çfarë përfaqëson ky ligj, ndërsa shifrat i quajti spekulative.
Sipas z. Jaka, dhomat operojnë në bazë të tre ligjeve; kontinental, anglosankson dhe miks.
Sipas tij, është ndjekur modeli që sanksionon ligji Kontinetal i vitit 1994.
Gjatë konferencës, z. Jaka sqaroi se Dhoma do të operojë në një model të ri.
Modeli i ri i sistemit të dhomave të tregtisë
1. Axhenda e ristrukturimit të sistemit kombëtar të Dhomave të Tregtisë
– aktivizimi i të gjitha dhomave në qarqe
– hapja e sporteleve ‘one stop shop’, info dhe trajnim falas për certifikatën e sipërmarrësit
– unifikimi dhe standardizimi i shërbimeve dhe proceseve të brendshme në cdo dhomë
– më shumë forume biznesi, konferenca, seminare, b2b, trajnime, ekspozita, panaire
– krijimi i sportelit të eksporteve
– analiza, statistika dhe publikime
– krijimi i qendrës së ndërmjetësimit dhe arbitrazhit
– nxitja dhe mbështetja e sipërmarrjes së gruas dhe të rinjve
2. Axhenda dixhitale
– portali e-biznes
– komunikimi elektronik me sipërmarrjen nëpërmjet aplikacionit web dhe mobile
– shërbimet online
– nxitja e inovacionit dhe startup inovative
3. Agenda e integrimit europian
– pjesëmarrje aktive nëKëshillin Kombëtar të Integrimit
– aktivitete në kuader të Parlamentit Europian të sipërmarrjes
– pjesëmarrje aktive në grupin negociator me BE
– tryeza teknike sektoriale në lidhje me sfidat e biznesit shqiptar në tregun e BE
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky Jaka dhe shoket e tij,sugjerojne dhe keshillojne drejt biznesin….legalizimin e droges dhe lagalizimin e prostitucionit…!!??