Kreditimi për bizneset ka shënuar tkurrje të vazhdueshme gjatë tetë muajve të këtij viti, duke rënë me 10 miliardë lekë (stoku i huasë), apo 2.5% në fund të gushtit, në raport me dhjetorin 2012, për të arritur në 391 miliardë lekë.
Ndërkohë, statistikat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë hedhin dritë se cilët janë ato sektorë të biznesit, që janë përballur me një frenim të huasë, apo ku ritmi i kthimit apo fshirjes së kredisë është më i lartë se financimet e reja.
Për periudhën janar-shkurt, sektori që ka vuajtur më shumë tkurrjen e huasë është ai i ndërtimit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në vlerë absolute, huaja për ndërtimin ka rënë me 8 miliardë lekë, apo 14% në rreth 54 miliardë lekë.
Edhe tregtia, që zë peshën më të madhe të stokut të kredisë së bankave (34% të tij) ka parë një tkurrje me rreth 4.1 miliardë lekë, apo 3% në rreth 138 miliardë lekë.
Sektori tjetër që ka vuajtur më shumë rënie për tetë mujorin është ai i pasurive të paluajtshme, stoku për të cilën pothuajse është përgjysmuar në 3.2 miliardë lekë.
Rritjen më të lartë të huadhënies për tetë mujorin (në vlerë absolute) e ka shënuar energjia, që është rritur me rreth 4 miliardë lekë, por dhe këto janë kryesisht hua me garanci shtetërore.
Për muajin gusht, ndikimin kryesor në tkurrjen me bazë mujore e ka dhënë industria nxjerrëse, stoku i huasë për të cilin ra me rreth 1.1 miliardë lekë duke ndikuar në gati 90% të rënies.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.