Numri i udhëtarëve që kanë preferuar të udhëtojnë me tragete nga Porti i Durrësit, gjatë periudhës janar- korrik 2014-të u llogarit në 325,505 persona. Referuar statistikave zyrtare, kjo shifër krahasuar me të njëjtën periudhë të një vit më parë ka pësuar rritje me 7,093 pasagjerë. Por, nuk ka qenë e njëjtë kjo tendencë për sa i përket automjeteve. Sipas të dhënave të Autoritetit Portual në Durrës, numri i veturave, kamionëve dhe trajlerëve të përpunuar gjatë 7- mujorit 2014 ishte 96,986 mjete. Një shifër që rezulton me rënie me 6,396 mjete krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa sa i përket udhëtarëve të hyrë në rrugë tokësore, përmes pikave të kalimit kufitar, Policia e Shtetit deklaroi se ka pasur rritje të numrit të shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri nga data 1 – 15 gusht.
Hyrjet më të mëdha janë vënë re në pikat kufitare tradicionale, Kakavijë, Kapshticë dhe nga Porti i Durrësit si dhe Morina ku është vënë re një rritje e shqiptarëve të Kosovës që hyjnë në Shqipëri për pushime.
Gjatë muajit korrik, sipas të dhënave pati një rritje me 70.000 shtetas më shumë që hynë në territorin shqiptar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.