Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, duke raportuar për rezultatet financiare të tremujorit të parë, ka bërë të ditur se plani i arkëtimeve të tremujorit të parë 2016 u tejkalua me 900 milionë lekë, gjithsej u grumbulluan 16.2 miliardë lekë. Humbjet shënuan 31.4% nga 33.9 për qind që ishin në tremujorin e parë të vitit 2015. Vlera e energjisë së humbur në janar prill ishte në 25.7 milionë euro nga 38 milionë euro që ishte në vitin 2015.
Administratori i i OSHEE, Adrian Cela tha se Sipas të dhënave, rezulton se për herë të parë që nga viti 2007 ka një tendencë rënëse të konsumit të energjisë elektrike, ndërsa ai për vitin 2015 është më i ulëti në 5 vitet e fundit.
Sipas tij, kjo dëshmon për efektin pozitiv që ka patur operacioni i ligjshmërisë duke i vënë fre abuzimit me energjinë dhe shpërdorimit të saj.
Gjithashtu, konsumatorët private zënë 37,8 % të faturimit total duke shfaqur kështu një rritje me 6.8 % krahasuar me 2014.
“Konsumi familjar është reduktuar me 8,4 %. Ky reduktim ka të bëjë pikërisht me ata konsumatorë biznesi që deri dje deklaroheshin fiktivisht si konsumatorë familjarë. Sot, konstatoj me kënaqësi se ajo mbështetje masive që qytetarët i dhanë rikthimit të normalitetit në energjetikë po përkthehet me investime për një shërbim më cilësor dhe të garantuar. Sot, kompania e ka tejkaluar fazën e rrezikshme të krizës financiare dhe po përqendrohet tek mirëmenaxhimi dhe transformimi i shërbimit ndaj konsumatorit. Në një kohë kur OSHEE po angazhohet në kryerjen e programit më të madh të investimit në sektorin e shpërndarjes, fatkeqësisht po ndeshet gjithnjë e më shumë me baltën që hedh opozita. Politika e baltosjes nga ata që e zhytën kompaninë e shpërndarjes në krizë tanimë është e njohur për gjithë shqiptarët.” tha Çela.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.