Yoshihiko Noda, Kryeministri japonez, tha se mosulja e borxhit mund të godasë brezat e ardhshëm. Kryeministri japonez u zotua për të nxitur reformat e taksave për të ulur borxhin në një sesion të ri në Parlament. Yoshihiko Noda bëri thirrje për dyfishimin e taksës së shitjeve në 10% deri në 2015-n, një lëvizje që nuk gjen përkrahje në elektorat. Thirrja e tij erdhi ndërkohë që Banka Qendrore e përkeqësoi parashikimin. Banka e Japonisë tha se priste që ekonomia të rrudhej këtë vit financiar dhe e mbajti normën e interesit në afro 0%. Banka tha se problemet e borxhit në Europë dhe jeni i fortë kanë rënduar rritjen. Tepër vonë Z. Noda tha se Japonia nuk mund të shtyjë më diskutimet për reduktimin e borxhit publik dhe bëri thirrje te partitë opozitare për të nisur bisedimet mbi reformën e taksave dhe sigurinë sociale. Ai tha se synonte të prezantonte draftet në Parlament brenda muajit mars. “Sistemi aktual, nëse nuk ndryshohet, do t´i lërë një barrë të papërballueshme brezave të ardhshëm. Ne nuk kemi kohë që të shtyjmë reformat”, iu drejtua Parlamentit z. Noda. “Nëse humb besimi në një shtet, është tepër vonë. Kjo është shumë evidente nëse ju shikoni situatën në vendet e Europës”. Z. Noda e ka vendosur debatin e gjatë për reformën e taksave si një çështje kryesore në axhendën politike. Megjithatë, zyra e kabinetit tha më parë se Japonia nuk do të arrijë të balancojë buxhetin e saj së paku deri më 2020-n, edhe nëse zbatohen taksat e propozuara. Japonia ka barrën më të madhe të borxhit publik në botë. Ndërkohë, Banka e Japonisë e ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike në 2% për këtë vit, ndërkohë që në tetor, vlerësimi për rritjen ishte 2.2%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.