Gatimet italiane janë tepër të njohura e të preferuara në Shqipëri dhe është më se e zakonshme servirja e tyre në një pjesë të madhe të restoranteve në shumë qytete të vendit.
Edicioni i parë i “Javës së Kuzhinës Italiane në Botë”, që do të mbahet në të gjitha vendet, duke përfshirë Shqipërinë nga data 21-27 nëntor, i ka fillesat nga Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar marsin e kaluar mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Pylltarisë (MIPAAF), Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit Kërkimor (MIUR) dhe synon promovimin e cilësisë së kuzhinës italiane jashtë vendit.
Gjate gjithë javës do të organizohen në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si në Durrës, Tiranë, Shkodër e Vlorë, një sërë iniciativash të dedikuara kuzhinës italiane në botë. Organizatorët do të jenë pjesë e Sistemit Italian – Ambasada italiane, Instituti Italian i Kulturës (IIC), Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri(ÇIA), Rajoni i Pulias, si dhe shoqata private.
Janë parashikuar, nën kujdesin e IIC dhe Konsullatës së Italisë në Vlorë, disa projektime të filmave dhe prezantime të librave me autorë italianë kushtuar temës së ushqimit.
Tetë restorante në Tiranë dhe Durrës, të vlerësuara me çmimin “Ospitalità Italiana” – një vlerësim i rëndësishëm i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Italian dhe Assocamerestero, dedikuar restoranteve që respektojnë në mënyrë të përpiktë standardet cilësore dhe përdorin materiale me prejardhje italiane – do të prezantojnë gjatë gjithë javës, nën kujdesin e ÇIA-s, meny rajonale italiane të ndryshme midis tyre.
Do të organizohet në Durrës një mbrëmje bamirësie në nder të Amatrice-s, qytezë e goditur nga tërmeti i fundit, në të cilën do të propozohet pjata e famshme e zonës së Lacios, e cila e ka bërë të njohur, “l’Amatriciana”.
Ambasada Italiane do të propozojë, si mbrëmje gala të së gjithë Javës, eventin “Aperitaste”, që do të mbahet më 24 nëntor pranë një lokali në Tiranë dhe do të jetë e përqendruar në konceptin e aperitivit italian.
Në shtatë muajt e parë të vitit 2016, eksporti italian i prodhimeve agro-ushqimore drejt Shqipërisë vlerësohet të jetë 71,6 milionë euro, e barabartë me 9,4% të totalit të volumit të eksportit. Ndërsa në të njëjtën periudhë importet nga Shqipëria për të njëjtën tipologji produktesh arrijnë në 31,3 mln euro, e barabartë me 6% të volumit të përgjithshëm të importeve. Gjithsej, shkëmbimi i prodhimeve agroushqimore midis Italisë dhe Shqipërisë në shtatë muajt të 2016-s është 103 mln euro, e cila korrespondon me 8% të volumit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.