Çelet sot Java e Parasë, e cila për të disatin vit në Shqipëri, pritet të sjellë aktivitete të ndryshme për brezin e ri, që kanë për qëllim t’i mësojnë ata se si të kujdesen për paratë, përfshirë kursimin dhe të ardhurat.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, theksoi misionin e Javës së Parasë, që është ndërgjegjësimi i brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht.
“Edukimi dhe përfshirja financiare, gjatë këtyre viteve, kanë zënë gjithmonë e më shumë një vend të rëndësishëm në punën tonë të përditshme, duke krijuar dhe zbatuar projekte të panumërta edukative. Ato u janë dedikuar grupmoshave të ndryshme, duke filluar nga trajnimet dhe broshurat, deri tek programet dedikuar shkollave të mesme “Financat personale në duar tuaja”, paketa mësimore për klasat fillore, si dhe aplikacionet mbi paranë. Për më tepër, vetë Muzeu i Bankës së Shqipërisë shënon kurorëzimin e përpjekjeve tona, duke ofruar një hapësirë multi-funksionale, ku vizitorët mund të mësojnë më shumë jo vetëm për historinë monetare të vendit tonë dhe institucionin e Bankës Qendrore, por dhe të thellojnë kulturën e tyre financiare. Të gjitha këto eksperienca të vyera, na kanë shërbyer që sot të jemi pjesë dinjitoze e Javës së Parasë, e cila sivjet festohet në më shumë se 135 shtete. Java 12-18 mars 2018 njihet në mbarë botën si Java e Parasë. E iniciuar nga Child and Youth Finance International, me mbështetjen e Organisation for Economic Co-operation and Development (OECD), dhe e përqafuar nga më shumë se 23.000 organizata anembanë globit, Java e Parasë është një fushatë e përvitshme ndërgjegjësimi financiar, e ndërtuar për të frymëzuar fëmijët dhe të rinjtë për të mësuar rreth çështjeve të parasë, mjeteve të jetesës dhe sipërmarrjes.”- tha Guvernatori Sejko.
Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi, theksoi se është një nismë shumë e rëndësishme dhe duhet thënë se aktiviteti financiar ka rëndësi jetike për vendin. “Ky aktivitet të ndihmon në përballimin e sfidave të jetës së përditshme dhe të dini të kuptoni sa i rëndësishëm është vendimi financiar, si në njohuri, ashtu edhe në vendimmarrje. Në këtë kuadër do të kemi veprimtari të ndryshme për të gjithë të interesuarit, si vizita në banka etj. Shoqata mbështet edhe një konkurs, në Shqipëri morën pjesë 500 nxënës.-, vijoi të tregonte në fjalën e tij të përshëndetjes z. Pedrazzi.
Pjesëmarrja e nivelit më të lartë të sistemit bankar, sipas kreut të Shoqatës së Bankave, tregon vlerësimin për këtë aktivitet.
Java e Parasë është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara. Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si shumë institucione të tjera në mbarë globin, organizojnë aktivitete të larmishme për t’i përfshirë fëmijët dhe të rinjtë, duke u mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht apo si t’i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre nëpërmjet kulturës financiare.
Java e Parasë do të përfshijë aktivitete të ndryshme nga data 12-18 mars, motoja e këtij viti e të cilit është “Paraja, ç’të mbjellësh, do të korrësh”. Konkurset për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe ato për studentët, janë pritur mirë dhe pjesëmarrja në to çdo vit sa vjen e rritet, ku këtë vit janë përfshirë rreth 55 shkolla 9-vjeçare, 14 shkolla të mesme, 8 universitete dhe mbi 1000 nxënës e studentë në 14 qytete.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.