Liri dhe vetëvendosje: vlerat që kanë bërë Amerikën të madhe. Dy elementë të njëjtë, që e bëjnë të jetë unik, një vend të humbur në natyrën e ashpër të Utah: jemi në Moab, një kryevepër gjeologjike, në të cilën shpirti i aventurës është gjithçka që duhet për të hyrë në harmoni të përsosur me ambientin. Nëse pastaj aty ka edhe një makinë Jeep, kombinimi bëhet ideal.
Atje njeriu ndihet i lirë sepse, kudo që e kalon vështrimin, ekziston një hapësirë e pakufishme në të cilën të vjen të humbasësh: për të reflektuar, eksperimentuar dhe eksploruar. Vendosmëri mbi të gjitha: nuk ka shumë rregulla kur turiri i makinës me 8 të çara futet drejt njërit prej 80 shtigjeve. Nuk po flasim për rrugë të shtruara, por për 80 botë të ndryshme, me nivele jo të njëjta dhe pengesa të shumëllojshme.
Nga anët tona nuk jemi mësuar ta jetojmë në këtë mënyrë: praktika jashtë rruge është e rregullt, hapësirat në të cilat lejohet janë të kufizuara, duke bërë të mundur ndërmarrjen e një udhëtimi të tillë pa shumë mendime, duke shkuar e duke u kthyer brenda disa orëve. Në Moab nuk ndodh kështu.
Nevojitet një ditë e tërë për çdo “trail”: duhet të nisesh i përgatitur, i furnizuar mirë e mirë me benzinë, ujë, ushqime, mjete emergjente, humor të mirë dhe vetëdije se gjithçka mund të ndodhë. Kjo, sepse, sapo të fillojë hyrja në shtigje – Hell’s Revenge, Poison Spider Mesa, Top of
the World, sa për të përmendur disa – mund të shkosh ngado, pa qenë në asnjë moment i mbuluar me rrjet, gjë që është fantastike, nëse ndihet respekti për natyrën përreth dhe forcën e saj. Një gjë e tillë e bën Moabin destinacionin ideal për mijëra tifozë Jeep në të gjithë Amerikën (dhe jo vetëm), të cilët gjatë javës së Pashkës u mblodhën atje për të 52-ën herë radhazi, në Easter Jeep Safari.
ZBRISNI NGA KREVATI
Dielli lind dhe motorët V8 fillojnë të gjëmojnë, duke dhuruar zgjimin… të ëmbël? Jo aspak, por të tillë që stimulon dëshirën për të dalë nga një nga motelet e pakta dhe për të parë se çfarë po ndodh. Drita e Moab-it është e verbuese, ngjyrat janë të gjalla, qielli është krejtësisht i pastër, me një ngjyrë që tek ne nuk ekziston, dhe kontrasti me malet dhe kanionet e kuq, jep ndjesinë e zbritjes në një planet të largët.
“Banorët” e këtij planeti kanë katër rrota (të mëdha), janë të zhveshur nga gjithçka që nuk është thelbësore, nuk gjykohen, veshin rroba me ngjyra të larmishme dhe kanë aksesorë që duken si të bëra enkas për të pushtuar botën. Këto makina, të realizuara për të dominuar vende të tilla të egra, drejtohen nga persona të qeshur, të të gjitha llojeve: nga personat “redneck” me mjekra të gjata, tek baballarë familjesh që alternojnë fundjavën në Disneyland me këtë karusel krejtësisht të ndryshëm.
Radhë të gjata me Jeep, janë rreshtuar në çdo rrugë të “qytetit”, duke pritur flamurin e ndotur me baltë, që shënon fillimin e dëfrimit më të madh të mundshëm. Kështu nisen, të rreshtuara, secila e destinuar për rrugë të ndryshme, të ndara në tre nivele: i lehtë, mesatar dhe i vështirë. Niveli i lehtë mund të përshkohet pa kokëçarje me makinën standarde 4×4, ndërsa ata të vështirët kërkojnë nivel të lartë përvoje, përgatitje të makinës si dhe shpresën për të mbërritur deri në fund pa probleme.
NGA SEDILJA NЁ SEDILJE
Ne nuk jemi këtu si spektatorë të thjeshtë: si fillim, një shijim i modelit koncept, që çdo vit Jeep-i, së bashku me Mopar-in, paraqesin me rastin; më pas, mundësia për të drejtuar modelin Cherokee të ristiluar dhe Wrangler-in e ri JL (shiko këtu më sipër). Nëse ka ndonjë gjë në këtë përvoje që të lë pa fjalë, është performanca e makinave.
Kur niset një shteg, shikohet përtej xhamit (të ulur në rastin e modelit JL), dhe është e vështirë të imagjinohet se si do të jetë i mundur kapërcimi i pengesave të tilla që do të përballohen: më pas, megjithatë, pothuajse pa e kuptuar, frika dhe skepticizmi i lënë vendin një adrenalinë të fortë, të shkaktuar nga aftësitë e këtyre makinave, të cilat, të pajisura me teknologjinë më të lartë, arrijnë të ndihmojnë dhe shoqërojnë gjatë gjithë kohës, edhe ata me më pak përvojë.
Gjatë përdorimit që mund t’i bënim në rrugët tona pak a shumë të rrahura, kurrë nuk do të kuptonim se çfarë kanë mundësi të bëjnë këto makina 4×4. Edhe fuqia dërrmuese e natyrës në Utah, duket pak më e zbutur. Ёshtë bukur të befasohesh nga ndjesia e kalimit nga ndjenja fillestare e humbjes, tek vetëdija se mund të jesh në gjendje të zotërosh mjeshtërisht gjithçka çfarë të del përpara. Pellgje, gurë, duna rëre, kodrina shkëmbore: asgjë nuk na fut dot në krizë, duke ndjekur trajektoret e duhura dhe duke i vendosur rrotat atje ku duhet.
SFIDA NЁ “HELL’S REVENGE”
Të kapur nga kjo dëshirë e zjarrtë sfide, për të parë se sa larg mund të shkojmë, marrim një Wrangler Rubicon me dy dyer (e cila do të hidhet në treg pas disa muajsh në Amerikë), në Hell’s Revenge, një nga rrugët më të famshme (dhe të vështira) të Moab-it. Iu bashkuam njërit nga grupet Easter Jeep Safari, dhe nën vështrimin mosbesues te pjesëmarrësve të tjerë, përfunduam të gjithë rrugën prej shtatë miljesh me rrjedhshmëri, duke përdorur me kompetencë marshe të ulëta, bllokun e diferencialit dhe pajisjet e kontrollit të shpejtësisë në malore dhe tatëpjetë, në situata ku shpatet vinin në rrezik ekuilibrin e makinës.
Por çfarë na dha më shumë kënaqësi ishte fakti se me një Wrangler standard, arritëm të kalojmë të njëjtat vështirësi që të tjerët, me makina Jeep të pajisur në mënyrë ekstreme, i kaluan me një lloj meraku. Duke u kthyer në bazë krenarë, në rrugët e rrethuara nga monumente unike shkëmbinjsh, grupi Supertramp me këngën “Merr rrugën e gjatë për në shtëpi”, të sugjeron pikërisht t’ja ndjekësh këshillën. Atë gjë po bëjmë edhe ne, ndërkohë që panorama na shtyn të reflektojmë mbi çfarë kemi mësuar nga kjo aventurë: natyra bën që parametrat të rishikohen.
Kurioz fakti që janë makinat fuoristrada “të egra e të pastra”, tashmë të avancuara teknologjikisht, ato që të ndihmojnë të jesh në rregull me prioritetet, duke rizbuluar shpirtin primitiv. Hyn në makinë në mëngjes, kontrollon nëse ke çfarë nevojitet për të përmbushur nevojat bazë, dhe orientohesh vetëm me hartë letre. Nëse diçka shkon keq, nuk ke pse të shqetësohesh, sepse të gjithë ndihmojnë njëri-tjetrin, në nderim të një “vëllazërie” të pashpallur, por të përqafuar gjerësisht, në emër të katër gërmave që bashkojnë ata që duan Jeep-in në të gjithë botën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.