Dikur zona të izoluara, sot gjithnjë e më shumë po tërheqin vizitorë të huaj e vendas. Përveç natyrës që është treguar bujare, këto zona konkurrojnë denjësisht edhe me produktet unike me traditë qindravjeçare. Marketimi dhe promovimi i tyre do t’i ndihmonte të gjenin tregje më të mëdha dhe të kalonin kufijtë e lokales
Nga Elona Bedalli
Nga Tirana janë 102 kilometra që mund të përshkohen me makinë. Rrugët janë përmirësuar ndjeshëm dhe udhëtimi është më se i rehatshëm. Është një kohë shumë e shkurtër për t’u gjendur në një realitet tjetër, ku kupton se ora është ndalur, ku natyra është treguar e pakursyer dhe asgjë nuk është monotone.
Destinacioni ynë ishte Reçi, një nga tre fshatrat kryesorë të Parkut Natyror Rajonal të Shkrelit (i shpallur dy vjet më parë, kategoria e 4-t IUCN), në Malësinë e Madhe. Shtrihet në të djathtë të rrugës Koplik – Dedaj, e cila ndahet mes Reçit dhe Razmës. Rruga që të çon drejt fshatit me gjatësi 2 kilometra ka vetëm pak kohë që është rehabilituar dhe për banorët e zonës kjo është një ndihmë e madhe, e përditshmja e tyre është bërë më e lehtë.
Vjeshta me gjithë ngjyrat e saj e bëjnë këtë zonë vërtet mahnitëse për t’u vizituar. Të dyja anët e rrugës që të çojnë në qendër të fshatit janë të mbuluara nga pemë që e hijeshojnë edhe më shumë peizazhin. Shtëpitë e vogla, karakteristike e të kuruara me kujdes, ku dallohet më së miri ndikimi që kanë sjellë përvojat e emigracionit e bëjnë këtë vend edhe më tërheqës. Në qendër të fshatit, aty ky çdo 31 gusht bëhet një festë e madhe (Festa e Reçit) bien në sy gështenjat e moçme, që për banorët janë të shenjta, mosha mesatare e të cilave është 500-vjeçare. Por, gështenjat nuk janë të vetmet pasuri që ka kjo zonë, e cila së fundmi po kthehet në një trend për turizmin e fundjavës.
Në fshatin Reç jetojnë sot rreth 150 familje. Çdo pjesë e tij ka histori, tradita që ruhen me fanatizëm. Punojnë të gjithë nga më të vegjlit e deri te më të moshuarit, kush me bujqësi, kush me blegtori e kush me turizëm. Projekte të ndryshme qofshin ato gjermane, zvicerane apo edhe italiane kanë sjellë në këtë zonë përvoja dhe njohje që nxisin krijimin e një modeli të suksesshëm që bazohet tek ajo që ka falur natyra e që njeriu duhet veç ta ruajë.
Vetëm pak ditë më parë, Bashkia e Malësisë së Madhe, parku natyror Shkrel, projekti CABRA i GIZ (Ruajtja e Agrobiodiversitetit në Shqipërinë Rurale), Ministria e Mjedisit, Instituti i Resurseve Gjenetike dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës organizuan “Ditën e Agrobiodiversitetit” në Parkun Rajonal të Shkrelit. “Ky aktivitet u zhvillua në pyllin e Gështenjave të Reҫit, ku u prezantuan përmes një panairi vlerat e agrobiodiversitetit, mbarështimi i racave autoktone të blegtorisë, kultivimi i bimëve të arave dhe frutave, mënyrat e promovimit të produkteve nëpërmjet paketimit, etiketimit, shitjes për vizitorët nga vendi i origjinës drejt tregjeve lokale të fundjavës, por edhe potencialet turistike të nxitura nga vizitat në pyll, fshat, në ferma e baxho.
Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, tha se rehabilitimi i rrugës ka rritur mundësitë për turizmin malor, por edhe për produktet bujqësore dhe blegtorale që të arrijnë tregje më të mëdha. Sipas tij, panarirët janë një mundësi e mirë për të identifikuar prodhimet, siç janë: bimët mjekësore, gështenjat, bulmeti, por edhe resurset malore. Ai shtoi se duhet të vihet theksi te promovimi i këtyre vlerave dhe burimeve që do të zhduknin varfërinë dhe do të sillnin një zhvillim të qëndrueshëm. “Në Malësinë e Madhe, tha z. Marinaj, janë duke u realizuar investime të rëndësishme, siç është rehabilitimi i disa rrugëve, ndërtimi i pedonales së Razmës. Ndërsa qeveria është duke e mbështetur hartimin e planeve të reja vendore në pesë bashki në veri, që pritet të jenë gati në pranverë”. Drejtuesi i projektit CABRA, në GIZ dr. Ralph Peveling tha se biodiversiteti ofron shumë dhe se duhet të mbështetet me politika nxitëse. Sipas tij, bujqësia në zonën e Shkrelit gjithashtu karakterizohet nga një ofertë e pasur, por kërkohet që të bazohemi te trashëgimia, te produktet që garantojnë ushqim të shëndetshëm.
Ai tha se, për të siguruar përfitime më të larta, është i nevojshëm marketimi, i cili ndihmon që të njihen vlerat dhe të garantohet futja në tregje vendase dhe të huaja. Për dr. Peveling, investimi në këto zona është i rëndësishëm, banorët e zonës duhet të jenë të ndërgjegjshëm se përfitimet ekonomike nuk mund të jenë të shpejta, ato do të vonojnë pak në kohë. Dhe kjo, sipas tij, është një dukuri që ndodh kudo.
Gështenjat, monumenti i natyrës që po i bën vendasit ‘të pasur’
Shqipëria ka disa zona tejet të njohura e të pasura për kultivimin e gështenjës. Por, gështenja e Reçit është shpallur monument natyror që në vitin 1974, për shkak të rëndësisë që ka. Bukuria e Pyllit të Gështenjës, veçanërisht në vjeshtë, është e njohur. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej 45 hektarësh dhe në të gjenden rreth 30,000 rrënjë.
Nga qendra e fshatit për të shkuar në Pyllin e Gështenjave duhet të paktën dy orë ecje. Ne jemi një grup me 12 veta që, nën drejtimin e një guide profesionale, kemi zgjedhur të ecim përmes këtij pylli, ndër më të bukurit në këtë zonë, e ku nuk mungojnë as legjendat me thesare të groposura.
Në këtë kohë të vitit, pylli është i mbuluar nga gjethet e boçet plot gjemba të gështenjave, që banorët e zonave i ‘krehin’ me kujdes. Prengën e gjejmë në një nga pjesët e pyllit, që banorët e quajnë Qerret. Është një burrë që nuk duket se i kalon të 50-at dhe me një trastë të improvizuar rreth belit e me një krehër shikon me kujdes e mbledh gështenjat. Prenga na pyet në u lodhëm, kur në fakt është pikërisht ai që po mundohet të mbledhë atë që ka falur me aq bujari natyra. Na shpjegon se kjo zonë është parcelizuar në kohën e komunizmit dhe toka ku po kërkon për gështenja është në pronësi të tij. Thotë se mbledh rreth 1 kuintal gështenja dhe se e shesin me 130-150 lekë kilogramin. Por, ai dhe bashkëfshatarët e tij kanë edhe më pak se dhjetë ditë kohë, për të mbledhur gështenjat e rëna nga toka, për t’i hequr nga boçet e më pas për t’i shitur te pikat që i grumbullojnë.
Sipas tij, kjo është periudha më e ngarkuar e fshatit, pasi duhet të mbyllin shumë punë njëherësh, nga njëra anë janë gështenjat, nga tjetra bimët mjekësore, që duhet të mblidhen pa filluar shirat e mëdha. Prenga na tregon se më parë kjo zonë njihej edhe për kultivimin e mollëve, por që tani askush nuk merret më me to, sepse duan përkujdesje, duan të mbrohen. Ndërsa gështenja nuk kërkon asgjë, asnjë përkujdesje apo investim. Ajo vetëm jep dhe të ardhurat që grumbullohen prej tyre nuk janë të pakta
Teksa ecim në pyll gjejmë edhe gra të reja e të moshuara apo edhe familje të tëra që bëjnë të njëjtën gjë, mbledhin nga toka gështenjat e rrëzuara.
Gështenja e Reçit është e famshme, ndërsa renditet pas asaj që prodhohet në Tropojë për nga cilësia e madhësia e produktit.
Reçianët tregojnë se pemët e gështenjave këtu janë ndër më të vjetrat, shkojnë mesatarisht deri në 500-vjeçare. Banorët e zonave kujdesen edhe për fidanët më të rinj që mbijnë, duke i rrethuar e duke i mbrojtur nga bagëtia. Mësojmë se pemët e para të gështenjave janë sjellë nga emigrantët nga Kraja, një territor shqiptar në Mal të Zi, i njohur për kultivimin e kësaj peme.
Këtu prodhohen rreth 600 – 1,000 tonë gështenja mesatarisht çdo vit dhe banorët e Reçit janë të parët që kanë organizuar eksportin e saj në Itali. Në vitet e fundit, tregu më i garantuar është ai i gështenjës që eksportohet në Itali. Magazinat për grumbullimin e saj gjenden në hyrje të fshatit dhe një pjesë e mirë e banorëve të fshatit janë të punësuar në to.
Një tjetër burim i të ardhurave për këtë zonë është edhe kultivimi i bimëve mjekësore. Kryesisht janë gratë ato që merren me mbjelljen e këtyre kulturave që syri t’i sheh nëpër ara që në hyrje të Koplikut. Lodhja është e madhe, ndërsa shpërblimi i ulët. Një nga gratë e zonës që kishte vite që merrej me kultivimin e sherebelës, tha se punohej shumë dhe mundi nuk shpërblehej. Kishte ngarkuar rreth 80 kilogramë, por kjo sasi kur thahej reduktohej gjysmë për gjysmë. Ajo na tha se një kilogram bimë mjekësore e tharë shitej me 100 lekë, një shifër tejet e ulët.
Ndër bimët aromatike-mjekësore të kësaj zone janë; sherebela, kamomili, çaji i malit, trumëza, sanza, trëndafili i egër, thundërmushka, lavandula, etj.
Blegtoria, prodhimi nuk po “çan” dot tregun
Zona e Reçit është e njohur për prodhimet e saj blegtorale. Cilësia e këtyre produkteve garantohet pikërisht nga bagëtitë që janë tipike të zonës alpine, ku dallohet ndër to delja ‘Bardhoke’ e cila është ndër më të vjetrat në Ballkan apo dhia e Hasit e njohur për prodhimin dhe pjellorinë.
Atif Deda është specialist i bagëtive të imta dhe pasioni i tij dallohet qartë teksa të shpjegon me durim, llojet e bagëtive që janë ekspozuar e që flasin për një traditë të hershme të mbarështimit të tyre në trevat shqiptare.
Ai thotë se në zonën e Shkrelit gjenden raca bagëtish që janë autoktone dhe shekullore, ku dallohet veçanërisht delja Bardhoke, që mund të konsiderohet fare mirë si një nga racat më të mira që ka sot për sot Ballkani. Ai flet me pasion për racën Bardhoke, e cila, sipas tij, garanton një prodhim qumështi që zgjat 9 muaj. Thotë se shpesh janë bërë përpjekje për ta zhdukur si racë, por banorët e zonës dhe specialistët e kanë mbrojtur. Çmimi i një deleje në gjendje të gjallë shkon nga 8,000 deri në 12,000 lekë.
Sipas tij, konsumatori shqiptar nuk i njeh këto raca dhe as prodhimet që përftohen prej tyre. “Konsumatori nuk arrin dot të bëjë dallimin e produkteve, sepse nuk është bërë asnjëherë mjaftueshëm për promovimin e nxitjen e tyre. Shteti në këta 25 vjet nuk ka bërë pothuajse asgjë për të nxitur prodhimin vendas. Ne duhet të krenohemi me këto pasuri që janë trashëguar ndër breza. Racat që janë ekspozuar janë ndër më të mirat që kanë alpet sot”, thotë z. Deda.
Sipas tij, produktet blegtorale janë vetëm të destinuara për tregun lokal dhe nuk po arrijnë dot të shtrihen më tej. Ndër problemet kryesore që pengojnë futjen e këtyre produkteve, qoftë edhe në tregje të huaja, kanë të bëjnë me vaksinimin njëvjeçar, ngarkesat mikrobike, cilësia. “Laboratorët tanë nuk realizojnë dot përcaktimin e saktë të të gjithë elementeve që janë proteinat, yndyrat, etj.”, thotë specialisti. Ai tërheq vëmendje edhe për një fakt tjetër. Brezat e rinj, nuk po interesohen më për zanatin e bariut dhe e kanë braktisur tërësisht e kjo në të ardhmen do të përbëjë një problem.
Thethi dhe Valbona, pritësit ankohen për infrastrukturën dhe HEC-et
Nuk ka asnjë dyshim që turizmi malor po njeh një periudhë të qëndrueshme zhvillimi gjatë tre viteve të fundit, kryesisht në Theth e Valbonë. Pjesa më e madhe e atyre që i vizitojnë këto vise janë të huajt, kryesisht gjermanë, austriakë, zviceranë epo edhe lindorë si çekë e polakë. Vizitorët e huaj janë të pasionuar pas aktiviteteve ‘outdoor’ ose ndryshe ‘jashtë shtëpie’ që kanë të bëjnë me ecjen, ngjitjen, por edhe me kulinarinë. Kol Gjoni, një nga ata burrat tipikë të kësaj zone që dallohen për shtatin e lartë, vështrimin e mprehtë e mustaqet e gjata, ka një bujtinë që gjendet 20 kilometra larg qendrës së qytetit të Bajram Currit. Ai thotë se këtë vit ka pasur më pak turistë të huaj, rreth 15% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. “Nuk di të them ndonjë arsye të veçantë – thotë ai – për këtë rënie”, ndërsa shton se ndonjë faktor mund të jetë imazhi që po cenohet nga vendimet për të ndërtuar hidrocentrale, gjë që sipas tij do ta pengonin ndjeshëm turizmin. Pjesa më e madhe e të huajve që vizitojnë bujtinën e tij janë nga Franca, Gjermania, Austria e Holanda. “Janë kryesisht moshë mesatare, që zgjedhin të qëndrojnë nga 1 deri në 3 net e që vlerësojnë natyrën, ushqimin, traditën e zakonet. Edhe çmimet i tërheqin të huajt, pasi tek ne, një natë kushton 20 euro për person me mëngjes të përfshirë”, thotë z. Gjoni. Sipas tij, në këtë zonë mbetet problem akomodimi pasi kërkesa është më e lartë se oferta. Janë rreth 12 shtëpi që pranojnë turistë, ndërsa numri i hoteleve është vetëm tre.
Ded Nika është gjithashtu një pritës turistësh në zonën e Thethit. Edhe ai pranon se këtë vit, numri i turistëve është ulur dhe shifra më e lartë është arritur në vitin 2013. Ai shton se në Theth janë rreth 40 shtëpi që ofrojnë akomodim për turistët. Shtëpia e tij, që nga prilli, ka pritur rreth 1,200 vizitorë që kryesisht kanë qenë me prenotim. Bujtina e tij, tipike e zonës gjendet në Nderlysë dhe ofron produkte që prodhohen nga vetë familja. Nika tregon se prej rreth 11 vjetësh ushtron këtë aktivitet dhe po bëhet gjithnjë e më i qëndrueshëm. Këtë vit, sipas tij, numri i turistëve të huaj ka qenë më i ulët në krahasim me një vit më parë dhe si arsye ai përmend edhe kushtet infrastrukturore të zonës. Thotë se bujtinën e tij e kanë vizituar turistë që nga Australia e largët. Akomodimi në bujtinën Nika kushton 20 euro me mëngjes të përfshirë. Turistët kërkojnë produktet më tipike të zonës dhe që janë bio. Rreth 70% e net-qëndrimeve janë me prenotim dhe ka prurje gjatë gjithë vitit, edhe kur bie dëborë.
Një guidë rreth Shkrelit
Parku Natyror Rajonal i Shkrelit, që është krijuar së fundmi, ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 20,282 hektarësh. Ai gjendet rreth 10 kilometra në verilindje të qytetit të Koplikut. Kufizohet nga Veriu: me Kelmendin dhe Parkun e Alpeve, nga Lindja me Plutin dhe Parkun Kombëtar të Thethit, nga Jugu me Gruemirën dhe Koplikun dhe nga perëndimi me Kastratin dhe pjesërisht Koplikun. Me mbështetjen e projektit italian VIS dhe atij gjerman CABRA është hartuar një guidë e detajuar me informacion të detajuar mbi hotelet, bujtinat, restorantet, guidat dhe harta.
Shkreli është një nga bukuritë e rralla të Alpeve Shqiptare, 20 kilometra larg Shkodrës. Një vend që mund të vizitohet në çdo stinë, por vjeshta e bën më të veçantë.
Të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë mund të zbulojnë shtigje të shumta që përshkojnë peizazhin e zonave si të Bogës, Lohes, Qafë Gradës. Me guida lokale ju mund të vizitoni kanionin e Përroit të Thatë dhe shpellat e shumta që gjenden në këtë zonë. Ka disa mënyra për të mbërritur në Parkun Natyror Rajonal të Shkrelit: me makinë, me autobus, me avion dhe me anije (nga ura e Bunës, përmes liqenit të Shkodrës). Në këtë zonë mund të bëni një seri aktivitetesh në natyrë.
Alpinizmi mund të bëhet në disa vende, si në: Majën e Madhe, në Majën e Kamshollit, në Majën e Rrabës, Radohimë, majën e Vllecikut, etj. Ecjet në natyrë mund të zhvillohen në çdo stinë në zonën Shkrelit, por koha më e preferuar është stina e pranverës dhe vera.
Ekzistojnë disa shpella në këtë zonë që janë ende të paeksploruara e që mund të realizohen me ndihmën e guidave lokale. Shëtitja e kuaj është mënyra më e mirë për të vizituar akse, si: Dedaj– Vrith-Razëm; Razëm–Bogë; Dedaj–Ducaj–Bogë etj. Në Shkrelë mund të bëni edhe aeronautikë, veçanërisht në zona si Boga e Maja e Veleçikut. Për çiklizëm mund të zgjidhni rrugët e pashtruara, ku nuk mungon mjedisi i pasur me biodiversitet. Një destinacion i veçantë është edhe shpella e Pëllumbave që shtrihet në drejtim të Qafë Gradës dhe ka shtrirje vertikale, gjë që lehtëson eksplorimin.
Në këtë zonë ka një sërë bujtinash ku mund të konsumoni produktet e veçanta të zonës dhe të ushqeheni shëndetshëm. Pjesa më e madhe e tyre janë të hapura gjithë vitin.
Oferta e akomodimit është e larmishme. Janë bujtina e hotele që dallohen për stilet e veçanta arkitekturore, diku tradicionale e diku të ndërthurura me modernen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Moody's” ka ndryshuar perspektivën e Shqipërisë në “pozitive” nga “e qëndrueshme”, në rishikimin e fundit, të publikuar në 19 Prill 2024. Perspektiva “pozitive” pasqyron mundësinë e një skenari më të mirë fiskal sesa pritej, i cili mund të rezultojë…
Matja e audiencës kërkohet prej vitesh, por asnjëherë nuk është finalizuar me hapa konkretë, në një formë të pranuar nga të gjithë. Pas dy tryezave të nisura nga Autoriteti i Mediave Audiovizive këtë vit, si palë nxitëse, tashmë ka një Komitet të Përbashkët me aktorët…
Këtë vit, Autoriteti i Mediave Audiovizive zhvilloi dy tryeza që kishin në thelb matjen e audiencës. Në një reagim për “Monitor” ky institucion nënvizon se roli i tij është vetëm nxitës dhe se tashmë janë hedhur themelet që procesi të avancojë me palët e tjera…
Flet Genci Dulaku, administrator i “Vizion Plus” Të pasurit e shifrave të sakta për audiencën dhe preferencat e saj shihet si avantazh nga televizionet. Të paktën për administratorin e “Vizion Plus”, Genci Dulaku, ky është një nga elementet më pozitive, pasi investimet që bëhen…
Flet Konstantinos Panagiotopoulos, President, Shoqata Shqiptare e Agjencive të Komunikimit Modelet që aplikohen në botë për matjen e audiencës janë nga më të ndryshmet por për Shqipërinë, Konstantinos Panagiotopoulos, President i Shoqatës Shqiptare të Agjencive të Komunikimit, mendon se më e përshtatshme është një…
Flet Oliver Petrovski CEO i “New Moment” Çmimet e reklamave që sot aplikojnë mediat pritet që të ndryshojnë pas shifrave të zbardhura të audiencës reale. Oliver Petrovski, CEO i Agjencisë publicitare “New Moment”, vlerëson se sot është e vështirë të përcaktosh nëse je duke…
Flet Adrian Bunguri, CEO i “Trium Communications” Matja e audiencës, e cila në themel synon të forcojë transparencën e plotë për shikueshmërinë në çdo kohë dhe për çdo ekran, pritet të ketë efekt zinxhir te pjesa e marketingut. Bizneset mund të nxiten të investojnë…
Buxheti i shtetit shpenzoi në vitin 2023 gjithsej 674 miliardë lekë, ose rreth 6.4 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit, rreth 60% e kësaj shume përdoret…
Ekzaminimet e para mjekësore me skaner në Shqipëri në vitin 1995 janë kryer në klinikat private. Sektori privat mjekësor është gjithashtu ndër të parët që po përdor Inteligjencën Artificiale dhe sistemet e automatizuara. Sa ka arritur t'i reduktojë kostot për mbajtjen e personelit mjekësor përdorimi…
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe Zëvendës Presidentja për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore Antonella Bassani kanë nënshkruar Marrëveshjen për Financimin…
Kina dhe Europa, mund të përballen me një "aksident të ngadaltë", paralajmëroi kreu i një grupi tregtar europian, një ditë pasi kancelarja gjermane përcolli shqetësimet e…
Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe institucionet e saj duhet të ndërmarrin masa të balancuara që adresojnë nevojat e ekonomisë dhe të konsumatorëve, duke mbajtur nën…
Ekonomia e Amerikës ka treguar qëndrueshmëri të habitshme. Por ka ende rreziqe, shkruan The Economist Cilit personazhi vizatimor i përngjan më shumë ekonomia amerikane? Siç…
Platforma Telegram “po përhapet si zjarri”. Ajo pritet të arrijë 1 miliard përdorues këtë vit, tha bashkëthemeluesi i saj në një intervistë dhënë këtë të mërkurë…
Sipas një studimi të fundit të European Sponsorship Association (ESA) në bashkëpunim me Nielsen Sports, tregu europian i sponsorizimeve u rrit në 30.9 miliardë euro, duke…