Flet Petrit Telegrafi, Shoqata e Vajit të Ullirit
Shqipëria sigurisht që mbetet ende larg realitetit europian të mënyrës sesi zhvillohet bujqësia apo agropërpunimi, por ama nëse ka diçka për të cilën të gjithë biem dakord është fakti që nuk i mungojnë potencialet për t’u zhvilluar. Për inxhinierin Petrit Telegrafi, nga Shoqata e Vajit të Ullirit, vendi ynë duhet të shohë me kujdes mundësitë që i ofrohen.
“EIMA International është një nga panairet më të mëdha dhe të specializuar në botë për makineri bujqësore dhe padyshim Italia zë një nga vendet kryesore. Sigurisht kjo i mundëson asaj edhe një sektor të plotësuar nga prodhimi deri në tavolinë, si dhe zgjidhje interesante për prodhimin e energjisë përmes biomasës. Ne si një vend mesdhetar me shumë aspekte që na bashkojnë, jemi shumë larg këtij realiteti, por nuk është se na mungon potenciali. Sot për shembull është momenti i duhur pasi gjithmonë e më shumë po funksionojnë skemat mbështetëse dhe një program si IPARD, që mendoj se do të ketë efekt. Ndoshta jo që në thirrjen e parë, pasi ka probleme shumëvjeçare që nuk mund të zgjidhen menjëherë por, në afatgjatë, do të ketë patjetër”, shprehet Telegrafi.
Ai nënvizon se panaire të kësaj natyre i shërbejnë edhe biznesit shqiptar të kuptojë se cilat janë risitë më të fundit në sektor, përfitimet që vijnë nga teknologjia e avancuar por sigurisht e ndihmojnë edhe për të analizuar ide të reja. “Pashë nga afër shërbimin për ullishtarinë dhe gjithë elementet e kujdesit për këtë pjesë, aspektin e përpunimit, por edhe mënyrën e trajtimit të mbetjeve ku hyn prodhimi i energjisë nga biomasa. Kishte një vëmendje të shtuar jo vetëm për energjinë, por edhe industrinë farmaceutike dhe pajisjet laboratorike të lidhura me sigurinë ushqimore”, nënvizon ai.
Një nga elementet që duhet pasur parasysh sipas z.Telegrafi është aplikimi i masave rregulluese në sektor në vendin tonë, në mënyrë që të garantohet që të gjitha hallkat të funksionojnë normal. Shteti, nga ana tjetër, duhet të shohë pjesën e subvencioneve, një alternativë që e aplikon edhe Europa duke qenë se nuk është e thjeshtë të investohet në kaq shumë makineri, pra kostot nuk janë të thjeshta të mbulohen vetëm nga fermeri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.