Dilema e pushimeve gjithmonë është një pikëpyetje e madhe në çdo stinë të vitit, aq më tepër në verë. Dhe tani, që nuk na ndajnë veçse pak ditë nga fillimi i sezonit turistik, duket se segmentet shtetërore janë vënë në lëvizje. Silvana Draçini, Drejtore e Promocionit dhe Standardeve në Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, tregon se puna është organizuar sipas ministrive dhe institucioneve. Duke filluar nga Minstria e Rendit Publik, Bashkitë, Ushtria etj., të cilët sipas saj, po punojnë për mbarëvajtjen e këtij sezoni. Pastërtia, në dorë të BashkisëËshtë detyrë e vetë bashkive të qyteteve turistike, që të pastrojnë plazhet. Pasi sipas Draçinit është Bashkia ajo që mbledh taksat dhe duhet të jetë po Bashkia ajo që duhet ta pastrojë dhe ta mirëmbajë. Ne vetëm mund t i ndihmojmë dhe të jemi sa më afër tyre kur ata kanë nevojë. Por nëse fillon udhëtimin që nga Tirana drejt Durrësit, qytetit më të afërt turistik me kryeqytetin, do të shohësh në çdo kilometër vijë bregdetare mbeturinat inerte të atyre që dikur kanë qenë hotele, restorante, apo ndonjë formë tjetër aktiviteti. Herë njëkatëshe e herë më shumë ato qëndrojnë ende si për të prishur syrin e keq të turistëve që do të zgjedhin Shqipërinë për të pushuar. Jemi të ndërgjegjshëm që nuk mund të krahasohemi me plazhet e Spanjës apo të Greqisë, ndoshta dhe të Turqisë, për të mos shkuar më larg nëpër kontinente. Të paktën të krahasohemi me vendet afër nesh si Kroacia apo Mali i Zi. Rreth 450 km vijë bregdetare, në shumë vende e pashfrytëzuar, bën që vendi ynë të jetë një perlë e pazbuluar ende. Mbeturinat e ndërtimeve pa leje gjatë vijës bregdetare jo vetëm në Durrës, por edhe në qytete dhe vende të tjera turistike të Shqipërisë nuk do të krijojnë një pamje aq të këndshme për syrin e pushuesve qoftë kosovarë, qoftë edhe të huaj. Nga Ministria e Turizmit pohohet se në ndihmë për heqjen e këtyre mbeturinave ka ardhur edhe ushtria, e cila po pastron zona bregdetare. Ushtria, sot që flasim, është në Velipojë, në Sarandë dhe në Orikum, thotë Draçini. Nga Ministria është bërë edhe një tender ku është shpallur një firmë fituese, detyra e të cilës është pikërisht pastrimi. Por ajo që mbetet ende pikëpyetje është fakti se a do të jenë të pastra plazhet shqiptare kur të fillojë sezoni, pra pas gati 10 ditësh? Përsa i përket inerteve ne po bëjmë maksimumin që të heqim sa më shumë që të jetë e mundur, thotë Drejtorja e Promocionit dhe Standardeve në MRRTT. Gjithsesi edhe nëse pjesë-pjesë ato pastrohen, është detyrë e Bashkive që ta mirëmbajnë këtë pastërti. Aktualisht, nga firma fituese ka përfunduar pastrimi i Golemit, Durrësit, Shëngjinit dhe Velipojës. Tashmë, ka mbetur vetëm zona e jugut, Vlora dhe Saranda.RendiQë të garantohet një pushim sa më i qetë, është bashkërenditur puna edhe me Ministrinë e Rendit. Mësohet se deri tani janë krijuar katër posta të reja policore kryesisht në Durrës, Shëngjin dhe Velipojë. Madje, Draçini thotë se këtë vit punonjësit e rendit janë trainuar në disa drejtime. Ata mund t i vijnë në ndihmë bashkatdhetarëve tanë që kalojnë kufirin për plotësimin e dokumenteve. Për sigurinë në plazhe janë ngritur postat e policisë 24-orëshe kryesisht në zonat turistike, janë vendosur barkat e patrullimit, të cilat kontrollojnë zonat që janë më të populluara, thotë Draçini. Këto masa po merren që tani në mënyrë që gjatë sezonit të mos ketë probleme të tilla.InfrastrukturaInfrastruktura rrugore le për të dëshiruar. Në shumë vende duhet të shijosh gropat, përveç natyrës së bukur që të shoqëron gjatë udhëtimit. Draçini thotë se, rruga Durrës-Kukës është rregulluar. Madje, ajo pohon se punonjësit e ministrisë ku ajo punon, e kanë bërë këtë rrugë me makinë për të parë jo vetëm cilësinë e rrugës, por edhe sinjalistikën përgjatë saj. Përsa i përket sinjalistikës ishte shumë më mirë se vitet e kaluara. Në qoftë se vitet e kaluara ka pasur vetëm në udhëkryqe dhe në afërsi të zonave të banuara, tani ajo është shtuar. Tabelat ekzistojnë në një mesatare prej 20-30 km, pohon Draçini.Kategorizimi dhe licencimi i hoteleveMinistria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit ka për detyrë licencimin dhe kategorizimin e hoteleve me yje. Mësohet se ka shumë hotele që nuk i plotësojnë kushtet për të pasur yjet që i kanë vendosur vetë. P.sh., nuk kanë pajisjet kundër rënies së zjarrit apo shkallët e emergjencës. Draçini konfirmon se ne po vazhdojmë që të licencojmë hotelet, ku deri tani janë licencuar 23 të tilla. Nuk është një numër shumë i madh, por vështirësitë për t u licencuar janë shumë të mëdha. Kjo pasi vetë hoteli mezi i plotëson kërkesat për t u licencuar për ushtrimin e veprimtarisë turistike, si veprimtari e specializuar. Kategorizimi i tyre është një problem më vete, ku deri tani janë kategorizuar rreth 11 hotele. Është ulur paksa ritmi i këtij procesi, pasi edhe ata janë në përgatitje, kështu që nuk janë shumë të gatshëm për t i kontrolluar ne. Pikat për kategorizim janë shërbimi ndaj klientelës, infrastruktura, por kryesore mbetet shërbimi, thotë ajo. Po këto dy procese nuk kanë as fillim dhe as fund, pasi nëse një hotel është me tre yje, ai mund të paraqesë pas një viti dokumentet për të fituar edhe një yll tjetër. Po kështu, edhe licencimi i tyre vazhdon përderisa ndërtohen gjithnjë e më tepër hotele të reja. Strategjia e TurizmitNë sirtaret e Ministrisë së Turizmit ekziston edhe një Strategji për Zhvillimin e Turizmit, e cila shtrihet deri në vitin 2012. Kjo strategji parashikohet të japë strukturën e përshtatshme brenda së cilës investimet dhe përfitueshmëria e industrisë mund të lehtësohen dhe të rriten në maksimum. Ajo, gjithashtu, do të sigurojë angazhim dhe financim për turizmin nga qeverisja vendore dhe qendrore, do të bëjë më të lehtë veprimin e operatorëve për të kryer biznes në këtë sektor etj. Ndër objektivat e saj përmendim sigurimin dhe ruajtjen e një zhvillimi afatgjatë, marketimi dhe administrimi i përvojës konkurruese të vizitorit, përmirësimi i cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, krijimi i produktit të promovueshëm me çmim të leverdishëm, si dhe krijimi i një imazhi pozitiv. Ndër objektivat ekonomike mund të përmenden rreth 1.25 milion mbërritje, 6.4 milion netqëndrime, 464 milion USD të ardhurat e turizmit, 100,000 vende të reja pune dhe e ardhura e turizmit ndërkombëtar është 15% në PBB.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.