Jepini fund

13/07/2018 10:02 PM 0 komente

Si politikat e emigracionit të Perëndimit ndeshen me vlerat. Dhe pse janë pikërisht vlerat ato që fitojnë zakonisht

 

Në Teksas, një i mitur emigrant nuk lejohet të qëndrojë me të ëmën nga qeveria federale. Kjo është një mënyrë për të parandaluar ardhjen e emigrantëve të tjerë.

Në Mesdhe, një anije me rreth 630 emigrantë në bordin e saj, nuk u pranua të hyjë në një port italian, ndërkohë që zëvendëskryeministri i Italisë synon të rrisë popullaritetin duke kërcënuar të dëbojë romët nga shteti i tij. Në Berlin, një qeveri e koalicionit mund të rrëzohet për mënyrën sesi po vepron në lidhje me emigracionin. Edhe pse të gjithë shembujt e mësipërm duken të shkëputur nga njëri-tjetri, në fakt nuk janë të tillë, shkruan The Economist.

Dështimi për të marrë konsensusin politik për emigracionin ka qenë i pranishëm në disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të Perëndimit: Brexit, fitorja e Donald Trump, goditja e Viktor Orbanit, fuqizimi i Ligës së Veriut në Itali. Të gjitha këto ngjarje u kanë dhënë politikave një drejtim shqetësues për ata që parapëlqejnë që tregjet e tyre të jenë të lira dhe shoqëritë e tyre të hapura.

Kjo krijon një marrëveshje të dhimbshme. Bëjuni rezistencë kërkesave për zbatimin e rregullave më të ashpra ndaj emigracionit, dhe ndoshta elektoratet mund të vazhdojnë të votojnë për kandidatët që korrin sukses, duke ia hedhur fajin të huajve për gjithçka. Nëse do të pranoni zgjidhjet e propozuara nga njerëz të ngjashëm me z. Trump apo z. Orban, atëherë shoqëritë perëndimore do të dalin fillimisht kundër vlerave themelore.
Këtu mund të përmendin qasjen e Shtëpisë së Bardhë, e cila ndau rreth 2,342 fëmijë nga familjet e tyre muajin e kaluar.

Përdorimi i vuajtjes së fëmijëve, si një pengesë për ndalimin e ardhjes së emigrantëve të tjerë, ishte ndoshta gabimi më i rëndë i bërë ndonjëherë. Ky do të jetë një nga ata shembuj që ndoshta një ditë do të mësohet në librat e historisë së bashku me internimin e japonezo-amerikanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Argumentimi i administratës se ishte e detyruar të vepronte në atë mënyrë për të mbështetur ligjin është i pajustifikueshëm.

As George W. Bush dhe as Barack Obama, të cilët kthyen në vendet e tyre të origjinës më shumë emigrantë se z. Trump, nuk e përdorën ndarjen e fëmijëve të mitur nga familjet si një metodë për të parandaluar ardhjen e emigrantëve të tjerë. Justifikimi se veprimi në fjalë ishte i nevojshëm për të kontrolluar emigracionin është i dyshimtë. Në vitin 2000, qeveria ndaloi 1.6 milionë njerëz që të kalonin kufirin jugor; në vitin 2016, kur u zgjodh Presidenti Trump, këto shifra shënuan rënie me 75%.

Format parandaluese, pa dyshim, që kanë luajtur rolin e tyre, por prosperiteti dhe niveli më i ulët i lindjeve në Meksikë ka pasur më shumë rëndësi. S’është për t’u habitur, që pas një proteste publike, z. Trump të braktisë politikën. Edhe shembuj të tjerë parandalimi të ardhjes së emigrantëve në vende të ndryshme të botës nuk kanë pasur rezultat më pozitiv.

Në referendumin e Brexit, qeveria e Britanisë arriti në përfundimin se duhet të dyfishojë përpjekjet për të krijuar një “mjedis armiqësor” për emigrantët. Qeveria britanike arriti deri aty sa t’i urdhëronte të gjithë njerëzit që kishin ardhur në Britani nga Karaibet në vitet 1950, të nxirrnin të gjithë dokumentet e nevojshme për të provuar se ishin britanikë.

Ngacmimet, paraburgimet dhe deportimet që vijuan, rezultuan me dhënien e dorëheqjes së sekretarit të Shtetit. Në vitin 2015, qeveritë europiane argumentuan se shpëtimi i anijeve që mbanin emigrantë nga Afrika e Veriut do të sillte me vete edhe rreziqe për këto shtete. Për këtë arsye, rreth 1,200 njerëz u mbytën për dhjetë ditë, duke tmerruar edhe europianët nga mizoria që ata vetë shkaktuan.

Shoku dhe tmerri

Të shumtë janë njerëzit që mendojnë se ata që zbatojnë ligjet janë thjesht mizorë dhe racistë. Por arsyetimi është gjithashtu i gabuar. Në parim, të gjitha shtetet duhet të jenë në gjendje të sigurojnë kufijtë e tyre dhe të veprojnë sipas ligjeve. Në praktikë, politika e neglizhencës i krijon mundësinë zhvillimit të një reagimi të ashpër, që ndihmon njerëzit si Matteo Salvini, kreu i Ligës së Veriut (me slogan “Italianët të parët”), ose Horst Seehofer, ministrit të Brendshëm të Gjermanisë, i cili ka kërcënuar të rrëzojë Angela Merkel.
Zemërimi ndaj emigrantëve rritet gjithnjë e më shumë. Z. Salvini dëshiron të deportojë qindra mijë emigrantë nga Italia, ndërsa z. Seehofer do që të dërgojë në Itali dhjetëra mijë emigrantë.

Në teori, ideja e të pasurit të një politike ideale mbi emigracionin, ku të gjithë të ardhurit trajtohen në mënyrë njerëzore, por edhe sipas ligjeve, duke i kthyer në vendet e origjinës të gjithë ata që kanë ardhur në mënyrë të paligjshme apo aty që nuk u është miratuar kërkesa për azil, pranohet nga pjesa më e madhe e vendeve mikpritëse. Por ajo çfarë ndodh në praktikë, është krejt ndryshe.

Kjo është e lehtë për t’u përshkruar, por e vështirë për t’u zbatuar. Gjykatat janë tepër strikte, shumë raste janë të vështira për të gjykuar dhe vendet e varfra nuk duan kurrsesi që qytetarët e tyre të kthehen sërish. Për këtë arsye, vendet e pasura kanë tendencë të paguajnë vendet më të varfra për të ndërtuar kampe të mëdha për njerëzit, siç bën Italia me Libinë dhe BE-ja me Turqinë. Në fakt, kjo është diçka që nuk do të lejohej që të ndodhte brenda vendeve të tyre, por duke qenë se ajo është larg syve, është disi e pranueshme.

Europianët kishin të drejtë të dënonin ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre. Por duke qenë se po përballen vazhdimisht nga një valë emigrantësh nga fqinjët e tyre të varfër dhe të shkatërruar nga lufta, ata duhet të tregohen të kujdesshëm që këtë gjë të mos e bëjnë edhe vetë, në momentin kur hartojnë politikat e tyre.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz