Të lësh karrierën e lakmuar të menaxherit të lartë dhe të shesësh crêpes. Kjo është zgjedhja e jetës që ka bërë Florent Cohen, një menaxher i rëndësishëm i obligacioneve hipotekore pranë bankës Bnp Paribas, që i tha lamtumirë Wall Street, për të hapur një kreperi në Upper West Side në Manhattan. Në aspektin gjeografik nuk ka ndryshuar asgjë, por në vend të kostumit, ai tani mban veshur përparësen e shefit. “Nuk është se ndihesha keq në bankë, por kërkoja stimuj të tjerë”, thotë Cohen për Bloomberg.
“Më parë nuk kam pasur asnjë përvojë në kuzhinë. Ndoqa një kurs intensiv dyjavor që të mësoja sesi të bëja crêpes, në Paris”, thotë ai, i sigurt se në qytetet kryesore të SHBA-së ka vend për t’i treguar publikut shijen e veçantë të kuzhinës franceze.
Nga ana tjetër, zgjedhja e ish-brokerit për t’iu përkushtuar kuzhinës u ndoq nga një tjetër menaxher i lartë financiar, 36-vjeçari Jeremie Banet, i cili bënte pjesë në kompaninë kaliforniane të kapitalit Pimco. Ai mori licencën për të hapur një lokal të specializuar në “croque monsieurs” dhe “baguettes” me djathë dhe proshutë në Los Anxhelos. Edhe për Banet bëhet fjalë për zgjedhjen e jetës, pas shumë viteve të kaluara duke fituar “male” me para dhe duke punuar nga 16 orë në ditë.
Si një lloj shembulli për të ndjekur këtë tendencë, pra për të kaluar në sektorë të ndryshëm nga ai i financës, mund të përmendet ai i vitit 2006, kur gjermani Rudolf Wötzel ish-drejtuesi i Ubs e Lehman Brothers, në moshën 46-vjeçare, pas një jete të mbushur me shumë “adrenalinë”, netëve të kaluar nën ankth, siç edhe vetë i ka përshkruar për të përditshmen zvicerane “Tages Anzeiger”, iu dedikua maleve.
“Nuk mundesha më që të manipuloja miliarda gjatë ditës dhe të dehesha gjatë natës në hotel”, thotë ai. Sot, Wötzel menaxhon një strehëz alpine në Klosters në kantonin Grigioni dhe si në rastin e Cohen e Banet, ka zbuluar pasionin për kuzhinën.