Subjekteve financiare jobanka (FJB) kanë ulur kreditimin për ekonominë gjatë vitit 2013, sipas raportimeve të Bankës së Shqipërisë.
Portofoli bruto i subjekteve financiare jobanka, në krahasim me fundin e vitit 2012, është zvogëluar me rreth 360 milionë lekë ose 1.8% duke arritur vlerën 19.68 miliardë lekë. Ky portofol përbën rreth 3.49% të portofolit të sistemit bankar, duke u paraqitur në nivele të ngjashme me ato të vitit të mëparshëm.
Zvogëlimi i portofolit të kredisë për totalin e SFJB-ve, është kryesisht efekt i përthithjes së portofolit të Sogelease Albania sh.a. nga njëra prej bankave, shoqëruar edhe me tkurrjen e aktivitetit të qirasë financiare në përgjithësi si pasojë e frenimit të investimeve nga bizneset. Ndërkohë, të grupuara sipas veprimtarisë financiare, subjektet kredidhënëse dhe institucionet financiare të mikrokredisë kanë pasur rritje të portofolit të kredisë bruto (me 684 milionë lekë), portofoli i subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e qirasë financiare është tkurrur me rreth 1,095 milionë lekë, dhe portofoli faktoring vijon të mbetet në nivele minimale, pavarësisht se gjatë vitit është rritur me rreth 16.43 milionë lekë.
Struktura e portofolit vijon të jetë e përqendruar tek financimet për biznes (91.2%) dhe kryesisht për sektorët “Tregti, riparim i automjeteve dhe artikuj shtëpiakë” (30%), “Bujqësi, gjueti dhe silvikulturë” (11.8%), si dhe sektorët “e tjerë” (14.6%). Portofoli në total dominohet nga financimet në monedhën vendase (60.1%) kryesisht të kryera nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë, ndërsa në veçanti subjektet e qirasë financiare kanë një portofol të dominuar nga valuta e huaj (98.5%). Për nga maturimi, portofoli i subjekteve ka jetëgjatësi kryesisht afatmesme (76.2%).
Rritja e treguesit të kredive me probleme gjatë vitit 2013 është si rezultat i hyrjes në fuqi të kërkesave të reja rregullative, të cilat tashmë kërkojnë që subjektet të klasifikojnë në kategori të ndryshme rreziku, portofolet e qirasë financiare dhe të faktoringut. Për rrjedhojë, krahasimi me fundvitin 2012 nuk do të ishte i plotë, thekson BSH.
Institucionet financiare jobanka, sipas veprimtarive financiare kryesore që zhvillojnë, klasifikohen nga BSH si vijon:
• Institucione që ushtrojnë veprimtarinë financiare të “kredidhënies”: Fondi Besa sh.a, NOA sh.a, Shoqëria e parë financiare e zhvillimit– FAF sh.a, dhe Tranzit sh.p.k.;
• Institucione që ushtrojnë veprimtarinë financiare të “mikrokredisë”: VisionFund Albania sh.p.k., dhe Capital Invest sh.a.;
• Institucione që ushtrojnë veprimtarinë financiare të “qirasë financiare”: Raiffeisen Leasing sh.a., Tirana Leasing sh.a., Credins Leasing sh.a., Landeslease sh.a., Fin-al sh.p.k., dhe Porsche Leasing sh.a.;
• Institucione që ushtrojnë veprimtarinë financiare të “ofrimit të shërbimit të pagesave dhe transferimit të parave”: Posta Shqiptare sh.a., Unioni Financiar i Tiranës sh.p.k., Ak-Invest sh.a., Easypay sh.p.k., dhe M-pay sh.p.k.;
• Institucione që ushtrojnë veprimtarinë financiare të “faktoringut”: Albanian Factoring Services (AFS) sh.a., Omnifactor sh.p.k. dhe Profactoring Albania sh.p.k.;
• Institucione që ushtrojnë veprimtarinë financiare të “shërbimeve këshilluese, ndërmjetësuese dhe shërbime të tjera për këmbimin valutor”: Platinium Investment sh.p.k.