Bizneset gjermane vlerësojnë të përkeqësuar barrën fiskale si pasojë e rritjes së taksave, në një kohë kur e rendisin Shqipërinë si vendin e 4-t më pak interesant për investime në Europën Juglindore. “Vendi ende njihet pak dhe ka imazh shumë negativ”.
Por, megjithatë, këtë vit gjermanët janë më optimistë dhe 86% e tyre do të investonin sërish këtu
Nga Laura Çela
Investitorët gjermanë e shohin me shqetësim rritjen e taksave nga ana e qeverisë “Rama” që ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti. Konfirmimi vjen nga rezultatet e anketimit vjetor të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) mbi klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri.
Sipërmarrësit kanë renditur si të përkeqësuar barrën fiskale në vend, e cila është ulur me shpejtësi në renditjen e faktorëve që ndikojnë në situatën e biznesit në Shqipëri, duke zbritur nga vendi i 5-të në atë të 14-të.
“Rritja e bërë është e pranueshme nga biznesi gjerman, megjithëse ishte shqetësues fakti që mungoi transparenca në hartimin e sistemit të ri dhe faktit se shumë ndryshime u bënë në momentin e fundit nga qeveria. Për ne ka rëndësi që taksat të mos rriten më tej dhe që zbatimi i tyre të jetë i njëjtë për të gjithë”, tha znj. Anette Kasten, sekretare e përgjithshme e DIHA-s.
Por, me gjithë shtimin e taksave, pritshmëritë e biznesit për këtë vit janë rritur ndjeshëm në raport me një vit më parë dhe kanë arritur maksimumin e 3 viteve të fundit. Pritshmëritë janë rritur në 56% nga 33% që ishin një vit më parë.
Në anketimin mbi klimën e biznesit, i cili u plotësua nga kompanitë anëtare të DIHA-s në fillim të vitit 2014, mbizotëron një optimizëm i matur si dhe shpresa për një situatë të përmirësuar të biznesit në kompanitë e tyre për këtë vit.
Pothuajse 40% e kompanive të anketuara janë sërish optimiste për të ardhurat e biznesit të tyre si dhe për situatën aktuale, krahasuar me vitet e mëparshme, kur ky vlerësim ka qenë gjithnjë në rënie.
Faktorët, të cilët kompanitë i marrin parasysh në zgjedhjen e një vendi për të investuar, vlerësohen veçanërisht në mënyrë kritike. Shqipëria renditet në listën e katër vendeve të fundit me më pak interes për të investuar për këtë vit.
“Kjo vjen si pasojë e faktit që Shqipëria është një vend i vogël dhe informacioni për të është minimal dhe në rastet kur ka, ai informacion është negativ. Qeveria duhet të punojë shumë në njohjen e vendit dhe përmirësimin e imazhit nëse do që të tërheqë investime”, tha znj. Anette Kasten, sekretare e përgjithshme e DIHA-s.
Vlerësimi i situatës aktuale ekonomike në Shqipëri nuk ka ndryshim të dukshëm krahasuar me rezultatet e një viti më parë. Vetëm 13% e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht situatën ekonomike, ndërkohë që vitin e kaluar ishin 12%.
26% e kompanive pjesëmarrëse në këtë anketim mendojnë se situata ekonomike është deri diku e kënaqshme, ndërkohë që 62% e të anketuarve e vlerësojnë atë si negative.
Për sa i përket së ardhmes së ekonomisë shqiptare në përgjithësi, kompanitë shpresojnë në përmirësimin e situatës. Rreth 23% e të anketuarve besojnë se këtë vit, ekonomia shqiptare do të ketë një zhvillim më të mirë.
Investimet dhe punësimi
Vlerësimi pozitiv i ecurisë së biznesit të tyre nuk i shtyn kompanitë automatikisht në rritjen e disponibilitetit për investime më të larta. Më tepër se gjysma e kompanive të anketuara nuk do të realizojnë investime të mëdha, si dhe nuk planifikojnë një rritje të dukshme të numrit të punonjësve.
Por një sinjal negativ, këtë vit, vjen nga të dhënat mbi atraktivitetin e vendit tonë si destinacion për investime gjermane. Për këtë vit Shqipëria, Kosova, Bjellorusia dhe Ukraina renditen ndër 4 vendet më pak tërheqëse.
Mbi 1400 kompanitë pjesëmarrëse në këtë anketim vlerësojnë, përveç vendit të tyre, edhe vende të tjera të mundshme si destinacione për investim, nga gjithsej 20 vende, duke u pyetur në këtë mënyrë edhe për atraktivitetin e vendeve: Ukrainë, Rusi, Mali i Zi dhe Bjellorusi.
“Nisur nga sa më sipër, lidhur me vlerësimin e Shqipërisë si vend për të investuar, mund të konkludohet se përveç marrjes së masave kundër faktorëve negativë, një rol të rëndësishëm në tërheqjen e investitorëve të huaj, luan edhe prezantimi/njohja e potencialeve ekonomike të Shqipërisë”, thotë znj. Kasten.
Por, nga ana tjetër, ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann, i pranishëm në prezantimin e anketimit, deklaroi se pas vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Berlin, mund të presim një përmirësim të fluksit të investimeve gjermane në vendin tonë.
“Pas kësaj vizite ka pasur interes nga kompani gjermane për Shqipërinë dhe prandaj, ne mendojmë se do të ketë shtim të tyre gjatë këtij viti”, tha z. Hoffmann.
Për vlerësimin e Shqipërisë si vend për investime, pjesëmarrësit në anketim u pyetën mbi 20 faktorë, të cilët merren zakonisht parasysh në zgjedhjen e një vendi për të investuar. Në mënyrë të përmbledhur, në këto rezultate vihet re një vlerësim i lartë i fuqisë punëtore në Shqipëri. Nga ana tjetër, në këtë pjesë paraqiten qartë dhe në mënyrë të sintetizuar, kërkesat e bizneseve që operojnë në Shqipëri ndaj qeverisë shqiptare.
Vendet e para i zënë faktorë të tillë, si produktiviteti, motivimi dhe kualifikimi i fuqisë punëtore, si dhe cilësia e arsimit akademik. Vlerësimin më të lartë e ka marrë kostoja e punës.
Vlerësim mesatar kanë marrë faktorë të tillë, si e drejta e punës, cilësia e furnitorëve lokalë, infrastruktura, si dhe disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Megjithatë, vlerësimi për këta faktorë është përkeqësuar krahasuar me vitin e kaluar.
Sistemi dhe administrata tatimore, administrata publike si dhe disiplina në pagesa janë vlerësuar pak më mirë se në anketimin e vitit 2013.
Faktorë të tillë, si kërkimi e zhvillimi, si dhe sistemi i arsimit profesional renditen ndër të fundit dhe krahasuar me vitin e shkuar, vihet re përkeqësim në vlerësim.
Barra tatimore, një faktor i rëndësishëm, ka zënë vendin e 14-të, duke shënuar në këtë mënyrë rënie, krahasuar me rezultatet e anketimit të vitit 2013, ku ky faktor zinte vendin e 5-të.
Vlerësimin më negativ e kanë marrë faktorët: parashikueshmëria e politikave ekonomike, transparenca e tenderëve publikë si dhe lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Vendin e fundit këtë vit e zuri siguria ligjore.
Por 86% e investitorëve do të investonin sërish…
Por një element që vlerësohet si shumë pozitiv është fakti se edhe këtë vit, 86% e të anketuarve në Shqipëri shprehen se do ta zgjidhnin sërish Shqipërinë, si vend për të investuar.
“Ky është një nivel mbi mesataren për 20 vendet e përfshira në anketë dhe tregon një ndjesi pozitive të kompanive që operojnë këtu, çka mund të jetë një faktor për të shtuar kapitalin këtu dhe për të tërhequr të tjerë investitorë”, thotë sekretarja e përgjithshme e DIHA-s.
Kjo pyetje u është drejtuar kompanive, të cilat janë të angazhuara në secilin prej vendeve. Sipas znj. Kasten, kjo është një votë e qartë për Shqipërinë, si vend për të bërë biznes, vlerësuar nga kompanitë, të cilat e njohin këtë vend. Shqipëria qëndron me këtë vlerësim mbi mesataren e të gjitha vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore.
“Lidhur me vlerësimin e Shqipërisë si vend për të investuar, mund të konkludohet se përveç marrjes së masave kundër faktorëve negativë, një rol të rëndësishëm në tërheqjen e investitorëve të huaj, luan edhe prezantimi/njohja e potencialeve ekonomike të Shqipërisë”, thotë ajo.
Pse të investosh
Kompanitë i shohin faktorët, të cilët karakterizojnë Shqipërinë, si një destinacion për investime, në mënyrë kritike.
Në anketim u vlerësuan gjithsej 20 faktorë me notën 1 (shumë mirë) deri në 6 (shumë keq). Shigjetat japin ndryshimet krahasuar me vitin e shkuar. Vlerësimi i faktorëve më pozitivë dhe më negativë ka ndryshuar shumë pak, krahasuar me rezultatet e vitit 2013.
Vlerësimin më pozitiv e kanë marrë faktorët: kostoja e punës (2.74), produktiviteti dhe motivimi i punonjësve (2.97), kualifikimi i punonjësve (3.00) si dhe arsimi akademik (3.15). Por krahasuar me vitin e shkuar, të katër faktorët e parë – me përjashtim të faktorit kosto e punës – janë përkeqësuar, disa në mënyrë të konsiderueshme. Kualiteti i arsimit profesional vazhdon të vlerësohet negativisht, duke treguar se që nga fillimi i realizimit të këtij anketimi nuk ka ndryshuar asgjë thelbësore. Vlerësimin më negativ e morën faktorët: parashikueshmëria e politikave ekonomike (3.82), transparenca e tenderëve publikë (3.97), lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit (4.00) dhe siguria ligjore (4.16).
Pjesa më e madhe e faktorëve ka pësuar rënie, krahasuar me rezultatet e vitit të kaluar. Vlerësimi negativ për faktorin barra tatimore, i cili në vitin 2013 mbante vendin e 5-të, e ka kaluar atë këtë vit në vendin e 14-të. Kjo vjen për shkak të sistemit të ri tatimor në Shqipëri, i cili hyri në fuqi në janar të vitit 2014. Vendin e fundit këtë vit e mban faktori siguria ligjore, i cili vitin e shkuar ishte në vendin e 17-të. Ky rezultat dëshmon për një situatë të vështirë të Shqipërisë si vend për investime, si dhe një hezitim të investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri.
Analizat e katër faktorëve, të vlerësuar më negativisht: parashikueshmëria e politikave ekonomike, transparenca e tenderëve publikë, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit si dhe siguria ligjore mund të kuptohen si një prej detyrave urgjente për qeverinë shqiptare, me qëllim përmirësimin e Shqipërisë, si një vend për investime.
Rezultatet
Rezultatet e anketimit të vitit 2014 për vlerësimin e situatës ekonomike në Shqipëri tregojnë thuajse të njëjtën tablo sikurse edhe vitin e shkuar, por me shumë pak ndryshime pozitive. 13% e të anketuarve e shohin situatën aktuale ekonomike pozitivisht, ndërkohë që në vitin 2013, kjo shifër ishte 12%. 26% e vlerësojnë situatën ekonomike deri diku të kënaqshme, ndërkohë që 62% e kompanive të anketuara e vlerësojnë situatën aktuale ekonomike në Shqipëri negativisht.
Për sa i përket së ardhmes, në përgjigjet e të anketuarve vihet re shpresë për përmirësimin e situatës ekonomike në Shqipëri. 23% e të pyeturve besojnë se ekonomia shqiptare do të ketë rritje gjatë vitit në vazhdim. Kjo është vlera më e lartë e arritur që prej vitit 2011. Në vitin 2012 nuk besonte asnjë kompani në përmirësimin e gjendjes, ndërkohë që në shkurt 2013, vetëm 15% e të anketuarve e besonin një gjë të tillë. Me rëndësi është të përmendet, se për vitin 2014 vetëm 21% mendojnë për një përkeqësim të situatës.
Pas përkeqësimit të vazhdueshëm të rezultateve mbi vlerësimin e situatës së biznesit vetjak në vitet e fundit, në vitin 2014 vihet re një tendencë e re. Në vitet e shkuara ishin fillimisht 50% (2011), më pas 42% (2012) dhe së fundmi vetëm 24% (2013) e të anketuarve, që e vlerësonin pozitivisht situatën e bizneseve të tyre. Në vitin 2014, 36% e të anketuarve mendojnë pozitivisht. 51% janë të mendimit se situata vetjake është e pandryshuar dhe vetëm 13% mendojnë se situata do të përkeqësohet.
Për sa u përket pritshmërive lidhur me të ardhurat nga shitjet, rezultatet janë të përziera. Krahasuar me vitin 2013, ka një numër më të madh kompanish (41%), të cilat presin të ardhura në rritje, por gjithashtu është rritur edhe përqindja e të pyeturve (23%), që besojnë se të ardhurat do të pësojnë rënie.
Kompanitë pjesëmarrëse janë optimiste edhe për sa i përket zhvillimit të sektorit në të cilin ato operojnë. 28% e të anketuarve shprehin përmirësim në zhvillimin e sektorit që përfaqësojnë.
Vlerësimi më i mirë i situatës ekonomike vetjake nuk shprehet në gatishmërinë e biznesit për rritjen e investimeve. Më tepër se gjysma e të anketuarve shprehen se nuk planifikojnë investime të mëdha.
Edhe në gatishmërinë për rritjen e numrit të të punësuarve, kompanitë tregohen të kujdesshme. 64% e të anketuarve shprehen se nuk do ketë ndryshime në numrin e të punësuarve, ndërkohë që vëmë re se vetëm 8% e të pyeturve planifikojnë një ulje të numrit të punonjësve.
ANKETA
Anketimi është kryer në bashkëpunim me Dhomat Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK) në Rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore.
Vrojtimi është një projekt i përbashkët i Dhomave Gjermane të Tregtisë në Europën Qendrore dhe atë Lindore (16 vende)
•Pjesëmarrësit në këtë vrojtim janë anëtarët e dhomave përkatëse
•Në Shqipëri: 39 pjesëmarrës (54% e anëtarëve të DIHA-s iu përgjigjën pyetësorit)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.