Në Spanjë, shoqëritë e klubeve nuk jetojnë vetëm me futboll. Dhe shembullin e japin dy skuadrat më të famshme, Barcelona dhe Real Madridi, të dyja klube shumësportësh.
Natyrisht dominon futbolli, por ky nuk është i vetmi sport. Barcelona, për shembull, ka edhe skuadër minifutbolli, basketbolli dhe hokej, ndërsa te Reali, pak nga pak, janë “zhdukur” disa prej skuadrave të saj, duke pasur sot vetëm basketbollin. Por çfarë ndikimi luan basketbolli, pa dyshim sporti kryesor pas futbollit, në të ardhurat e dy klubeve?
Barcelona, ndikimi i basketbollit
Viti rekord i blaugranave, nga pikëpamja ekonomike, me shumë gjasa mund të ishte edhe më i mirë, pa skuadrën e basketbollit.
Shifrat në fakt flasin qartë – Të ardhurat e skuadrës së drejtuar nga Xavi Pascual që vitin e kaluar humbi në finale kampionatin në përballjen me Real Madridin dhe u eliminua në fazën playoff të Euroligës kundër rusëve të Kuban, kanë qenë 6,811 milionë euro. Kjo është rritur lehtësisht në përqindje, duke qenë se në vitin 2015 ka qenë veç 0,77% (4,312 milionë euro)
Nga pikëpamja e kostove, ajo e stafit të skuadrës së basketbollit ishte 21,275 milionë euro: rreth 5,7% e shumës totale të pagesave të shoqërisë që në sezonin 2015/16 janë ulur në kuotën e 371.735.
Pothuaj i njëjtë (5,5%) është edhe ndikimi në kostot operative, që për basketbollin arrinin në 29,127 milionë, ndërsa në total kapën shifrën e 527,961 milionë eurove.
Real Madrid, impakti në basketboll
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Real Madridin. Pavarësisht suksesit në Kampionat (ndërsa në Euroligë u eliminua në playoff përballë Fenerbahces) blancos kanë pasur pothuaj të njëjtin impakt në bilancin e të ardhurave si kundërshtarët e tyre, Barcelona.
Të ardhurat e skuadrës së basketbollit të Real Madridit për sezonin 2015/16 ishin 10,873 milionë euro; rreth 1.75% të shumës totale për shoqërinë, që në sezonin e kaluar ka arkëtuar 620,132 milionë euro. Këto shifra janë më të mira nëse krahasohen me ato të blaugranave.
Kostoja e personelit të skuadrës së basketbollit ishte 25,865 milionë euro, rreth 8,3% e shifrës së përgjithshme (308,877). Duke marrë në konsideratë gjithë kostot operative, basketbolli zë 35,328 milionë euro, rreth 7,7% e kostos totale të shoqërisë. Këto shifra janë në rënie nëse e krahasojmë me sezonin 2014/15 (kur ndikimet ishin respektivisht 10,3% dhe 8,5%), por gjithsesi të kënaqshme.