Kur u mbyll sipari në San Francisko, shumë mbetën me gojë hapur. Pavarësisht shumë thashethemeve të ditëve të fundit, pak e imagjinonin se kompania me seli në Mountain View do të prezantonte përveç dy smartphone-ve Pixel 2, edhe gjashtë pajisje të tjera.
Google lançoi Google Home Mini dhe Google Home Max, dy asistentë për shtëpinë, syzet e reja Daydream View 2, kufjet smart Pixel Buds dhe në fund Google Clips, një fotokamerë që fotografon momentet më të bukura të ditës dhe i dërgon automatikisht tek smartphone.
Nga eventi që zgjati rreth katër orë, doli në pah roli që do të ketë inteligjenca artificiale në pajisjet e ardhshme të Google.
Google Home Mini
Rëndësia që Gogle i ka kushtuar asistentit të saj zanor shpjegon pjesërisht vullnetin për të lançuar një version më të vogël të Google Home, asistentit zanor për shtëpinë, i prezantuar vitin e kaluar.
Bëhet fjalë për një pajisje (Google Home Mini) që pavarësisht dimensioneve të reduktuara, është shumë e fuqishme, si në riprodhimin e audios si për sa i përket regjistrimit të zërit. Në pjesën e përparme do të ketë dhe 4 drita LED. Google Home Mini do të vijë në tri ngjyra dhe do të kushtojë 49 dollarë.
Google Home Max
Pranë Google Home Mini u prezantua edhe Google Home Max, një version me karakteristika më të mira se ai i mëparshëm. Asistenti inteligjent zotëron një sistem audio më të fuqishëm. Është interesant edhe funksioni nëpërmjet të cilit Google Home Max është në gjendje të përshtasë automatikisht zërin në varësi të llojit të mjedisit. Google Home Max suporton platforma të ndryshme streaming si YouTube dhe Spotify.
Pajisja do të jetë në dy ngjyra dhe do të kushtojë 399 dollarë.
PixelBook
Nuk mund të mungonte edhe PixelBook, me sistem operativ Chrome OS. Notebook-u i ri është shumë i lehtë dhe i hollë (peshon 1,1 kg) dhe mund të përdoret edhe si tablet. PixelBook ka ekran LCD 12,3 inç Quad HD, procesor Intel Core i5 ose Core i7 të gjeneratës së tetë, 16 GB RAM dhe 512 GB memorie të brendshme.
Bateria e Notebook mund të zgjasë deri në dhjetë orë. Notebook ka të integruar Google Play store dhe suporton Google Asistant. Çmimi i modelit bazë të Pixelbook fillon nga 999 dollarë.
Daydream View 2
Një tjetër pajisje e prezantuar nga Google gjatë eventit të San Franciskos është Daydream View 2, syzet e gjeneratës së dytë të realitetit virtual. Syzet e reja kanë një sistem hardware të përmirësuar dhe lente më cilësore. Natyrisht syzet do të funksionojnë me Pixel 2 dhe të gjithë pajisjet e tjera kompatibël me Google Daydream. Çmimi: 109 euro.
Google Clips
Ndër tetë pajisjet e prezantuara nga kompania e Mountain View është edhe Google Clips, një fotokamerë e cila regjistron gjithë momentet më të bukura të ditës dhe i dërgon automatikisht tek smartphone. Ajo do të jetë e pajisur edhe me një buton me të cilin mund t’i shkrepni fotot manualisht. Google Clips suporton edhe Google Foto. Pajisja do të kushtojë 249 euro.
Google Pixel Buds
Përgjigjja ndaj AirPods të kompanisë Apple. Google Pixel Buds mbështeten tek Google Assistant dhe Google Translator. Kufjet wireless do të kushtojnë 159 euro.
Pixel 2 e Pixel 2 XL
Pixel 2 dhe Pixel 2XL janë dy smartphone mjaft të ndryshëm nga njëri – tjetri. Përveç dimensioneve të ekranit, dy telefonat ndryshojnë edhe nga dizajni.
Pixel 2 dhe Pixel 2 XL kanë procesor Snapdragon 835, i suportuar nga një akselerator grafik Adreno 540, 4 GB RAM dhe 64 ose 128 GB memorie të brendshme. Ekrani i Pixel 2 është 5 inç, 16:9. Pixel 2 XL ka ekran 5,99’’, me rezolucion QuadHd 2880 x 1440 piksel, 18:9.
Sa i përket sektorit fotografik, kamera në pjesën e pasme është 12 megapiksel, e cila ka marrë 98 pikë tek DxOMark, faqe e specializuar në benchmark të fotokamerave të smartphone-ve, vlerësimi më i lartë që është marrë deri më tani nga ndonjë smartphone. (Rekordin e mëparshëm e mbanin iPhone 8 Plus dhe Samsung Note 8 me 94 pikë)
Hapja e fokusit është 1,8 dhe integron modalitetin HDR+ dhe stabilizatorin optik. Ndërsa fotokamera e përparme është 8 megapiksel me hapje fokusi 2.4.
Të dy smartphone-t janë rezistentë ndaj ujit falë certifikatës IP67, ndërsa në pjesën e pasme gjendet një sensor për gjurmët dixhitale. Sa i përket baterisë, Pixel 2 ka bateri 2700mAH, ndërsa Pixel 2 XL bateri 3520 mAh
Pixel 2 do të kushtojë 649 dollarë versioni 64GB dhe 749 dollarë versioni 128GB. Versioni 2 XL do të kushtojë 989 euro në versionin me memorie 64 GB.