Johannes Hahn: Ne duhet ta përdorim këtë moment në dobi të integrimit të Ballkanit Perëndimor

10/02/2018 9:09 AM 0 komente

Në një intervistë të dhënë për BNR e Bullgarisë, komisioneri i BE-së për Negociatat e Zgjerimit dhe Politikat Europiane të Fqinjësisë, Johannes Hahn, u shpreh mbi ambicien e Bullgarisë për të krijuar një perspektivë europiane për Ballkanin Perëndimor gjatë Presidencës së radhës të Këshillit të BE-së:

“Unë i jam mirënjohës Bullgarisë për Samitin e ardhshëm në maj të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të jetë njëkohësisht edhe samiti i parë i rëndësisë së lartë që prej atij të mbajtur në Selanik në vitin 2003.

Ky moment është shumë i rëndësishëm. Vitin e kaluar ne krijuam parakushtet në një nivel europian dhe këtu dua të theksoj edhe deklaratën e udhëheqësve të shtetit dhe të qeverisë dhe fjalimin e z. Jean-Claude Juncker mbi të ardhmen e Bashkimit Europian. Pra, është e rëndësishme që ne të dimë ta përdorim këtë situatë dhe këtë shtysë të momentit për integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke e zhvilluar atë deri në fund. Është e qartë edhe se shtetet e ndryshme të Ballkanit janë në një fazë të ndryshme të përgatitjes së tyre.
Ne duhet të mundohemi të ecim në të njëjtën linjë me përparimin e tyre, por edhe ta vlerësojmë atë, tha më tej z. Hahn.

Referuar statistikave të Johannes Hahn, mbështetja e shteteve të Ballkanit Perëndimor për BE-në nuk është reduktuar, duke marrë si shembull konkret shtetin serb, duke shtuar se ky vend po e përkrah edhe më shumë BE-në.
“Kjo mbështetje varet nga shkalla në të cilën qytetarët e vendeve të paintegruara në BE, e ndiejnë nevojën dhe mbi të gjitha, vënë në dukje avantazhet e të qenët pjesë e Bashkimit Europian.

Negociatat me Serbinë ndikuan duke shkaktuar një trend në rritje në lidhje me investimet e huaja atje dhe ndërkohë ne po bisedojmë me investitorë nga e gjithë bota. Biznesi është i pari ai që e ka reflektuar përparimin e këtyre negociatave, si dhe perspektivën e mirë. Edhe funksionimi i të gjitha këtyre marrëveshjeve në bazë të ligjit është një aspekt tjetër thelbësor.
E gjithë kjo situatë mund të interpretohet në mënyrë graduale në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në arritjen e një standardi më të lartë jetese.

Por nuk duhet të harrojmë edhe se kohët e fundit, europianët po shfaqin një lodhje të theksuar si pasojë e hyrjeve të reja në BE, kryesisht si rezultat i krizës ekonomike, financiare dhe asaj të emigracionit.
Ne jemi të vetëdijshëm për këtë fakt dhe prandaj mendoj se politika e zgjerimit duhet parë dhe shpjeguar jo vetëm për qytetarët e vendeve që aplikojnë, por edhe për qytetarët e shteteve anëtare, tha për BNR z. Hahn.

Unë e shikoj në këtë mënyrë: ne ose duam që BE-ja të eksportojë siguri dhe qëndrueshmëri ose duam që t’i importojmë atij komuniteti pasiguri dhe një mungesë të theksuar qëndrueshmërie.
Në rolin e “avokatit” që më është caktuar për Ballkanin, mund të them edhe se Bullgaria është e angazhuar për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë, por situata është shumë më e ndërlikuar se kaq, theksoi komisioneri i BE-së, z. Hahn. Ai shtoi se “BE-ja e kupton që Turqia është një partner i rëndësishëm dhe prandaj ne bashkëpunojmë me këtë shtet në një nivel shumë të lartë në fusha të ndryshme.

Sipas këndvështrimit të BE-së, Turqia nuk është z. Erdogan, dhe këtë gjë ne duhet të mundohemi t’ia bëjmë të qartë edhe të tjerëve.
Shumë njerëz në Turqi janë pro europianë në qëndrimin e tyre dhe duan anëtarësimin në BE. Po ashtu mendoj se është ende herët që të spekulohet për llojin e partneritetit që ne mund të ndërtojmë me Turqinë.

Ne i vlerësojmë dhe i përshëndesim përpjekjet e muajve të fundit të Turqisë për normalizimin e marrëdhënieve. Si Turqia, ashtu edhe Europa, janë të interesuara që kjo gjë të ndodhë, madje edhe sa më parë të jetë e mundur.
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor” do të jetë pjesë e axhendës së BE-së, por pas Presidencës Bullgare.

Z. Hahn komentoi se, Ballkani Perëndimor do të jetë për një periudhë të gjatë kohe në qendër të politikave të BE-së, pasi Austria të marrë Presidencën nga Bullgaria, e ndjekur edhe nga Rumania. Në të njëjtën kohë, ne presin edhe progres në politikën dixhitale. Komisionerja bullgare e BE-së, Maria Gabriel, ka qenë shumë aktive në këtë drejtim.

Presidenca bullgare sigurisht që do të ketë përparësi në drejtime të tjera, të tilla si siguria dhe politika e energjisë. Vlen për t’u theksuar edhe propozimi i ardhshëm i Komisionit Europian për strukturën financiare shumëvjeçare.
Sipas komisionerit Hahn, diskutimi në lidhje me strukturën financiare ecën në të njëjtën linjë me atë të zhvillimit afatgjatë të BE-së.

Ndoshta një prej çështjeve më kryesore të shekullit të 21 do të jetë emigracioni. Ne duhet të monitorojmë zhvillimin në Afrikë, ku presim dyfishim të popullsisë deri në mesin e shekullit të 21, ndërsa deri në fund të tij ne presim që popullsia e këtij shteti të jetë katërfishuar.
Zhvillimi ekonomik i Afrikës duhet të jetë një prej çështjeve më të rëndësishme të BE-së, në mënyrë që të krijohet edhe një perspektivë për njerëzit që jetojnë atje.

Ne duhet të mbështesim stabilizimin e institucioneve por e gjithë kjo situatë kërkon edhe një mbështetje të madhe financiare. E thënë ndryshe, mund të konsiderohet si një angazhim i përbashkët, një investim nga ana e të gjithëve, në mënyrë që të shmangim disi flukset e emigrantëve në Europë.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz