Buxheti i Francës nuk është aq i guximshëm sa përpiqet ta bëjë të duket Emmanuel Macron. Deficiti po shënon përparime, por jo reforma strukturore
Për të gjithë ata që janë në kërkim të gjetjes së provave se Emmanuel Macron bazohet në një rishikim radikal të ekonomisë dhe në një buxhet të ri të Francës që, për momentin po diskutohet në Senat, provat dhe dëshmitë e dhëna nuk janë aspak të qarta, shkruan The Economist. Për ata që kërkojnë dëshmi se Emmanuel Macron është vendosur në një rishikim radikal të ekonomisë, buxheti i ri i Francës, tani i debatuar në Senat, ofron prova të përziera. Të gjitha fjalimet e tij shumë të guximshme, mbi “transformimin e Francës”, sidomos në disa sektorë të veçantë siç është ai i shpenzimeve publike deri më tani duket se kanë qenë thjesht në tentativë. Pa dyshim që ka pasur shumë për të rregulluar, gjithsesi.
Gjatë vjeshtës së këtij viti, z. Macron nënshkroi reformat për të rritur fleksibilitetin në tregun e punës. Megjithatë, vlerësimi i plotë i ndikimit të tyre nuk mund të shihet menjëherë sepse zbatimi i tyre kërkon kohë dhe një rënie në ciklin ekonomik, që nënkupton se papunësia duhet të ulet me 9.7% në çdo rast. Nuk dihet nëse sindikatat do të vazhdojnë të kenë fuqinë e tyre ‘de facto’ për të vendosur disa kushte kombëtare mbi pagat, duke kufizuar në këtë mënyrë fleksibilitetin e firmave, pa marrë parasysh se çfarë mund të thonë ligjet. Ekonomistët do të kenë material për të diskutuar në lidhje me këtë temë për vite e vite me radhë. Buxheti është më i lehtë për t’u aksesuar.
Dy janë masat më të rëndësishme që duhen marrë sa më parë. Presidenti flet për një Francë e cila inkurajon krijimin e pasurisë dhe jo shtimin e zilisë ndaj të pasurve. Heqja e taksës së pasurisë, e miratuar që në vitin 1982, është një prej veprimeve më të guximshme. Kjo taksë është zëvendësuar pjesërisht me një taksë mbi pronat e kushtueshme. Të ardhurat do të bien nga një nivel modest prej 5 miliardë euro në vitin 2016 në vetëm 1.8 miliardë euro vitin e ardhshëm. Një prej përfitimeve në këtë drejtim do të jetë fakti që numri i të pasurve që do të emigrojnë do të ulet (sepse bazuar në disa të dhëna të publikuara kohët e fundit, Francës i janë larguar rreth 60,000 milionerë që nga viti 2000).
Ndërsa disa të tjerë mund të rrisin nivelin e investimeve në Francë, si për shembull në startup-et teknologjike. Por z. Macron është etiketuar si “Presidenti i të pasurve”. Masa e dytë e dukshme është që deficiti buxhetor i parashikuar të arrihet të mbahet nën 3% të PBB-së, siç kërkohet nga ligji i BE-së dhe ai ka gjasa të jetë 2.9% në vitin 2018. Dhe kjo është një çështje me rëndësi për z. Macron, sepse ai dëshiron që të jetë kreu i parë francez, gjatë dekadës së fundit që të arrijë ta çojë deficitin poshtë 3%.
“Trysnia që po ushtrohet mbi administratën për të arritur një rezultat të tillë është e madhe”, shprehet Bruno Cavalier, nga Oddo Securities. Z. Macron kërkon kredibilitet fiskal, pjesërisht për të bindur qeveritë e ardhshme gjermane t’i kushtojnë më shumë vëmendje planeve për reformën e Eurozonës. Për të arritur përmbushjen e një synimi të tillë, mjafton të kujtojmë faktin sesi zyrtarët reaguan ndaj shfaqjes në buxhet të një borxhi prej 10 miliardë dollarësh, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që shtesa mbi dividentët që kompanitë paguanin më parë të ishte e paligjshme.
Në vend që të prishnin arritjen e targetit prej 3% të PBB-së, zyrtarët ndryshe nga ata të administratave të mëparshme, ranë dakord për vendosjen e një takse të vetme mbi 320 firmat më të mëdha të Francës. Kjo e shtyn përkohësisht taksën e korporatës, pavarësisht premtimit të z. Macron për të ulur normën nga 33.3% në 25% në një periudhë pesëvjeçare. Më mirë vendosja e një “takse kapriçioze”, sesa mospërmbushja e objektivit të deficitit. Megjithatë z. Macron mori goditjen e parë ditët e fundit, kur Komisioni Europian e përfshiu Francën në listë përbri 6 shteteve të tjera, me frikën se edhe ajo mund të mos e përmbushë objektivin prej 3% të PBB-së, gjatë vitit të ardhshëm. KE-ja është gjithashtu e shqetësuar edhe për nivelin e lartë të borxhit publik në Francë.
Hapat e tjerë janë modestë dhe të mirëpritur. Disa pensionistë do të paguajnë tarifa më të larta të sigurimeve shoqërore, edhe pse firmat paguajnë tarifa më të ulëta për punësimin e punonjësve. Vendosja e një takse të sheshtë prej 30% mbi të ardhurat e investimeve dhe një barrë më e lehtë se më parë, priten që të gëzojnë sipërmarrësit. Heqja graduale e taksës së pronës për rreth 80% të familjeve (e ndarë nga ajo e vendosur për më të pasurin) është një prej vendimeve më popullore, por në të njëjtën kohë nënkupton një humbje me rreth 3 miliardë euro të ardhurash në vitin 2018 dhe më vonë.
Ata që guxuan të shpresonin për një ndryshim rrënjësor gjatë vitit të parë të Presidencës së z. Macron, që u pasua vetëm me një situatë të qëndrueshme, janë edhe ata që ndihen më të zhgënjyerit. “Unë kam pritur gjithnjë më shumë sesa kaq dhe nuk jam i bindur nëse ata do të ndërtojnë një situatë të tillë lirie, e cila do të shoqërohet edhe me rritje”, shprehet Marc Ivaldi i Shkollës Ekonomike të Toulouse. Ai nuk sheh asnjë “ide apo strategji të fortë” për të udhëhequr politikën. Z. Cavalier ankohet edhe për mungesën e ndryshimeve “të mëdha”.
Por më shumë nga të gjitha, ai është i zhgënjyer nga fakti se shpenzimet publike “plotësisht të çmendura” nuk pritet që të shkurtohen në një periudhë të afërt kohore. Shteti shpenzon rreth 56.% të PBB-së, më lart se mesatarja europiane prej 46.3%. Gjatë këtij viti, z. Macron ka folur për uljen e shpenzimeve në nivelet nordike (shteti suedez shpenzonte rreth 50% në vitin 2016). Z. Cavalier e quan këtë qëllim “ambicioz”, duke pasur parasysh mungesën e një nisme të tillë. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar mendon se një lëvizje e tillë është urgjente. Në shtator, ai tha se reforma e shpejtë dhe gjithëpërfshirëse e shpenzimeve do të ishte e nevojshme nëse z. Macron do të mbante premtimin e tij për të kursyer 60 miliardë euro në mandatin e tij pesëvjeçar.
Nëse rritja do t’i tejkalojë parashikimet zyrtare prej 1.7% vitin e ardhshëm dhe shpenzimet e qeverisë qendrore do të jenë të qëndrueshme, në afërsisht 385 miliardë euro, ashtu edhe siç ishte planifikuar, atëherë raporti i shpenzimeve ndaj PBB-së mund të përmirësohej. Por ka pak tregues të ndryshimit strukturor, për të cilat z. Macron premtoi se do të shfaqeshin menjëherë pasi ai të merrte pushtetin. Ai tha se do të shkurtoheshin rreth 120,000 vende pune në sektorin publik brenda një periudhe pesëvjeçare, por që nga ardhja e tij në pushtet e deri më tani, ai s’ka bërë publike asnjë plan në këtë drejtim.
Ndërkohë për shpenzimet nga qeveritë lokale dhe rajonale, të cilat kanë shënuar një rritje gjatë viteve të fundit, u premtuan se do të shënonin një rënie modeste vitin e ardhshëm. Një tjetër sfidë e madhe e kësaj qeverie janë edhe pensionet. Sipas një krahasimi të fundit të bërë nga OBZHE-ja, hendeku i madh ndërmjet Francës dhe Suedisë vjen kryesisht sepse Franca shpenzon më shumë në sektorin e pensioneve në krahasim me Suedinë (Franca shpenzon 14.3% të PBB-së për pensionet, ndërsa Suedia shpenzon vetëm 10% të PBB-së së saj). Në mënyrë që situata në këtë drejtim të mos rëndohet, duhet të merren masa të ndryshme, p.sh. rritja e moshës së pensionit.
Por, sa janë mundësitë që Franca të dalë nga gjendja e saj e jashtëzakonshme?
Ministri i Financave, Bruno Le Maire, gjatë verës së shkuar u përpoq që të ndikonte në shitjen e një të dhjetës së pronave të mëdha publike të vendit. Sipas një auditimi të kryer në fillim të këtij viti, u zbulua se ishin kryer investime publike me vlerë rreth 100 miliardë euro në rreth 1,800 firma. Firmat që janë në pronësi të shtetit, punësojnë rreth 800,000 njerëz, më tepër se në çdo shtet tjetër të madh europian.
Edhe pse z. Macron është në një pozitë të fortë tani për tani, pa një opozitë serioze në Parlament dhe në rrugë, të paktë janë njerëzit që ende vazhdojnë të shpresojnë për një ndryshim radikal. Por ai gjithsesi ka ende mundësi dhe nëse do të tregohet i zgjuar mund ta përdorë ketë situatë për të nxitur ndryshime të mëtejshme, p.sh. zhvillimin e një raundi të dytë të reformave të premtuara të punësimit, si dhe duke dobësuar fuqinë e forcuar të sindikatave, apo duke ulur kostot e pensioneve. Mundësia që të jepet për të bërë ndryshime strukturore është tejet e shkurtër, dhe duhet të veprosh në kohën e duhur për të pasur sukses.