Cristiano Ronaldo është një lojtar i Juventus. Lajmin e zyrtarizoi së pari Real Madrid, që nga faqja e vet përshëndeti futbollistin portugez: “Për Realin, Cristiano Ronaldo do të jetë gjithnjë një ndër lojtarët më të mëdhenj simbol dhe një pikë referimi për gjeneratat e ardhshme. Do të jemi gjithnjë shtëpia jote”.
Në të njëjtën kohë me lajmin tek faqja spanjolle u publikua edhe letra e lamtumirës së fituesit 5 herë “Topi i Artë”. “Këto vite te Real Madridi, në këtë qytet, kanë qenë ndoshta më të lumturit në jetën time. Ndihem mirënjohës ndaj këtij klubi dhe këtij qyteti. Dua t’i falënderoj për gjithë dashurinë që më dhanë. Megjithatë – shpjegoi CR7, besoj se ka ardhur koha për ta hapur një faqe të re në jetën time dhe për këtë i kam kërkuar klubit të pranojë transferimin tim. Ndihem kështu dhe u kërkoj të gjithëve, veçanërisht fansave të mi, të më kuptojnë”.
“Kanë qenë 9 vite të mrekullueshme. Kanë qenë 9 vite unike. Ka qenë një periudhë emocionuese për mua, por edhe e vështirë, pasi Real Madrid është mjaft kërkues. Kam pasur shok të mrekullueshëm skuadre në fushë dhe në dhomat e zhveshjes, kam ndier ngrohtësinë e një tifozerie të pabesueshme dhe së bashku kemi fituar 3 Champions radhazi dhe 4 Champions në 5 vjet. Dhe falë tyre, në planin individual, kam pasur kënaqësinë të fitoj 4 ‘Topa të Artë’ dhe 3 ‘Këpucë të Arta’ gjatë periudhës sime në këtë klub të jashtëzakonshëm”.
“Po largohem, por kjo fanellë, kjo emblemë dhe Santiago Bernaneu do të vijoj t’i ndiej si diçka timen. Faleminderit të gjithëve dhe, natyrisht, siç thashë herën e parë në stadiumin tonë 9 vjet më parë: Hala Madrid!” – përfundon letra e portugezit.
Më pas, erdhi deklarata e shumëpritur e Juventus, e cila zyrtarizoi blerjen e Cristiano Ronaldo nga Real Madrid.
Siç bën të ditur familja Agnelli, Ronaldo është transferuar te Juventus për 105 milionë euro. Bëhet fjalë për një shumë të rëndësishme, edhe pse larg vite dritë larg klauzolës 1 miliard euro në kontratën e lojtarit te klubi i Real Madridit.
Kjo është blerja e shekullit për Zonjën e Vjetër, shifra të larta që vërtiten te 400 milionë euro, ku përfshihen blerja e kartonit të futbollistit portugez dhe paga për 4 vitet e ardhshme. Ardhja e CR7 parashikohet për javën e ardhshme.
Juventus e mbyll deklaratën duke thënë se kontrata e yllit portugez do të zgjasë 4 vjet deri më 30 qershor 2022.