Ethet e Cristiano Ronaldo janë duke përfshirë klubin e Juventus. Klubi më i madh i futbollit në Itali ka shitur në vetëm 24 orë më shumë se 60 milionë dollarë fanella “Ronaldo”. Kjo është më shumë se gjysma e vlerës së tij të transferimit.
Ronaldo u largua nga klubi i Real Madridit te Juventus, me një marrëveshje prej 129 milionë dollarësh javën e kaluar. Por klubi italian nuk do të mund ta rikuperojë pjesën më të madhe të parave të shpenzuara për blerjen e lojtarit vetëm nga shitja e fanellave. Zakonisht klubet marrin vetëm 10-15% të të ardhurave të gjeneruara nga prodhuesi i fanellave (në këtë rast, Adidas). Prandaj është e mundur që Juventus të përfitojë 6 – 9 milionë dollarë nga këto para.
Megjithatë, Juventus i ndien ende efektet e blerjes së një prej futbollistëve më të famshëm në planet.
Kur dolën zërat e parë rreth transferimit të Ronaldos te klubi bardhezi, aksionet e Juves u rritën thuajse 40%. Po ashtu është rritur numri i ndjekësve në rrjetet sociale, me më shumë se 1,5 milionë ndjekës të rinj në një ditë të vetme.
Sipas BBC, duke folur për transferimin e tij, futbollisti portugez ka thënë se shpreson që ta “ngrejë Juventus në një nivel më të lartë”. Ndërsa sipas The Guardian, CR7 “dëshiron të lërë shenjë në historinë e Juventus”. Duket se ai i ka bërë këto gjëra, madje pa goditur asnjë top.
Shumë tifozë të rinj përshëndetën ardhjen e heroit të tyre të ri, duke veshur fanellat e Juventus, me emrin “Ronaldo” dhe numrin 7.
Të tjerë veshën t-shirt me mesazhin “Bem-vindo” – “mirë se erdhe” në gjuhën portugeze, të cilat 5000 tregtarë i vunë në postera para mbërritjes së Ronaldo.
Një dyqan lokal akulloreje ka krijuar madje një akullore me emrin CR7, e përbërë me liker portugez qershie dhe copa çokollate.
Burimi: Business Insider