Klubi i Juventusit mbushi 120 vjeç. Dhe për të festuar 120-vjetorin, të dielën e shkuar, në ndeshjen kundër Beneventos, Juventus luajti me një fanellë të veçantë, e prodhuar nga Adidas, në një numër të limituar dhe simbolik: vetëm 1897 ekzemplarë.
Një fanellë e stilit vintage, që të kujton atë të viteve ’50 me sponsorë thuajse të padukshëm. Gjithashtu tek pjesa e prapme e fanellës bie në sy mungesa e emrave të futbollistëve, teksa shfaqen vetëm numrat e tyre.
Kostoja? 189 euro. Shumë më e lartë se fanella klasike, por gjithsesi një çmim i justifikuar. Çmimi megjithatë nuk i ka stepur tifozët, dhe fanellat janë shitur në pak kohë, si ato online, si 100 ekzemplarët e vënë në shitje në pikat zyrtare të Juventusit.
Siç bën të ditur e përditshmja torineze, Tuttosport, nga shitja e këtyre fanellave Juventus ka fituar 358.000 euro, një shifër e rëndësishme në një fushatë të vetme marketingu.
Çfarë është interesante janë fitimet nga shitja e kësaj fanelle të veçantë, pra impakti që kjo fanellë historike ka pasur te tifozët bardhezinj, si rrallë ndonjëherë në klubet italiane, nëse i krahasojmë me klubet e Premier League p.sh. Fanellën mund ta gjeni në shitje edhe në website-n e-Bay me një shifër që varion mes 300 – 500 euro.
Por suksesi i kësaj fushate marketingu është edhe fakti që gjithmonë historia e një klubi është në gjendje të zgjojë emocionet e fshehta të tifozëve.