Juventus – Manchester United, sfidë edhe në bursë

07/11/2018 4:16 PM 0 komente

Nuk do të jetë vetëm një sfidë në Champions League. Për dikë, ndeshja e mbrëmjes së sotme mes Juventus dhe Manchester United në “Juventus Stadium” në orën 21:00, është edhe një derby.

Po flasim për Lindsell Train, fond investimesh me seli në Londër, i cili është aksioner si te “Zonja e Vjetër” edhe te “Red Devils”. Ai është partner biznesi me dy nga familjet më në zë në Europë – nga njëra anë Agnelli dhe në tjetrën Glazer. Por me një ndryshim, historia. Familja Agnelli e zotëron klubin bardhezi prej 120 vjetësh (rekord botëror për jetëgjatësinë), kurse familja Glazer është pronare e klubit historik anglez prej dhjetë vitesh (Manchester United është krijuar në vitin 1878).

I specializuar në argëtim dhe sport, Lindsell mbërriti në Torino në vitin 2012, duke blerë rreth 2% të aksioneve te klubi i Juventus. Siç shkruan Il Sole 24 Ore, kjo shifër është rritur me kalimin e viteve në 11,3% dhe sot, Lindsell është aksioneri i dytë i shoqërisë bardhezi, pas Exor të familjes Agnelli.

Ndërkohë që rriten aksionet e tij te Juventus (edhe më shumë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ronaldos me klubin italian), fondi Lindsell ka rritur aksionet edhe te Manchester United. Në verë, Fondi Lindsell bleu 5% të klubit që drejtohet nga Josè Mourinho.  Më 4 shtator, ai zotëronte 19% të aksioneve te klubi anglez, kurse sot zotëron 26% të aksioneve, një investim që vlen 236 milionë dollarë. Kurse te Juventus, sot aksionet e Lindsell vlejnë 110 milionë euro.

Një sfidë që zhvendoset kështu edhe në bursë, ku ecuria e dy kompanive ka qenë e ngjashme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of