Trajneri i Juventus, Massimiliano Allegri, bashkë me dy drejtuesit e klubit Marotta dhe Paratici janë takuar sot në qendër të Milanos, në një mbledhje informale për të përcaktuar strategjitë e Juventusit për merkaton e ditëve të ardhshme. Dy argumentet kryesore që janë diskutuar: nevoja për të afruar në skuadër një mbrojtës të krahut të djathtë dhe një sulmues krahu.
Emrat e diskutuar janë Danilo dhe Spinazzola për krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa për sulmin është ridiskutuar emri i Douglas Costa, edhe pse Allegri ia ka vënë syrin talentit të ri italian, Bernardeschi.
Juventus e sheh brazilianin Danilo, i cili në korrik do të mbushë 26 vjeç, si lojtarin që do t’i zërë vendin të sapolarguarit Dani Alves. Danilo u ble nga Florentino Perez në vitin 2015 nga Porto për më shumë se 30 milionë euro. Tani Reali nuk ulet poshtë ofertës prej 20-25 milionë eurosh. Juventus kishte ofruar 13 milionë euro + bonus, por me siguri do të duhet të rrisë ofertën, nëse do që ta blejë lojtarin.
Leonardo Spinazzola është një tjetër futbollist, të cilit bardhezinjtë ia ka vënë syrin. Juventus kërkon ta ketë sa më parë lojtarin në skuadë,r duke ia blerë Atalantës. Kontrata e Spinazzola-s përfundon në vitin 2018.
Nëse do të blihej Danilo nga Real Madrid, do të mbyllej pista e Douglas Costa. Njëri do të përjashtonte tjetrin duke qenë të dy futbollistë ekstrakomunitarë, sepse Juventus pas blerjes së Bentancur ka vetëm një vend të lirë për lojtar ekstrakomunitarë.
Me Bayern Munchen, marrëveshja ka mbetur e ngrirë, duke qenë se kërkesa nuk ndryshon: 50 milionë euro. Kështu që tashmë bardhezinjtë janë fokusuar totalisht te Bernardeschi i Fiorentinës, duke përfituar nga problemet e shoqërisë të klubit të Fiorentinës. Oferta pritet të jetë 40 milionë euro + bonus, dhe mendohet se do të arrihet një marrëveshje me klubin vjollcë.