Kadastrat e djegura në 1997 dhe ligji 7501, Vlora, Fieri dhe Gjirokastra “shpronësohen”

17/05/2018 11:08 PM 0 komente

Të vërtetosh pronësinë dhe të ligjërosh atë në Shqipëri është kthyer në një mision gati të pamundur. Mbivendosja që ka krijuar zbatimi i ligjit 7501 bashkë me djegien e zyrave kadastrale në vitin 1997 bashkë me elementet e korrupsionit dhe burokracitë në hipoteka po pengojnë seriozisht çuarjen e pronës tek i zoti. Shqetësimin në lidhje me këtë situatë E raportoi në Kuvendin e Shqipërisë  edhe Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Sipas saj qarqet me problematike në këtë drejtim janë ato të Vlorës, Fierit dhe Gjirokastrës.

ATP referon se qarku Vlorë, konkretisht bashkia e Sarandës dhe Delvinës janë mjaft problematike në marrjen e vërtetimeve kadastrale pranë organeve përkatëse për shkak se në këtë rreth Zyrat e Hipotekave janë djegur në vitin 1997, teksa ka pasur një vjedhje masive edhe në vitin 2009.

Agjencia e Trajtimit të Pronave raportin se edhe Qarku i Fierit gjendet në të njëjtën problematikë, ku dokumentacioni i hipotekave në bashkinë e Fierit dhe të Mallakastrës është djegur gjithashtu në vitin 1997.

Bashkitë e Gjirokastrës dhe Tepelenës për të njëjtat arsye pasi dokumentacioni i hipotekave është djegur në 1997 nuk mund të lëshojë informacione dhe vërtetime në lidhje me gjendje më të hershme të pronësisë.

Agjencia e Trajtimit të Pronës pohon se në të treja këto qarqe procesi i azhornimit për regjistrimin e pronës në hipotekë nuk ka përfunduar duke sjellë mungesën e informacionit për statusin juridik të pronës së pretenduar si dhe mos plotësimin e dokumentacionit hartografik nga qytetarët.

Gjithashtu qarqet e tjera ku përfshin Tirana, Dibra dhe Elbasani ekspozojnë plot problematika të tjera. Agjencia e Trajtimit të Pronës referon se, ZVRPP në Tiranë përcjellin fragmente të dokumentacionit dhe hartave pa vulën lidhëse. Ndërsa të gjitha qarqet i sjellin vërtetimet për përfitimin nga ligji 7501 nga hipotekat pa informacionin e duhur sidomos sa i përket vendndodhjes së pronës,  e cila do të shërbejë për zbatimin e ligjit 33/2015 në lidhje me zbritjen e vlerës së përfituar.

Ndërsa në qarqet Durrës, Berat dhe Korçë bashkëpronarët në një pronarë e kanë të vështirë ta vërtetojnë pronësinë me dokumentacion.

Gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesave janë evidentuar problematika të shpeshta gjatë trajtimit të ankesave për njohje pronësie.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz