Kanceri po i vret qytetarët e Kosovës,  brenda një viti 1500 raste

25/03/2019 2:02 PM 0 komente

Vetëm gjatë dy viteve të fundit janë paraqitur mbi 3000 raste të reja që janë prekur nga lloje të ndryshme kanceri  në Kosovë. Shumica e këtyre rasteve janë trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Në Klinikën e Onkologjisë thotë se numri i të prekurve me kancer dita ditës po rritet. Derisa në vitin 2018 janë trajtuar mbi 1500 raste me kancer.

Qytetarët e Kosovës janë duke u rrezikuar çdo ditë e më shumë nga sëmundja e kancerit.  Numri i të prekurve me ketë sëmundje thuajse të pashërueshme është duke u rritur vazhdimisht. Sfidë mbetet mungesa e qasjes në medikamentet e reja farmaceutike, si dhe kostoja e lartë e tyre.

Gjatë gjithë vitit të kaluar në Qendrën Klinike Universitare janë trajtuar 1500 raste të reja me kancer. Lloji më i shpeshtë i  kancerit po del të jetë ai i mushkërive tek meshkujt dhe kanceri i gjirit tek femrat.

“Kanceri më i shpeshtë është kanceri i gjirit te femrat me rreth 95 % të paraqitjes së rasteve. Pra, nëse kemi 340 të paraqitur me sëmundjen e kancerit 330 janë femra ndërsa 10 janë meshkuj” , kanë thënë në Klinikën e Onkologjisë.

Në Onkologji kanë treguar se tek meshkujt dominon kanceri i mushkërive për shkak të duhanpirës.

“Pastaj si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat, pra me përqindje të njëjtë është kanceri i zorrës së trashë dhe në rendin e katërt vinë kanceri i organeve gjenitale te femrat, kaceret e pankreasit, kaceret e lukthit e kështu me radhë”.

Krahasuar me numrin e të prekurve me kancer viteve paraprake, rastet me këtë sëmundje dy vitet e fundit kanë shënuar rritje, pasi janë paraqitur 3 mijë.

“Një përqindje e pacientëve që ne nuk i evidentojmë është 5 deri në 10 për qind që dalin e marrin trajtim jashtë Kosovës ose që janë shtetas tonë, por që jetojnë jashtë vendit dhe natyrisht marrin trajtimin në vendet e Bashkimit Evropian. Kurse banorë rezident të Kosovës, ata që lajmërohen në klinikën tonë përbëjnë këtë numër prej 1500 deri në 1600 të prekur”.

Një përqindje e caktuar e atyre që janë të prekur me kancer jetojnë jashtë vendit dhe për ta nuk kanë të dhëna në Klinikën e Onkologjisë,  pasi trajtimin e marrin jashtë Kosovës.

Kurse të dhënat e  Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se në vitin 2014 numri i personave të prekur me kancer, e të cilët ishin regjistruar në Institutin e Onkologjisë ishte 760. Në vitin 2015 kjo shifër ishte rritur në 808, ndërsa në vitin 2016 të prekur me kancer ishin 1.236 persona. Ende më shumë kishte në vitin 2017 pasi u paraqiten 1.550 raste të reja t të prekur me kancer.

Hulumtimet dhe të dhënat botërore të prezantuara më parë kanë treguar se në botë janë 14 milionë raste të reja që paraqiten në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030 të shtohet ky numër në rreth 22 milionë.

Ndërkaq të dhënat tregojnë se nga kanceri në botë aktualisht vdesin rreth 8 milionë  persona në vit, derisa deri në vitin 2030 ky numër mund të shkojë deri në 13 milionë.

Sipas studimeve thuhet se në vendet me buxhet të ulët do të shtohen për 70 për qind rastet e vdekjeve nga kanceri, derisa në vendet e zhvilluara deri në 30 për qind, dhe kjo arsyetohet me faktin se vendet e zhvilluara kanë programe strategjike për parandalim të sëmundjes./Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of