Kanionet e Osumit; Aventurë, në vend të HEC-eve

18/05/2018 10:04 PM 0 komente

Udhëtim në kanionet e Osumit, që po kthehen në një atraksion të rëndësishëm turistik për të huajt dhe vendasit. Si shpëtoi kjo bukuri e natyrës nga dora shkatërruese e njeriut, që donte ta shfrytëzonte për ndërtimin e tre hidrocentraleve të vogla, por që do të kishin një dëm të pariparueshëm për turizmin dhe mjedisin

 

Zamo Spathara, president i Albania Rafting Group, është serioz, i prerë dhe i qartë, kur shpjegon rregullat që duhet të ndjekë grupi i gazetarëve, që pasi është pajisur me veshjet e posaçme dhe kokoren mbrojtëse, po përgatitet të bëjë rafting në Kanionet e Osumit. I kujdesshëm deri në detaj, ai paralajmëron se duhen ndjekur me përpikëri udhëzimet e shoqëruesit të çdo gomoneje, që janë disa djem të fuqishëm e të mirëtrajnuar. “Mbani të gjithë ritmin, ky është një udhëtim në grup”, pohon ai.

Disa prova në tokë dhe nisja e grupit të ndarë në disa gomone nuk vonon. Frikës së fillimit ia zë vendin adrenalina që sa vjen e rritet, teksa rrjedha e ujit hera-herës bëhet më e fortë. Vozitja në rrjedhën e rrëmbyeshme përmes grykave që herë zgjerohen e herë ngushtohen, sado që kërkon përqendrim, nuk arrin të të shmangë vëmendjen nga bukuritë që shtrihen në të dy anët e kanionit. Ndërthurja e skarpateve të kanionit me bimësinë dhe qiellin, të bëjnë të zhytesh në një botë tjetër surreale, larg zhurmës dhe stresit të përditshëm.

Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 metra i gjerë, i thellë deri në 70-80 metra, me shpate vertikale. Koha e formësimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë.

Ujëvarat janë një tjetër surprizë që i shtojnë më shumë adrenalinën udhëtimit, teksa shoqëruesi i grupit e fut gomonen poshtë saj dhe uji bie me furi mbi kokat tona. Ashtu si në përrallë, ato kanë nga një emër, që përputhen me magjinë dhe formën e tyre dhe i ngjajnë një historie romantike dashurie. “Ujëvara e Dashurisë”, quhet e para. Më pas vjen “Vello e nuses”. Pak më tutje, një tjetër që ata e kanë pagëzuar me emrin “Ujëvara e Shampanjës”. Ëmbëlsia vazhdon me “Ujëvarën e Sheqerit”, por më pas, ashtu si në përrallë nuk mungojnë elementet e papritura, me “Kokën e Krokodilit” dhe “Portën e Djallit” Një tjetër ka mbetur ende pa emër dhe është në pritje të propozimeve nga turistët. Në total janë tetë ujëvara, ku secila është unike në magjinë dhe misteret e veta.

Në një moment të udhëtimit, Blerina, që prej vitesh ka promovuar kanionet e Osumit tregon një ujëvarë, atë të Bigazit, që bie me furi nga lart. “Pikërisht këtu ishin planifikuar që të ndërtoheshin dy hidrocentrale dhe një tjetër do të ishte pak më poshtë”, thotë e pezmatuar ajo. Uji do të futej në tub dhe presioni i tij do të përdorej për të krijuar energji elektrike.
Anëtarët e Albanian Rafting Group as nuk duan ta mendojnë se çfarë do të ndodhte nëse ato do të ishin lejuar. “HEC-et që ishin planifikuar të ndërtoheshin pranë ujëvarës së Bigazit kërcënonin ekosistemin miliona vjeçar të kanioneve”, thotë Zamo. Ai shton se qëllimi i këtij udhëtimi është për të na treguar se çfarë do të humbisnim nëse ndërtoheshin ato HEC-e dhe sa bukur është kur lumi lihet të rrjedhë i lirë.

“Bota nuk i ka të tillë kanione dhe lumenj dhe i krijon artificialisht duke investuar miliona euro. Ne, këtë thesar na e ka falur Zoti dhe natyra, e duam ta shkatërrojmë. Ky kanion është pasuria jonë e përbashkët. Secili prej nesh ka një pjesë aty dhe të gjithë duhet ta mbrojmë, pasi përvojat e shteteve më të zhvilluara dhe vitet e kanë treguar se të ardhurat që sjell turizmi i përgjegjshëm janë shumë më të mëdha dhe shpërndahen në gjithë komunitetin, duke krijuar vende pune krahasuar me ndikimin që ka një HEC, i cili e fokuson fitimin në vetëm pak persona. Jam besimplotë se ekoturizmi dhe turizmi i aventurës, nëse zhvillohen me zgjuarsi duke ruajtur me fanatizëm natyrën, do të jenë e ardhmja e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë”, thotë Zamo Spathara, president i Albanian Rafting Group.

 

Mesazhi

“Bota nuk i ka të tillë kanione dhe lumenj dhe i krijon artificialisht duke investuar miliona euro. Ne, këtë thesar na e ka falur Zoti dhe natyra, e duam ta shkatërrojmë. Ky kanion është pasuria jonë e përbashkët. Secili prej nesh ka një pjesë aty dhe të gjithë duhet ta mbrojmë, pasi përvojat e shteteve më të zhvilluara dhe vitet e kanë treguar se të ardhurat që sjell turizmi i përgjegjshëm janë shumë më të mëdha dhe shpërndahen në gjithë komunitetin, duke krijuar vende pune krahasuar me ndikimin që ka një HEC, i cili fokuson fitimin në vetëm pak persona”

 

Përpjekjet e dështuara për ndërtimin e HEC-it

“Njoftimi për ndërtimin e 3 HEC-eve në kanionet magjike të Skraparit ishte si një rrufe në qiell të hapur”, thotë Doina Huso, zv/presidente, Albania Rafting Group. Ishte e pabesueshme. Ajo shton se u siguruan që qeveria shqiptare të informohej në lidhje me atë katastrofë natyrore që do t’i ndodhte një prej bukurive më të mëdha jo vetëm të Shqipërisë, por edhe Europës.

“Kishim bindje që do të kishte një reagim të shpejtë të institucioneve qendrore. Ishte i pari ministri Blendi Klosi, i cili erdhi dhe inspektoi situatën në terren dhe më pas një reagim i vetë Kryeministrit Edi Rama për anulimin e HEC-eve. Në kanionet e Osumit nuk do të ndërtohet asnjë HEC!”.
Çështja tani ka kaluar në gjykatë. “Besojmë se gjykimi më i madh për këtë kauzë ishte ai i mbarë qytetarëve brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë”, thotë Doina.

 

Kanionet si atraksion turistik

Kanioni i Osumit ka qenë thuajse i pashfrytëzuar për qëllime turistike deri në fillimin e viteve ’90. Pas viteve ’90 filluan ta vizitojnë turistë të huaj, kryesisht italianë dhe francezë, të cilit e kanë kthyer në një rit të përvitshëm.
Sporti i rafting kaloi në nivel profesional një dekadë më parë, kur u themelua dhe Albania Rafting Group. Doina Huso, zv/presidente, Albania Rafting Group, thotë se në fillim, turistët nuk i kalonin 40-50 persona në vit, ndërsa vitin e kaluar, numri i tyre arriti në 6,000 në lumenjtë e Osumit dhe Vjosës.

 

Flet znj.Doina Huso, Zv/Presidente, Albania Rafting Group

“Interes në rritje për turizmin e aventurës”

 

Prej sa kohësh zhvillohet aktiviteti i rafting në Shqipëri?

Shqipëria është e bekuar me lumenj, ndaj shumë qytete e fshatra kanë pasur lumin si të vetmin vend argëtimi dhe pushimi. Të rinjtë e këtyre zonave përdornin gomat e vjetra të kamionëve për t’u bërë pjesë e rrjedhës dhe adrenalinës së lumit. Ai nuk ishte rafting i mirëfilltë, pasi mungonin gudiat profesionale, gomonet, kostumet e neoprenit dhe mjetet e tjera të sigurisë, por adrenalina ishte e lartë, dhe kjo ishte e mjaftueshme për të nisur sportin amator të rafting në vendin tonë.

Para rreth një dekade, kur u themelua dhe Albania Rafting Group, sporti i rafting kaloi në nivel profesional. Albania Rafting Group nisi të ofronte turet e para të eksplorimit në kanionet e Osumit, gradualisht rafting u bë një nga sportet dhe aktivitetet e preferuara të shqiptarëve e turistëve të huaj.

Si ka evoluar interesi në vite, nëse i keni në shifra?

Si çdo risi dhe për sportin e rafting ka pasur vështirësi në bindjen e opinionit publik mbi sigurinë e sportit apo argëtimin që do të provonin në lumë. Kujtojmë, mbi të gjitha, fytyrat e habitura dhe dyshimin e vizitorëve të parë, të cilët me të drejtë shqetësoheshin pasi nuk kishin provuar më parë të bëheshin pjesë e një rrjedhe të rrëmbyeshme apo të kalonin nëpër ngushticat e kanioneve. Situatat e para i kaluam pa aksidente e me shumë të qeshura, të cilat tani guidat i tregojnë si histori komike për të qetësuar dhe vizitorët e rinj.

Nëse vitin e parë mund të kenë qenë 30 apo 50 vizitorë, më së shumti miq e të afërm të skuadrës, vitin e dytë kjo shifër u dhjetëfishua, e vitin e tretë po ashtu, derisa vitin e kaluar kemi pasur një shifër të pabesueshme prej 6000 vizitorësh në lumenjtë e Osumit dhe Vjosës, dhe në udhëtimet me kajak në Butrint e Gjirin e Krorëzës. Sipas të dhënave të Bashkisë së Skraparit janë 17.000 vizitorë të cilët kanë vizituar kanionet e Osumit dhe kanë shkuar më tej në eksplorime drejt luginës së Vjosës.

Si ndahet raporti mes të huajve dhe vendasve?

Vitin e kaluar, rreth 45% e vizitorëve ishin të huaj dhe 55% ishin vendas, por ky raport nuk ka qenë gjithmonë në këto nivele. Mund të themi se me rritjen e cilësisë së shërbimit turistik të viteve të fundit, sidomos në turizmin e aventurës, numri i vizitorëve të huaj është rritur, ndërsa ai i turistëve shqiptarë vrullshëm, duke e kthyer rafting në një aktivitet që duhet provuar në Shqipëri.

Cili është potenciali i turizmit të aventurës në Shqipëri dhe çfarë duhet bërë për ta nxitur?

Turizmi i aventurës është tashmë një trend botëror dhe pjesë e fokusit strategjik afatgjatë (deri në vitin 2030) të UNWTO për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Nga studimet e kryera gjatë viteve të fundit, është vënë re ndikimi i turizmit të aventurës në rritjen e mirëqenies dhe mundësive për komunitetin e zonave ku ai zhvillohet e gjithashtu për mbrojtjen e natyrës. Brezi i ri i “Fëmijëve të Mileniumit” (millennialls) kërkon gjithnjë e më shumë pushime aktive dhe marrjen e përvojave autentike duke u angazhuar me banorët e zonës. Fëmijët e Mileniumit, në të njëjtën kohë, janë më të ndjeshëm ndaj problemeve të komuniteteve rurale, ndaj pëlqejnë turizmin e aventurës, i cili gërsheton përvojën autentike me ndikimin pozitiv dhe kontributin ndaj banorëve të zonës.

Shqipëria si një vend që vazhdon të zhvillohet, ka të gjithë potencialin e mundshëm për të ruajtur pasuritë natyrore dhe për të zhvilluar pikën e saj të fortë, turizmin e aventurës dhe të kulturës. Ka ardhur momenti që të rinjtë shqiptarë ta shohin investimin në një karrierë në turizmin e aventurës, si një mundësi shumë të mirë për të ardhmen e tyre. Bizneset e turizmit dhe institucionet e edukimit publik e privat duhet të bashkojnë forcat, për të ngritur programe edukimi koherente dhe për të përgatitur ofertën turistike me shërbime cilësore, që do të na bëjnë më konkurrues në rajon dhe Europë.

Si mund të kombinohen llojet e ndryshme të turizmit në Shqipëri, si mund të kontribuojnë institucionet në këtë drejtim?

Një nga avantazhet e të qenët një vend i vogël në epiqendrën e qytetërimeve mijëravjeçare, është pikërisht aksesueshmëria e një shumëllojshmërie destinacionesh turistike e arkeologjike brenda një kohe mjaft të shkurtër. Pasurimi i ofertës turistike me elemente të aventurës, gastronomisë, kulturës është mjaft e thjeshtë në vendin tonë, ku densiteti dhe variacioni i atraksioneve turistike nga Vermoshi deri në Konispol, është po aq i lartë sa densiteti folklorik, gastronomik dhe kulturor. Megjithatë duhet bërë më tepër për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, menaxhimit të mbeturinave dhe ujërave. Disa zona vuajnë ende nga paqëndrueshmëria e energjisë elektrike, vështirësi në marrjen e ujit të pijshëm dhe mungesës së informacionit mbi atraksionet që gjenden pranë vendbanimeve të tyre.

Cilat janë planet e Albania Rafting Group në drejtim të infrastrukturës së rafting?

Planet tona janë zhvillimi i plotë dhe përurimi i Albania Adventure Resort, qendra që do të mbledhë 15 sporte të aventurës, e do të ofrojë kushtet e duhura për zhvillimin e tyre gjatë 12 muajve të vitit.

Si e prisni ecurinë këtë sezon?

Sezoni ka filluar rrëmbyeshëm prej shkurtit të këtij viti dhe do të vazhdojë me ritme e adrenalinë të lartë në kanionet e Osumit, në Vjosë deri në nëntor. Rafting është një sport rekreativ dhe përherë e më shumë po praktikohet nga të gjithë personat që gëzojnë një gjendje të mirë shëndetësore, nisur nga fëmijët 5 vjeç.

Dua të ngre vëmendjen për të gjithë të interesuarit për rafting që të kontaktojnë me instruktorët e certifikuar nga Federata Shqiptare e Rafting (www.fshr.al). Rafting në Shqipëri është një sport i ri që duhet të organizohet nga kompanitë/personat juridikë të kompletuar me pajisjet dhe veshjet e destinuara për këtë përdorim dhe duhet të drejtohet nga instruktorë sporti të federuar nga FShR dhe të pajisur me lejen përkatëse të drejtimit.

Subjektet turistike nuk duhet të marrin përsipër organizimin dhe drejtimin e udhëtimeve të rafting pa pasur instruktorët profesionalë dhe pa pajisjet e kompletuara, miratuar nga FShR, duke vënë në rrezik sigurinë dhe jetën e turistit. Sigurohuni që gjatë sportit rafting t’ju shoqërojnë guidat e certifikuara nga Federata e Rafting (instruktorët e rafting) të cilat janë të ligjshme dhe mbajnë përgjegjësi për sigurinë e jetës suaj gjatë zbritjes në lumë.

Na kanë ardhur sinjalizime që kompani pirate të papërgjegjshme po mashtrojnë turistët për rafting, duke përdorur fotot dhe imazhin e guidave të federuara. Personat joprofesionistë, pa pajisjet e duhura për rafting dhe guidat jashtë standardeve rrezikojnë jetën tuaj. Kërkojmë bashkëpunimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Brendshme për të garantuar sigurinë e turistëve në lumë. Kemi të bëjmë me jetën e njerëzve dhe turizmi shqiptar nuk e ka luksin të mbajë në imazhin e vet aksidente turistësh.

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz