Kaosi me TVSH-në, tjetër propozim për ndryshim

15/02/2019 10:08 AM 0 komente

Ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka propozuar nga roli i deputetit një ndryshim të ri në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar duke kërkuar që TVSH për median në internet të jetë në masën 6% dhe jo në masën 20%.

“Përmes këtij projektiligji, propozohet që shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6%, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive, të aplikohet edhe për ofruesit e shërbimit të publikimeve elektronike,” shkruhet në propozimin që u publikua në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.

“Ky propozim do të mundësojë një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues midis ofruesve të shërbimeve audiovizive dhe elektronike,” shkruhet më tej në propozim.

Nëntorin e kaluar, me propozim të Ministrisë së Financave, Kuvendi i Shqipërisë ndryshoi thuajse të gjitha ligjet tatimore të vendit, ku ndryshimet më të debatuara u zhvilluan larg vëmendjes së publikut në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Propozimi i Ahmetajt për të ndryshuar një ligj që ai vetë ndihmoi të formulohej vetëm tre muaj më parë, vjen pasi mediat online u gjendën në pasiguri tatimore në fillim të këtij viti pikërisht për shkak se më parë, media konsiderohej e përjashtuar nga TVSH ndërsa në ndihmë të disa televizioneve, qeveria vendosi TVSH në masën 6% për mediat audiovizuale. Kjo do të thotë se televizionet që do të blejnë pajisje për efekt të procesit të dixhitalizimit, do të mund të zbresin nga llogaria e tyre TVSH-në e paguar në blerje duke pasur efekt pozitiv në bilancet e tyre.

Ndryshimet në ligjin e TVSH-së, të realizuara me kompromis mes Erjon Braçes, në atë kohë kreu i komisionit parlamentar të ekonomisë dhe sot zëvendëskryeministër dhe Arben Ahmetajt në atë kohë, ministër financash.

Sektori i librit pësoi vendosje të TVSH-së në masën 6% nga zero që e kishte më parë ndërsa sektorit të agropërpunimit efektivisht iu ngarkua TVSH shtesë duke iu ulur TVSH-ja që vetëfaturojnë te fermerët nga 20 në 6%. Të gjitha këto ndryshime u kryen me synimin për të lehtësuar barrën fiskale për sektorin e bujqësisë dhe atë të librit, pavarësisht se rezultuan në praktikë në rritje të barrës fiskale dhe asaj administrative si për librin, ashtu edhe për agroindustrinë.

Ndryshime të panumërta ligjore

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar autoriteteve shqiptare në mënyrë të përsëritur të mos bëjnë ndryshime të shpeshta në regjimin fiskal të vendit në mënyrë që të shmangin krijimin e paqartësive te konsumatorët. Megjithatë, qeveria aktuale shqiptare është një kampione e vërtetë për sa i përket numrit të ligjeve fiskale të ndryshuara përgjatë viteve të fundit.

Ndërsa nëntorin e kaluar u ndryshuan ligjet kryesore fiskale të vendit, në janar Ministria e Financave hodhi për diskutim një ndryshim tjetër në ligjin e procedurave tatimore, ku kërkohej imponimi me detyrim për bizneset e vogla të pasjes së një llogarie bankare. Dhe vetëm tre muaj pas ndryshimeve, ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj, ka propozuar një ndryshim tjetër ligjor të TVSH-së, përmes të cilit kërkon tatimin në masën 6% të TVSH-së për reklamat në median në internet.

Që nga viti 2013, Shqipëria ka ndryshuar ligjin Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar tetë herë dhe propozimi i Ahmetajt përbën ndryshimin e nëntë në pesë vjet. Përgjatë të njëjtës periudhe, ligji Për Tatimin mbi të Ardhurat është ndryshuar dhjetë herë ndërsa ligji për procedurat tatimore është ndryshuar tetë herë. Ligji Për Sistemin e Taksave Vendore është ndryshuar gjashtë herë ndërsa Ligji për Taksat Kombëtare është ndryshuar tetë herë.

 

/ REPORTER.AL

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of