Kapitullimi i Hollywood

21/07/2018 10:02 PM 0 komente

A mund që Netflix të jetë ajo që kërkojnë investitorët dhe madje, duke shmangur edhe reagimin e ashpër të gjigantëve të teknologjisë? Përmbajtja e saj konsumon 20% të brezit me bandë të gjerë të së gjithë botës

 

Kompanitë e mëdha të teknologjisë përherë shkaktojnë reagime ekstreme dhe konfliktuale, shkruan The Economist. Investitorët i duan ato për suksesin gjithnjë e në rritje dhe për ambicien e pangopur: grupi FAANG, i aksioneve teknologjike që përfshin Facebook, Amazon, Apple, Netflix dhe Alphabet (kompania mëmë e Google), vlen më shumë se e gjithë FTSE 100. Nëse nuk do të ishin investitorët që do të fuqizonin rritjen e saj, tregu i aksioneve të Amerikës do të kishte rënë gjatë këtij viti.

Megjithatë, përplasja teknologjike ka përfshirë në vorbullën e saj gjigantët e teknologjisë dixhitale në të gjitha mënyrat, që nga abuzimi i të dhënave dhe sjellja antikonkurruese, në shmangien e taksave dhe varësinë nga smartphone-t, duke u shndërruar në ato firma që urrehen më shumë nga politikanët. Të gjithë, me përjashtim të njërit. I vetëm në mesin e këtyre gjigantëve, Netflix është një përjashtim i qartë nga kjo vorbull aksionesh me çmime të larta dhe dyshimesh. Që nga themelimi i saj në vitin 1997, kompania u shndërrua nga një shërbim që ofronte DVD me qira në një ndër shërbimet më të mëdha të video-transmetimit me cilësi të lartë.

Prodhimet e saj në fushën e argëtimit do të tejkalojnë këtë vit, çdo rrjet tjetër televiziv; prodhimi i saj mbi 80 filma artistikë është shumë herë më i lartë se ai i çdo studioje Hollywood. Netflix do të shpenzojë gjatë këtij viti 12 – 13 miliardë dollarë në përmbajtje, rreth 3 – 4 miliardë dollarë më shumë se vitin e kaluar. Vetëm ky shpenzim ekstra do të ishte i mjaftueshëm për të paguar për transmetimin e të gjitha programeve të HBO-së ose BBC-së. Numri i familjeve që shikojnë Netflix ka arritur në 125 milionë, dy herë më tepër në krahasim me vitin 2014.

Këto familje shpenzojnë më shumë se dy orë në ditë duke parë programet e ndryshme që transmetohen prej saj, që është afërsisht sa një e pesta e sasisë së videove që qarkullon sot në internet në botë. (me përjashtim të tregut të madh kinez ku ajo nuk lejohet të veprojë).
Fuqizimi i saj reflekton rënien e kohës që njerëzit shpenzojnë duke parë programet e ofruara nga televizionet kombëtare: amerikanët e grupmoshës 12 deri në 24 vjeç, shikojnë televizione me pagesë, pothuajse 50% më pak se ajo që shihnin në vitin 2010. Në mënyrë të veçantë, nëse do ta krahasonim atë me kompani të tjera që e kanë ndryshuar industrinë vitet e fundit, Netflix e ka bërë ndryshimin e saj pa shkaktuar ndonjë reagim publik ose rregullator. Me një çmim aksionesh që është dyfishuar që nga fillimi i vitit, ai është po aq i njohur në rrethin e investitorëve sa është edhe në atë të konsumatorëve.

E gjithë kjo situatë e përshkruar më sipër, ngre tre pyetje të rëndësishme. Çfarë mund të mësojnë firmat e tjera mediatike nga Netflix? Çfarë mund të mësojnë pjesa tjetër e kompanive që bën pjesë në grupin FAANG nga suksesi i saj? Dhe a është e mundur që të gjithë, në fund, të jenë të lumtur?

 

Kapitullimi i Hollywood

Le ta nisim me firmat e tjera mediatike. Moguls, të cilët dikur i dorëzonin me dëshirë Netflix përmbajtjen e tyre si një burim të ardhurash shtesë, tani po përpiqen në mënyrë të dëshpëruar të konkurrojnë me të. Rezultati është nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh si ajo e AT&T që bleu Time Warner, dhe Disney me Comcast që po luftojnë për produksionet e 21st CenturyFox. Gjithsesi konsolidimi është vetëm një pjesë e përgjigjes për firmat konvencionale argëtuese. Ata gjithashtu duhet të ndjekin shembullin e Netflix dhe ta përdorin internetin, duke u ofruar konsumatorëve çmime të ulëta dhe një larmishmëri zgjedhjesh. Netflix regjistron më shumë abonentë jashtë Amerikës sesa brenda saj.

Nga Meksika në Indi, njerëzit janë të çmendur pas serialeve “Narcos” dhe “Stranger Things”, duke krijuar një komunitet të gjerë shikuesish në mbarë botën. Përdorimi i të dhënave të klientëve bëhet në mënyrën më mirë, duke i kategorizuar preferencat e tyre individualë në rreth 2.000 kategori të ndryshme, për të transmetuar shfaqje të ndryshme edhe brenda së njëjtës familje, nëpërmjet rekomandimeve të synuara. Ndërthurja e sasisë dhe të dhënave shkencore e ka dalluar prej kohësh Netflix nga firma të tjera të teknologjisë.

Ndërkohë Amazon, Disney dhe disa firma të tjera po punojnë për të përmirësuar shërbimet që ato i ofrojnë konsumatorit. Shumica e këtyre firmave mediatike kanë një rrugë të gjatë përpara që të ecin me të njëjtin hap me Netflix. Gjigantët e tjerë të teknologjisë mund të mësojnë nga Netflix. Krahasuar me kompani të tjera të grupit FAANG, Netflix dallon në disa drejtime. Ndryshe nga Facebook dhe Google, Netflix nuk është marrë kurrë me transmetimin e lajmeve të ndryshme, por është përqendruar kryesisht në transmetimin e filmave dhe programeve argëtuese.

Pikërisht, kjo e ka mbrojtur atë nga skandalet e shumta të lajmeve të rreme, manipulimin e fushatave zgjedhore dhe grupimeve politike. Dhe ndryshe nga dy platformat e mësipërme që bazohen në reklama, modeli i biznesit të Netflix në abonime nënkupton që kjo kompani nuk mbështetet në shitjen e të dhënave të përdoruesve të saj apo vëmendjen që u kushtohet atyre që nuk janë pjesë e platformës. Në vend të kësaj, Netflix u ofron klientëve një shkëmbim të thjeshtë: një tarifë mujore në këmbim të programeve televizive që ata duan të shikojnë.

Ndryshe nga të gjitha kompanitë e tjera të grupit FAANG, të cilat, edhe pse janë globale, janë në mënyrë të padiskutueshme amerikane, Netflix po shndërrohet në një shërbim ndërkombëtar: me shfaqje televizive në 21 vende, duke i dubluar dhe duke i përkthyer në gjuhë të ndryshme. Firmat e tjera të teknologjisë nuk synojnë të rindërtojnë modelet e bizneseve, sepse edhe ato funksionojnë shumë mirë. Por ato ende mund të mësojnë nga Netflix, kryesisht sesi të përdorim me më shumë kujdes të dhënat e klientëve, të jenë më të qartë për sa u përket kushteve të kontratave që lidhin me ta dhe, mbi të gjitha, të tregojnë më shumë respekt për tregjet lokale. Nëse karakteristika të tilla ndihmojnë për të shpjeguar faktin se pse kjo firmë ka arritur të shmangë një përplasje të fortë teknologjike, kjo gjithsesi nuk do të thotë që të gjithë të jenë të lumtur në fund të fundit.

Rreziku afatshkurtër është ai financiar. Vlerësimet e nxituara janë të zakonshme në situata të tilla, por Netflix vazhdon të qëndrojë ende e fortë. Për të justifikuar vlerësimin aktual, fitimet operative neto të Netflix në një dekadë duhet të jenë të barasvlershme me rreth gjysmën e të gjitha fitimeve nga firmat argëtuese amerikane gjatë këtij viti. “Nëse Jezusi do të ishte aksion, ai do të ishte aksioni Netflix”, ka thënë një investitor i zgjuar. “Mos e besoni po deshët”. Por, ka edhe arsye për të dyshuar. Kompania ka rreth 8.5 miliardë dollarë borxhe.

Reed Hastings, drejtori i saj ekzekutiv, ka thënë se do të vazhdojë të marrë hua miliarda dollarë edhe “për shumë vite me radhë”; qarkullimi i lirë i parasë pritet të mbetet negativ edhe për disa kohë. Kjo strategji do të rezultonte efikase nëse Netflix do të mund të rriste çmimet, duke shtuar njëkohësisht edhe numrin e abonentëve, 26 milionë në 12 muajt deri më 31 mars. Konkurrenca sa vjen e po bëhet gjithnjë e më intensive. Në vendet që nuk kanë mbrojtje ndaj “neutralitetit të internetit”, pronarët e rrjetit wireless apo infrastrukturës së shpërndarjes së internetit mund ta përdorin fuqinë e tyre të shpërndarjes për të favorizuar materialet e tyre. Rreziku afatgjatë për Netflix, në mënyrë paradoksale, është nëse vlerësimi i sotëm vërtetohet të mos jetë i lartë, por i saktë. Përplasja teknologjisë është nxitur pjesërisht nga frika se platformat dixhitale të centralizuara do t’i japin fund konkurrencës.

Disa dyshojnë se Netflix ka tendencë të monopolizojë tregun e televizioneve. Ky veprim do të përqendronte sasi të mëdha të pushtetit kulturor në duart e disa komisionerëve dhe algoritmeve. Dhe në mënyrë të pashmangshme do të ishte më e vështirë për të shmangur vëmendjen e rregullatorëve të tregut. Ky është mësimi i fundit, sipas të cilit veprohet në Netflix, dhe në të gjitha firmat e teknologjisë. Për të mbajtur konsumatorët, rregullatorët dhe politikanët të lumtur për një kohë të gjatë, nuk ka zëvendësues për konkurrencën.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz