Pikat e tregtimit të karburanteve nuk do të liçencohen më nga pushteti vendor. Ministria e Energjitisë dhe Industrisë ka përgatitur një projektligj, i cili përqendron në duart e qeverisë licensimin e pikave të tregtimit të karburanteve me pakicë, numri i madh i të cilave është stigmatizuar, jo vetëm si një problem për territorin, por edhe për sigurinë rrugore.
Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, për shkak të rëndësisë që paraqesin këto objekte, kriteret dhe proçedurat për dhënien e lejeve do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave e do të përfshijnë një sërë institucionesh, jo më vetëm pushtetin vendor.
Paralelisht me vendimin, qeveria do të përcaktojë edhe kushtet e reja, që duhen plotësuar për të marrë një leje për tregti karburantesh.
Licensimi i karburanteve është vetëm një nga ndryshimet në ligjin për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës dhe gazit. Paralelisht, drafti i ri rikthen detyrimin për licensim edhe për impiantet e përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj. Pak vite më parë, qeveria Berisha zbuti detyrimin e impianteve të naftës për licensim. Por ky ndryshim çoi në përhapjen e impianteve të riciklimit, të cilët mashtronin konsumatorët, duke përzier naftën bruto dhe duke e shitur atë në treg. Një problem ky, që është denoncuar disa herë së fundmi edhe nga vetë Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
Qeveria shpreson që, me ndryshimet e reja ligjore, të disiplinojë tregtimin e naftës dhe gazit në vend dhe të kufizojë hapësirat për mashtrimin e konsumatorëve, duke ashpërsuar edhe ndëshkimet për subjektet që kryejnë veprimtari të jashtëligjshme në këtë sektor.
Shqiptarja.com
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.