Çmimet e ulëta të naftës po vijnë si “dhurata e Krishtlindjeve”. Rënia e çmimit të karburanteve ka fitues dhe të humbur, por po shikohet si lubrifikanti i rritjes ekonomike në të gjithë botën
Të mbash një kartel të duhen të paktën tre gjëra: disiplinë, një pozicion dominant në treg dhe barriera për hyrje në këtë treg. OPEC, karteli global i naftës, i ka humbur të tre këto kushte. OPEC furnizon sot 30% të naftës, shumë pak për të kontrolluar gjithë tregun, pasi shumë prodhues kanë hyrë tashmë në treg. Takimi i fundit i OPEC-ut në fund të nëntorit të këtij viti përfundoi në një farsë, ndërkohë që çmimet parashikohet të bien ndjeshëm të paktën deri në qershor 2015 kur parashikohet të rimblidhet OPEC nëse karteli s’do jetë shkatërruar deri atëherë.
Dhurata e Krishtlindjeve
Prishja e kartelit të OPEC-ut ka ardhur si dhurata e Babagjyshit të Krishtlindjeve në prag të festave të fundvitit dhe shumë analistë mendojnë se kjo ishte një “dhuratë” e dëshiruar dhe e merituar. Për momentin, konsumatorët e naftës duhet t’i jenë mirënjohës kartelit të OPEC-ut për paaftësinë e tij vepruese për të mbajtur në “rresht” anëtarët e tij, për të kufizuar ofertën e naftës dhe për të mbajtur çmime artificialisht më të larta.
Nëse s’do ishte për paaftësinë e anëtarëve të kartelit për të mbajtur marrëveshjen, asnjë qeveri apo strukturë ndërkombëtare nuk do të kishte aftësinë t’u kursente konsumatorëve rreth 500 miliardë dollarë për një periudhë rreth 6-mujore, qershor–dhjetor 2014.
Konsumatorët dhe bizneset në të gjithë botën po u gëzohen uljeve të njëpasnjëshme të çmimit të benzinës dhe naftës, ndërkohë që askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo periudhë e rënies së çmimeve dhe se cili do të jetë niveli dysheme. Prodhuesit e naftës dhe qeveritë e vendeve eksportuese neto po bëjnë llogaritë për një çmim dysheme 40 dollarë për fuçi se sa nga prodhuesit aktualë do ta përballonin këtë çmim krahasuar me kostot e tyre.
Mundësia për rilindjen e ekonomisë
Rënia e fortë e çmimit të naftës po shikohet si një mundësi e mirë për të ulur kostot e prodhimit dhe shërbimit në sektorin privat dhe atë publik, pasi nafta është një nga lëndët kryesore në industri, transport dhe shërbime.
Nga ana tjetër, rënia e çmimit pritet të ketë efekte në rrudhjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit, por në rastin e Shqipërisë, akciza dhe taksa mbi qarkullimin mbi karburantet është fikse 47 lekë për litër (+TVSH) ndërsa nga janari do të arrijë në 57 lekë për litër (+TVSH). Rritja e taksës së qarkullimit nga qeveria në relacionin e buxhetit të shtetit “u justifikua” me rënien e çmimit në tregun botëror, duke pretenduar se rritja e taksës nuk ka efekte në çmimin final për konsumatorët. Por, në fakt, efekti është në mosmarrjen e çmimit të ulur për shkak të taksës së rritur dhe, nga ana tjetër, edhe mosreagimin e grosistëve të naftës në të njëjtën shkallë dhe në të njëjtën kohë si në tregjet në vendet e tjera të rajonit dhe gjithë botës.
Shqipëria, në mesin e vendeve për çmimet e karburanteve
Një studim i Bloomberg tregon se karburantet shiten nga 1 cent për litër në Venezuelë deri në 2.45 dollarë/litër në Norvegji. Shqipëria ndër më të shtrenjtat në rajon dhe në mes të tabelës në rang botëror. Por çmimet e pakicës në Gjermani dhe Kroaci janë më të lira se në Shqipëri
Konsumatorët në mbarë botën po i presin Krishtlindjet me para të kursyera në kuletat e tyre. Çmimet e karburanteve kanë rënë në nivelet e vitit 2010 dhe konsumatorët në SHBA mendohet se do të kursejnë 500 dollarë në vit nga kjo ulje.
Por në shumë vende, konsumatorët dhe bizneset mendojnë se karburanti është ende i shtrenjtë për shpenzimet e tyre dhe zë një peshë të konsiderueshme në raport me totalin e shpenzimeve.
Në fakt ka diferenca stratosferike mes çmimeve sipas vendeve po të imagjinoni, p.sh., që çmimi i benzinës në Venezuelë është 1 cent të dollarit ose rreth 11 lekë, ndërsa në Norvegji 2.45 dollarë ose rreth 245 herë më i shtrenjtë.
Një studim i agjencisë Bloomberg ka renditur vendet sipas çmimit të shitjes me pakicë të karburanteve në pikën e furnizimit (pompës) nga ku rezulton se kryesisht vendet prodhuese kanë çmime jashtëzakonisht të ulëta nga 1 cent në Venezuelë (vendi 61) në 38 cent/litër në Iran. Ndërkohë, në vendet më të shtrenjta, pas Norvegjisë vijnë Turqia me 2.23 dollarë/litër, Hong Kongu (2.15), Italia (2.14) dhe Holanda me 2.13 lekë/litër.
Ekstremet mes Norvegjisë dhe Venezuelës
Vende të ndryshme kanë ide të ndryshme për liritë dhe të drejtat e njeriut. Kështu në Europën Perëndimore shërbimi shëndetësor universal është një normë, në vendet e pasura me naftë si Norvegjia, universitetet janë pa pagesë, ndërkohë që Venezuela është në kaos ekonomik dhe buxhetor, pasi karburanti është praktikisht pa lekë (1 cent për litër ose 100 litra për një dollar).
Norvegjia mbetet vendi më i shtrenjtë në botë për çmimin e karburanteve, pasi qeveria e ka kompensuar barrën e madhe fiskale mbi naftën me shërbime kombëtare, si për shembull universitete pa pagesë dhe përmirësime të vazhdueshme në infrastrukturë. Norvegjezët po u drejtohen makinave elektrike, si vendi me numrin më të madh të këtyre makinave në botë dhe vitin e fundit, rreth 15% e makinave të reja të shitura ishin elektrike.
E renditur si e dyta sa u përket të ardhurave për frymë, Norvegjia mund ta absorbojë këtë çmim të lartë të karburanteve pasi të ardhurat mesatare ditore të një norvegjezi janë 272 dollarë dhe vetëm 3.4% e tyre shkojnë për të blerë rreth 4 litra karburant.
Nga ana tjetër, Venezuela është një vend shumë i varfër që po vuan pasojat e rënies së çmimit të karburanteve. Të mbushësh makinën plot me karburant në këtë vend kushton më pak se të pish një kafe. Kosto totale për të mbushur një makinë Chevrolet Suburban me 39 gallona (rreth 150 litra) është vetëm 1.56 dollarë krahasuar me 114 dollarë që duhen në Amerikë, 232 dollarë në Shqipëri dhe 361 dollarë për të njëjtën sasi në Norvegji.
Sa u përket kostove, Arabia Saudite është vendi me kostot më të lira në botë për prodhimin e naftës, 5-6 dollarë për fuçi.
Shqipëria, në mesin e “artë”
Të dhënat e mara nga Bloomberg dhe llogaritjet e “Monitor” për Shqipërinë (çmimi i benzinës 175 lekë/litër, kursi 1 $=112 lekë) tregojnë se në rang botëror, Shqipëria renditet në mesin e vendeve sa i përket shtrenjtësisë së karburanteve. Sipas llogaritjeve në Shqipëri, një litër benzinë kushton 1.55 dollarë dhe jemi të krahasueshëm me vende si Çekia, Kroacia dhe Rumania, të cilat janë pak më të shtrenjta.
Sa i përket rajonit, Shqipëria është më e shtrenjtë se Hungaria, Polonia dhe Bullgaria për të cilat ka dhënë informacion studimi i Bloomberg, ndërkohë që Sllovenia, Kroacia, Greqia dhe Rumania kanë çmime më të larta. Maqedonia nuk është e përfshirë në studimin e Bloomberg, por raportohen çmime më të ulëta se në Shqipëri.
Shqipëria, me marzhin më të ulët të ndryshimit të çmimit
Të dhënat tregojnë se për vende në Europën Qendrore dhe Lindore Shqipëria ka marzhin më të ulët të reduktimit të çmimit me vetëm 7%, ndërkohë që rënia e çmimit të gazolit në këto vende ka qenë dy deri në tre herë më e lartë se në Shqipëri. Kështu, rënien më të fortë në rajon e ka pasur Letonia me 20%, e ndjekur nga Hungaria me 18%, Rumania me 17%, Kroacia dhe Qipro me 16%. Estonia, që ka uljen më të vogël (15%), ka gjithsesi një ulje që është 2.5 herë më e lartë se ajo që ka ndodhur në tregun shqiptar (7%), pasi çmimet në këtë vend kanë rënë me 15%. Ndër vendet rekord për rënien e çmimit deri ditën e sotme janë SHBA, ku çmimi i shitjes me pakicë ka rënë me 25% ose nga 3.7 dollarë për gallon (1 gallon=3.78 litër) ose 0.97 dollarë për litër më 23 qershor në 2.78 dollarë për gallon ose 0.73 dollarë për litër në dhjetor 2014.
Gjermani, çmimet më lirë se Shqipëria
Shpeshherë, krahasimet çalojnë, por në rastin e karburanteve, Shqipëria është një përjashtim absurd. Së fundi, edhe në vende të BE-së, me nivel shumë më të lartë ekonomik se Shqipëria, si Gjermania, grosistët i kanë ulur ndjeshëm çmimet e karburanteve duke arritur deri në 1.13 euro për litër ose rreth 156.8 lekë. Edhe Austria dhe vende të tjera të BE-së kanë arritur nivele të ngjashme të çmimit, duke i kursyer biznesit dhe konsumatorëve miliona euro nga shpenzimet për karburantet.