Mario Draghi, Guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), bëri me dije se po marrin seriozisht në konsideratë të ndalin prodhimin e kartëmonedhave prej 500 eurosh ndërsa theksoi me forcë se do ta kenë parasysh këtë veprim për shkak të paralajmërimeve nga policia se këto monedha janë përdorur kryesisht në tregun e zi.
Por gjithsesi anëtarët e bordit të bankës kërkojnë prova shtesë.
Aktualisht në Britani është ndaluar përdorimi i kartëmonedhës prej 500 euro, dhe nuk është e mundur të gjende as në ndonjë bankë që nga viti 2010, pikërisht për shkak se 90 për qind e kërkesave vinin nga qarqet kriminale.
Nga Banka e Italisë deklarohet se kartëmonedhat përdoren në aktivitete kriminale, të tilla si shitje të drogës apo evazion fiskal, për shkak se është shumë më e lehtë për t‘i bartur, ose për t‘i fshehur ato.
Edhe Finlanda është një tjetër vend i cili po shqyrton me seriozitet tërheqjen e kartëmonedhave të tilla, derisa Amerika i ka tërhequr kartëmonedhat 1000 dollarëshe nga tregu që në vitin 1969, me arsyen se kanë ndihmuar kriminelët në zhvillimin e tregut të zi dhe aktiviteteve të tyre të paligjshme.