Kasat tek karburantet, mbyllet hetimi i Konkurrencës, ja pse ishin ankuar kompanitë

13/03/2018 10:00 AM 0 komente

Tregu i shërbimit të mirëmbajtjes së pajisjeve fiskale të tregtimit të karburanteve u përfshi në fund të vitit 2017 dhe në fillim të këtij viti nga një problematikë që erdhi si rrjedhojë e heqjes së licencës nga ana e Ministrisë së Financave të njërës prej kompanive që ofronte shërbimin, CKV NOKI.

Autoriteti i Konkurrencës u detyrua të zhvillonte një hetim paraprak nxitur nga kërkesa e njërës prej kompanive të shitjes me pakicë të karburanteve e cila nënvizonte se nuk po merrte shërbimin e kërkuar. Më herët shërbimi i ofrohej nga “CKV NOKI” sh.p.k., por që pas heqjes së autorizimit për këtë kompani nga Financat, u bë e nevojshme gjetja e një tjetër ofruesi.

Ndalimi i shitjes së kasave nga kjo kompani u bë me një urdhër të veçantë të Ministrisë së Financave më 29 mars 2017. I njëjti urdhër do të nënvizonte se subjektet që kishin kontratë me CKV NOKI duhet të gjenin një tjetër kompani nga katër që ishin të autorizuara. Konkretisht në treg këtë shërbim e ofrojnë IVA Elektronik, BNT Electronics, AED, DAISY & ETM.

Hetimi i Konkurrencës

Referuar dokumenteve të Konkurrencës dhe vendimit të fundit të saj rezulton se nën hetim u mor kompania AE Distribution sh.pk për të parë sjelljen dhe në rast se kishim kufizim të konkurrencës .
Dokumentet e siguruara nxorën në pak se AE Distibution në fakt kishte ofruar shërbimin për kompaninë që ka bërë ankimimin por ndërkohe nuk ishte paguar, çka kishte sjellë dhe tërheqjen nga ofrimi i shërbimit.

“Sipas dokumenteve të depozituara nga ndërmarrja AE Distribution SHPK, rezulton se kjo ndërmarrje ka ofruar shërbimin e mirëmbajtjes së pajisjeve fiskale për ndërmarrjen XXXXXXXXXXXXXX, megjithëse kjo ndërmarrje nuk kishte përmbushur detyrimet për një periudhë xxxxx vjeçare dhe në mungesë të një kontrate mirëmbajtjeje në formë të shkruar. Në bazë të VKM Nr. 781, datë 14.11.2007 është detyrim i përdoruesit të pajisjes fiskale, në këtë rast ndërmarrjes XXXXXXXXXXX, që të sigurojë kontratë shërbimi mirëmbajtjeje me një shoqëri të autorizuar nga Ministria e Financave.

Ndërmarrja AE Distribution SHPK xxxxxxxx i ka kërkuar ndërmarrjes XXXXXXXX përmbushjen e detyrimeve kontraktore dhe atyre ligjore në mënyrë që të vijonte me ofrimin e shërbimit të mirëmbajtjes.
Sipas Kontratës xxxxxxxx të depozituar nga ndërmarrja AE Distribution SHPK, rezulton se midis saj dhe ndërmarrjes XXXXXXXX është lidhur Kontrata për shërbimin e mirëmbajtje për rreth 120 pajisje fiskale, por ende nuk është shlyer detyrimi monetar nga ndërmarrja XXXXXXXXXX” thuhet në vendimin e Konkurrencës.

Problemi teknik

Autoriteti ka zhvilluar me palët edhe seanca dëgjimore për të zgjidhur problematikën e mbartur nga dalja nga tregu e njërës prej kompanive që ofronte shitjen dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale. Vetë AE Distribution ka bërë me dije se ka kërkuar pranë Financave dhe Tatimeve ofrimin e shërbimit të mirëmbajtjes për të gjitha pajisjet fiskale që ishin dhënë nga kompania CKV NOKI sh.p.k por ka nënvizuar gjithashtu se has një problem teknik që ka të bëjë me procesin e ç’fiskalizmit.

“I vetmi shërbim që ndërmarrja A.E.Distribution SHPK nuk mund të ofrojë për këto pajisje është ai i çfiskalizimit, pra i zëvendësimit të memorieve fiskale dhe qarkut të shiritit të kontrollit elektronik të pajisjeve fiskale, pasi ky shërbim nuk mund të kryhet për arsye teknike sepse çdo ndërhyrje që kryhet në një pajisje fiskale, dhe sidomos ajo e çfiskalizimit, kërkon aprovimin në rrugë elektronike nga sistemi Nexus i monitorimit te pajisjeve fiskale, e cila nënkupton faktin, që ndërmarrja AE Distribution SHPK është e autorizuar të kërkojë në sistemin “Nexus” kod aprovimi për të kryer ndërhyrje vetëm në pajisjet fiskale të tregtuara prej saj e që mbajnë inicialet “AED”.

Mungesa e shërbimit të çfiskalizimit, për pajisjet fiskale të tregtuara nga ish shoqëria e autorizuar “CKV NOKI” SHPK nuk varet nga vullneti i ndërmarrjes “AE Distribution” SHPK, por është një problem thelbësisht teknik” thuhet në vendimin e Konkurrencës.

Po kështu bëhet e qartë se AE Distibution është duke pritur për një zgjidhje teknike që do të jepet nga autoritetet lidhur me çështjen e çfiskalizimit. Në kushtet kur kjo nuk është parë si mungesë vullneti nga kompania e kasave por si një problematikë më e gjerë, Konkurrenca ka mbyllur hetimin paraprak duke theksuar se nuk kemi të bëjmë me kufizim të Konkurrencës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of