KASH: Këmbëngulje për TVSH me dy nivele

27/03/2012 16:02 0 komente

Ndërsa kemi marrë rrugën e pakthyeshme drejt tregtisë së lirë, bujqësia shqiptare duket se nuk është ende gati të përballet me produktet më cilësore të shteteve europiane. Për më tepër që vendet e Bashkimit Europian prej shumë kohësh janë subvencionuar nga shtetet e tyre, subvencionim që ka ngjallur debate të shumta sidomos nga të ashtuquajturat vende në zhvillim. Vetëm kohët e fundit në marrëveshjen e Dohas, u arrit një marrëveshje paraprake për heqjen e subvencionimeve për disa produkte.Drejtues të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) pohojnë se mungesa e subvencionimeve e ka vënë në pozita inferiore prodhimin vendas kundrejt atij të vendeve të tjera, pa llogaritur dhe “hallet” e tjera. Edhe pse kohët e fundit janë bërë përpjekje për një farë favorizimi të këtij sektori (duke përfshirë këtu heqjen e akcizës për karburantet e peshkimit dhe për serat me ngrohje) përsëri problemet që ka ky sektor janë të shumta. Megjithëse janë bërë ndryshime të ndjeshme në tarifat doganore KASH kërkon që të ulen tarifat doganore për lëndët e para, të cilat rrisin koston e prodhimit. Gjithashtu, infrastruktura e keqe dhe marketingu i pamjaftueshëm japin ndikimin e tyre të pamohueshëm. Si zgjidhje për disa nga këto probleme KASH sheh vetëm subvencionet e shtetit për prodhimin vendas dhe domosdoshmërisht vendosjen e një TVSH me dy nivele, gjë që do ta ndihmonte sektorin e bujqësisë të rimëkëmbej. Në këtë pikë mendimi i tyre ndahet me mendimin e organizatave të tjera të biznesit, të cilat kërkojnë një ulje të nivelit të TVSH-së, pasi, sipas tyre, vetëm TVSH me dy nivele dhe jo ulja e saj do të jepte efekt për sektorin e agrobiznesit.Intervistë me Drejtorin Ekzekutiv të KASH, Zyhdi TeqjaSi e argumentoni kërkesën për një TVSH me dy nivele?KASH është i përfshirë aktivisht në diskutimet për paketën fiskale të vitit 2005, që si ajo e çdo viti tjetër është në proces të hartimit dhe pastaj do të kalojë në procesin e miratimit në qeveri dhe në kuvend. KASH gjatë kësaj periudhe ka bashkëpunuar me organizata të tjera të biznesit siç është Dhoma e Tregtisë apo Bashkimi i Investitorëve dhe Industrialistëve të Shqipërisë dhe për shumë çështje është arritur konsensusi me komunitetin e biznesit. Kuptohet KASH-i ka specifikat e tij edhe në këto kërkesa një nga ndryshimet kryesore që ka KASH me organizata të tjera të biznesit, është se ai vazhdon të këmbëngulë për nevojën për të pasur në Shqipëri një TVSH me dy nivele. Në fakt, një pjesë e komunitetit të biznesit mendon se do të ishte më realiste të kërkohej ulja e nivelit të TVSH-së si një hap i parë, meqenëse edhe nga administrata tatimore argumenti që paraqitet kundër kësaj kërkese është që administrata tatimore nuk mund të kontrollojë një TVSH me dy nivele. Gjithsesi, ne mendojmë se thjesht një ulje e vogël e TVSH-së nuk do të kishte efektet që priten për agrobiznesin dhe kjo është arsyeja se pse ne këmbëngulim për TVSH-në me dy nivele. Për të pasur efekte reale të TVSH për agrobiznesin do të duhej një ulje në nivelin 7%, 8% apo deri në 10%, gjë që është e pamundur në rast se pranohet ideja e uljes së TVSH, që gjithsesi nuk mund të shkojë nën 15%. Sa shpresa keni për realizimin e një kërkese të tillë duke pasur parasysh faktin se FMN është shprehur kundër TVSH-së me dy nivele? Edhe ne kemi marrë pjesë në takimet me përfaqësuesit e FMN-së. Është e vërtetë që ata vazhdojnë të jenë skeptikë ndaj politikave për uljen e ngarkesës fiskale dhe akoma më skeptikë për diferencimin e TVSH me dy nivele dhe në këtë kuptim ne, për të qenë realistë, nuk presim shumë nga diskutimet e këtij viti. Sidoqoftë ky është një proces i cili duhet ndjekur në vazhdimësi. Ne nuk do ta ndërpresim punën tonë për të bindur organet vendimmarrëse për këto ndryshime të nevojshme. Në fakt, ekziston një opinion, sipas të cilit duhet rritur niveli i grumbullimit të të ardhurave në buxhet dhe pastaj të merren masat për uljen e ngarkesës fiskale, por në fakt ajo që ndodh me politika të tilla është se bizneset e rregullta do të paguajnë akoma më shumë, kurse ato të parregulltat do të vazhdojnë të mos paguajnë taksa dhe tatime. Çfarë mase tjetër mendoni se do të ndikonte në zhvillimin e sektorit të bujqësisë?Kërkesë tjetër që është specifike e KASH-it është se ajo që u arrit vitin e kaluar për të pasur një projekt pilot për akcizën e karburanteve, të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, pra të gjitha karburantet për bujqësinë dhe për industrinë agropërpunuese të jenë pa akcizë në të gjithë territorin e vendit. Në fakt, me të gjitha përpjekjet që janë bërë deri tani, akoma nuk ka filluar të zbatohet projekti pilot që u miratua vitin e kaluar dhe kjo sigurisht që përbën një pengesë, pasi ideja e projektit pilot ka qenë që të shiheshin efektet reale në një treg pilot dhe pastaj të shtriheshin në të gjithë territorin e vendit. Megjithatë, unë them se deri tani ne kemi arritur një sukses, të paktën për serat me ngrohje karburanti, të cilat do të jenë pa akcizë në të gjithë territorin e vendit dhe unë shpresoj shumë që në këtë sezon kur nis puna në serat me ngrohje, ne të marrim efektet reale të saj.Çfarë problemesh has prodhimi vendas gjatë kësaj kohe?Një nga dukuritë e stinës së verës të këtij viti, ishte ulja shumë e madhe e çmimit të disa produkteve bujqësore, si p.sh., domatja dhe kastraveci. Në shumë raste kjo ulje çmimesh ka shkuar nën koston e prodhimit dhe ky problem, në fakt, pak tërheq vëmendjen e opinionit në përgjithësi por edhe të specialistëve, pasi zakonisht ulja e çmimeve konsiderohet një dukuri pozitive. Deri në një farë mase kjo është pozitive, sepse tregon rritjen e prodhimit bujqësor në Shiqpëri, por unë do të thoja që nga ana tjetër, ulja e çmimit nën kosto shkakton një dëm të konsiderueshëm për prodhimin bujqësor dhe dekurajon investimet në këtë sektor për vitet që vijnë. Kështu, unë mendoj të analizohen të gjithë faktorët që çuan në një ulje të çmimit përtej kufijve normalë.Cilët janë faktorët që mendoni se çuan në këtë ulje?Një nga faktorët që çoi në një ulje të madhe të këtyre çmimeve është që tregu shqiptar është i mbushur me prodhime që vijnë nga vende të cilat subvencionojnë në një masë të lartë këto prodhime bujqësore, (sidomos prodhimet që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian por edhe të tjerat). Ndërkohë, deri tani në Shqipëri nuk është marrë asnjë masë që të parandalojë dëmtimin e prodhuesve vendas nga mallrat e subvencionuar. Natyrisht, ka edhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me marketingun e produkteve bujqësore. Mungesa e infrastrukturës së marketingut të produkteve bujqësore është një fakt tjetër që çon në uljen e menjëheshme të çmimeve të produkteve bujqësore. Ndërkohë që po bëhen investime në prodhim dhe ka një rritje të dukshme të prodhimit bujqësor, investimet në marketing, si ato private ashtu edhe publike, janë akoma në nivele të ulëta. Problemi i lëndëve të para është një problem tjetër i industrisë agropërpunuese. Ky problem duhet parë në dy këndvështrime; nga njëra anë është fakt që shumica e lëndëve të para vijnë nga importi dhe kemi një përpunim shumë të ulët të produkteve bujqësore të fermerit, nga ana tjetër industria jonë agropërpunuese është pothuajse totalisht e varur nga produktet që vijnë nga importi. Kjo është një fushë që sigurisht kërkon përmirësime të dukshme, pasi industria agropërpunuese nuk do të jetë konkurruese në planin afatgjatë, nëse gjendja do të vazhdojë të jetë e tillë. Edhe kërkesa jonë për diferencimin e TVSH ose për përjashtimin nga ajo të produkteve bujqësore ka si qëllim që industria agropërpunuese të blejë prodhimet nga fermeri shqiptar dhe jo jashtë vendit. Në politikat aktuale kur industria agropërpunuese është e detyruar të paguajë TVSH për produktet e blera nga fermeri shqiptar, ajo nuk është konkurruese.Në fakt për të qenë realist, në Shqipëri janë bërë përmirësime për rregullimin e tarifave doganore në përgjithësi. Pra ka një strukturë pak a shumë të pranueshme, ku produktet që prodhohen në Shqipëri kanë tarifën maksimale (megjithëse është e ulët) dhe lëndët e para kanë tarifë të ulët. Megjithatë, nga komuniteti i agrobiznesit ka një sërë kërkesash për disa nga lëndët e para që vazhdojnë të kenë tarifa doganore të larta. Këto në tërësi janë ambalazhe qelqi apo kartoni që përdoren nga industria e qumështit, e pijeve të ndryshme, por edhe nga prodhuesit e verës. Shpresojmë që gjatë diskutimeve të këtij sezoni për paketën fiskale, ne të arrijmë të bëjmë disa ndyshime pozitive në këtë drejtim.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.