Pavarësia e Katalonjës mund të shkaktojë jo pak probleme për Barcelonën, ku klubi blaugrana rrezikon t’i thotë lamtumirë La Liga.
Këtë e bëri të ditur vetë presidenti i La Liga-s, Javier Tebas: “Tani e shoh më të mundshme La Liga-n pa Barcelonën dhe Espanyol, gjëra të cilat nuk i kisha imagjinuar kurrë në të kaluarën. Klubi blaugrana është nën presione të forta nga ata që duan pavarësinë dhe brenda tij, ka nga ata që duan pavarësinë, të tjerë jo. Kampionati spanjoll në fillim mund të humbë vlerë, por nuk do të ishte i vështirë rikuperimi”.
“Nëse procesi avancon, dhe shpresojmë që jo, pasi është ilegal, klubet katalanase nuk do të mund të luajnë më në kampionatin spanjoll, pasi Ley del Deporte parashikon që vetëm klubet e një shteti të huaj, si Andorra, mund të luajnë në turnetë kombëtare. – Marrëveshjet e njëanshme nuk janë të parashikuara dhe nuk do të jetë e lehtë të arrihet një marrëveshje. Nëse procesi është i njëanshëm, duhet të ndahen edhe nga Bashkimi Europian dhe nuk mund të luajnë në Liga” – thotë Tebas.
Pavarësia e Katalonjës, ndikimi ekonomik për Barcelonën
Pavarësia do të shkaktojë ndikim të madh ekonomik te klubi i Barçës. Në sezonin 2015/16, të ardhurat arritën 609 milionë euro, duke marrë parasysh vetëm skuadrën e parë të futbollit. Nga këto, 36,6 milionë vetëm shitja e biletave për ndeshjet e Ligës spanjolle dhe 7,4 milionë të tjerë nga ndeshjet në kompeticionet kombëtare: rreth 44 milionë euro më pak, duke qenë se e vetmja alternativë për La Liga-n do të ishte një kampionat katalan, i cili, duke pasur parasysh nivelin e kundërshtarit, vështirë se do të ishte po aq tërheqës për publikun.
I njëjti diskutim vlen edhe për të drejtat televizive: në sezonin 2015/16, të ardhurat e përgjithshme të Barçës arritën në 162 milionë euro. Para që televizionet nuk do të donin t’i shpenzonin për Espanyol apo Girona.
Pavarësia e Katalonjës, ndikimi ekonomik për La Liga
Humbja e Barcelonës, në të njëjtën kohë, do të kishte ndikim edhe për La Liga-n. Pavarësisht fjalëve të Tebas, pesha e klubit spanjoll në nivel ekonomik është e dukshme: vetëm Barça vlen 21 për qind të qarkullimit total të La Liga-s. Pa Barçën, kampionati do të bëhej automatikisht më i varfër.
Edhe sepse, nuk është e thënë që televizioneve t’u mjaftojë vetëm Real Madrid. Blaugranat zënë 25.91 për qind të kohës televizive në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Pra në thelb, ¼ e audiencës së La Liga-s vjen falë Barcelonës: Një kampionat pa Barçën nuk do të vlente po aq para që sot televizionet derdhin në shtëpitë e La Liga-s.
Pavarësia e Katalonjës, po kompeticionet europiane?
Pavarësia e Katalonjës mund të ndikojë edhe në pjesëmarrjen e mundshme të Barcelonës në kupat europiane. Fakti që Katalonja nuk bën pjesë në Bashkimin Europian nuk është një problem duke qenë se janë të shumta skuadrat që nuk bëjnë pjesë në Bashkimin Europian por marrin pjesë në kompeticionet UEFA (si p.sh. Turqia). Por një Federatë futbolli katalanase ekziston prej kohësh: Federació Catalana de Futbol është themeluar në vitin 1990 – duhet së pari të njihet dhe pastaj të anëtarësohet në UEFA.
Federata e re do të kishte një renditje të ngjashme me shtete si Kosova dhe San Marino, që zënë vendet e fundit në renditjen e kampionateve europiane sipas koeficienteve të UEFA-s.