Vila dykateshe, në Draleo-Bashkia Himarë, me vlerë investimi 51.5 mln euro; kompleksi turistik dhe zonë rezidenciale në Velipojë (35 milionë euro); kompleksi turistik rekreativ i standardeve të larta në Hamallaj (26 milionë euro) dhe ndërtimi i një ferme të madhe bujqësore në fshatin Gurëz në Lushnjë (3.6 milionë euro), janë projektet strategjike që po shqyrtohen nga Ministria e Ekonomisë…
Pas miratimit të ligjit për investimet strategjike ka filluar interesimi nga investitorët për realizimin e projekteve të mëdha në vend.
“Jane 2 investime strategjike që e kanë plotësuar dokumentacionin dhe janë në proces vleresimi. Dy të tjerë sapo kanë paraqitur kërkesen dhe po plotësojnë dosjet”, kanë pohuar për Monitor burime zyrtare nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Burime nga Këshilli i Investimeve, një platformë e ngritur një vit më parë nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, dhe që ka qenë mjaft aktiv në përpjekjet për përmirësimin e klimës së investimeve në vend, kanë pohuar se bëhet fjalë për tre investime në turizëm dhe një në bujqësi.
Investimi më i madh është ai i një resorti turistik elitar me vila dykateshe, në Draleo-Bashkia Himarë, me vlerë investimi 51.5 mln euro dhe që pritet të punësojë rreth 500 veta.
Investimi i dytë më i madh është sërish në turizëm dhe planifikon ngritjen e një kompleksi turistik dhe zonë rezidenciale në Velipojë, me vlerë 35 milionë euro dhe që planifikohet të hapë 256 vende pune.
I treti, po në turizëm është në Hamallaj (Gjiri i Lalzit) dhe planifikon krijimin e një kompleksi turistik rekreativ të standardeve të larta në Hamallaj, me vlerë 26 milionë euro.
E katërta është ndërtimi i një ferme të madhe bujqësore për prodhimin e përpunimin e perimeve dhe eksportin e tyre në fshatin Gurëz në Lushnjë, me vlerë investimi 3.6 milionë euro, që pritet të punësojë 120 veta.
Në total vlera e investimit për të katër projektet arrin në rreth 116 milionë euro.
Pak muaj mëparë u miratua një legjislacion për investimet strategjike, i përbërë nga ligji për investimet strategjike, si dhe një sërë vendimesh të Këshillit të Ministrave të miratuara, të fokusuar në tërheqjen e investimeve të huaja, apo “zgjimit”, të kapitalit të vendas.
Paketa legjislative përcakton sektorët si dhe nënsektorët përkatës, të ekonomisë, të identifikuar strategjikë, si dhe parashikon procedurat e posaçme administrative favorizuese, lehtësuese ose përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve strategjikë.
Kriteret kryesore për cilësimin e një investimi, në sektorët/nënsektorët e sipërpërmendur, si strategjik janë dy. Konkretisht, interesi publik që bart një investim, si dhe kriteri financiar.
Interesi publik në përzgjedhjen e një investimi strategjik vlerësohet, ndër të tjera, sipas vlerës së investimit, kohës së realizimit, produktivitetit dhe vlerës së shtuar të tij, hapjes së vendeve të reja të punës, zhvillimi ekonomik rajonal dhe lokal, ofrimit të teknologjive të reja për rritjen e konkurrencës dhe efektivitetit të investimit, mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit, etj.
Kriteri financiar, sipas sektorit strategjik ku realizohet investimi, apo statusit të tij, varion nga një vlerë investimi e barabartë me, ose më e madhe se 1 (një) milion euro deri në një vlerë të barabartë me, ose më e madhe se 50 (pesëdhjetë) milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.