Tre milion euro është shuma që Komisioni Europian do të akordojë Ballkanit Perëndimor për të arritur një qeverisje më efektive të tregut të punës në këto shtete.
Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit, së bashku me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO) do të zbatojnë këtë projekt, i cili do të fokusohet në avancimin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal përmes aktiviteteve të ndryshme si: ndërtimi i kapaciteteve në agjencitë qeveritare, shërbime punësimi dhe inspektoriale në rajon, shkëmbim eksperiencash etj.
Ky program, i cili quhet ESAP, do të mbështesë përgatitjen dhe zbatimin e Reformave Ekonomike, si dhe programe të Punësimit dhe Reformës Sociale, në fushën e punësimit dhe çështjeve sociale të udhëhequr nga Ministritë përkatëse të Punës , nën drejtimin e DG Employement pranë KE, si një pjesë e detyrueshme të procesit të zgjerimit të BE-së .
Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit, më herët publikoi Barometrin e Ballkanit 2016, sipas të cilit shqiptarët ishin më pesimistët në Ballkan lidhur me pritshmëritë ekonomike, duke parë një rënie të indeksit të besimit të konsumatorit me 5 pikë. Sipas të njëjtin raport, thuhet se vendet e EJL vuajnë nga papunësia e lartë, nga ku: niveli i papunësisë në vitin 2016, parashikohet 34% në Kosovë, 27% në Maqedoni, 27,2 në Bosnje-Hercegovinë, 17% në Serbi dhe 16,8% në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.