Komisioni Europian gjobiti për herë të tretë Google, kësaj here me 1,49 miliardë euro, pasi ka abuzuar me pozitën e tij dominuese me platformën AdSense në sektorin e reklamave për motorët e kërkimit.
Kompania vendoste klauzola kufizuese në kontrata me palë të treta, të cilat pengonin konkurrentët të shfaqnin reklama në të njëjtat faqe.
“Ky abuzim, i cili ka zgjatur dhjetë vjet, ka penguar kompanitë të konkurrojnë me mëritë”, – tha komisionerja europiane e Konkurrencës, Margrethe Vestager.
“Kemi ndërmarrë një sërë ndryshimesh te produktet tona për t’iu përgjigjur shqetësimeve të Komisionit Europian. Në muajt e ardhshëm do të bëjmë përditësime të reja për të rritur shikueshmërinë e konkurrentëve tanë në Europë. Ne kemi qenë gjithnjë dakord me faktin që tregjet e shëndetshme janë në interes të të gjithëve”, – u shpreh Kent Walker, SVP Global Affairs në Google, duke komentuar gjobën e Komisionit Europian për AdSense.
Faqet e mediave të ndryshme, bloge etj., përdorin shpesh një funksion të kërkimit të integruar. Kur një përdorues bën një kërkim duke përdorur këtë funksion, faqja web shfaq si rezultatet e kërkimit, edhe reklama që shfaqen pranë rezultateve të kërkimit.
Google është një ndërmjetës, një agjenci publicitare mes reklamuesve dhe atyre që zotërojnë faqet web, të cilët dëshirojnë të shfrytëzojnë hapësirën rreth faqeve të rezultateve. Brukseli shpjegon se Google ka qenë për një kohë të gjatë aktori më i fuqishëm në këtë sektor, me një pjesë tregu më të madhe se 70%.
Konkurrentë si Microsoft dhe Yahoo nuk mund të shesin hapësira reklamuese në faqet e rezultateve të Google. Për këtë arsye, faqet e palëve të treta janë për ta një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e aktivitetit të tyre. Komisioni analizoi qindra marrëveshje mes Google dhe faqeve web, duke arritur në përfundimin që duke nisur nga viti 2006, Google ka përfshirë klauzola ekskluziviteti në kontratat e tij – editorët nuk ishin të autorizuar të publikonin reklama të konkurrentëve në faqet e tyre të rezultateve të kërkimit.
Ndër të tjera, nga muaji mars i vitit 2009, Google ka përfshirë klauzola që detyrojnë faqet të marrin një leje me shkrim nga Google, para se të ndryshojnë mënyrën se si shfaqen reklamat e konkurrentëve.
Edhe më parë, Brukseli e ka gjobitur Google, gjithnjë për abuzimin me pozitën dominuese. Në 2018, Antitrust e gjobiti Google me 4,3 miliardë euro, pasi impononte pajisjet të përdornin sistemin e tij operativ Android, duke i siguruar kështu një pozitë të privilegjuar sa i përket funksionimit të aplikacioneve të tij përkundër atyre të shoqërive rivale.
Burimi: ANSA